OPINION

Tanë jetën u mundova me ba Shqipni, por zor qenka, bre…

izmi Shkruan: Izmi Zeka

 

Këto ditë dimri të kujtojnë shekujt, deceniet, vitet kur shqiptarët përballeshin me sakrifica për jetë a vdekje dhe atë për një qëllim, për të qenë të lirë të bashkuar në një shtet si gjithë popujt e Evropës. Hasan Prishtina diplomati i pothuajse i të gjitha kohërave dhe njeriu i cili tërë pasurinë intelektuale dhe ekonomike e shkriu për interesa të kombit porosiste “ Ruajuni mallkimit të historisë”. Ky diplomat i gjitha kohërave njohu dy rrugë për çlirimin kombëtar, rrugën politike e diplomatike dhe atë përmes grykës së pushkës. Ky dimension i qartë i Hasan Prishtinës shërbeu për shqiptarët anekënd ku ishin për të njohur më shumë Evropën që aso kohe bënte sehir dhe nuk shihte ndonjë interes të caktuar për të rregulluar dhe ridizajnuar rregullimin e një shteti shqiptar. Ajo kohë ka ikur me gjitha vuajtjet e patriotëve të shumtë duke u nisur nga Isa Boletini, Bajram Curri, Dedë Gjo Luli, Idriz Seferi dhe duke rezultuar me lëvizjet e pasluftës së dytë botërore me Adem Demaçin në krye e shumë patriot të tjerë. Gjërat rrodhën në mënyrë kontinuele duke ardhur në ditët e sotme ku Kosova tashmë është një shtet i pavarur dhe sovran e i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se njëqind shtete. Shtetësia e Kosovës hapi rrugë për paqe në Ballkanin perëndimor edhe pse Serbia si shtet i gjenocidit, i masakrave ende po jeton me iluzionin e rikthimit të një mentaliteti çfarë kishte Millosheviqi për Ballkanin. Nga ngjarjet që rodhën kohëve të fundit si burgosja e Ramush Haradinajt, tentimi për futjen e trenit rus dhe vendosja e murit në pjesën veriore të Mitrovicës janë sinjale mbase të qarta që politika e Beogradit nuk ka ndryshuar në esencë nga koha e Millosheviqit por vetëm deklarativisht për treguar kinse Beogradi mbështet parimet demokratike dhe dialogun si zgjidhje të problemeve. Nuk duhet harruar se shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete dhe kjo ndarje nuk ka ardhur me dëshirën e tyre. Kompozimet e përfolura kohëve të fundit nga politikanë dhe analistë të ndryshëm vetëm sa hapin “Kutinë e Pandorës”. Hapja e “Kutisë së Pandorës” nuk paraqet interes momental të Ballkanit por as për synimet e një Evropë demokratike dhe të pa kufijë. Prandaj deklarimet e pamatura politike sidomos të asaj serbe vetëm sa mund ta kthejnë Serbinë në pashallëkun e Beogradit. Kosova nuk i ngjanë më viteve `90 e këtej. Tani më shteti i ka kapacitetet e plota institucionale dhe si të tillë mentaliteti evropian e në këtë harmoni ai amerikan nuk e duron tensionimin e situatës dhe fërkimeve të reja në Ballkan. Debati rreth ndryshimeve të kufijve duhet lënë kohës ku Shqipëria dhe Kosova si dy shtete duhet të jenë pjesë e një Evropë të bashkuar ku qëllim kryesor kanë zhvillimin ekonomik, demokracinë e brendshme dhe komunikimin e drejtpërdrejt me të gjithë miqtë dhe aleatët ndërkombëtar. Shqiptarët pa dallim ku jetojnë kanë ndryshuar shumë si në aspektin e menaxhimit të politikave me ndërkombëtarët po ashtu edhe me krijimin e miqësive të reja në koherencë me zhvillimet botërore. Ka kaluar koha e shovinizmit në Ballkanin e trazuar. Cili do që tenton të tërheqë një vertikale duke luajtur me zjarrin përgjegjësia do të bie mbi të dhe fundi do të jetë i baraspeshuar me izolim nga Evropa dhe ShBA-të. Kosova si shtet i ri ka treguar maturi edhe në raport me shtetin serb i cili provokimet s`i ka ndalur pothuajse për 18 vite rresht. Megjithatë logjika diplomatike e institucioneve dhe lidershipit të Kosovës ka qenë pragmatike dhe në një vijë me politikat euro-amerikane. Harta ballkanike ka qenë e ekspozuar për decenie të shumta me tendencën për t`u ndryshuar dhe përshtatur interesave të shtetit serb. Kjo nuk është arritur asnjëherë ngase demokracia dhe zhvillimi i shteteve nuk ka lejuar ekspansion dhe shfrenim të politikës shoveniste serbe. Mbi këtë bazë kanë triumfuar idetë iluministe, idetë e shekullit evropian dhe kështu është përmbyllë historia e vuajtjeve të popujve nën diktatura çfarë edhe sot ende jeton serbia. Pak para vdekjes strategu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i Luftës së Kaçanikut dhe luftës ballkanike i vitit 1912 theksonte; ”Tane jeten u mundova me ba Shqipni, por zor qenka, bre…”. Idriz Seferi kolosi i Karadakut e përtej Karadakut i tanë Kosovës mbylli sytë pa e parë Shqipërinë e bashkuar dhe vdiq me amanetin që u përdorë decenie për decenie. Unë sot gjindem pranë bustit të Idriz Seferit në Zhegrën e Gjilanit dhe duket se më shikon në sy!

You Might Also Like