Libri

Tregimet e Muhamet Halilit me stil tërheqës që kanë përsosje rrëfimesh të kënaqshme të bukura dhe me sharmë

Shkruan: Femi Halimi

/Muhamet HALILI – shkrimtar.  Botimet – Përmbledhjet me tregime: Fundi i Heshtjes, -2014,  Djersa e Gurit, -2015,  Një emër nga Letërnjoftimi. –Tani, 2022. Mban Portalin e Lajmeve 2LONLINE.com, tanimë të afirmuar/

Muhamet  Halili, pronar drejtues i Portalit 2LONLINE, ka kohë që edhe boton libra me tregime. Këto ditë nxori nga shtypi librin e tretë me tregime –Një Emër nga Letërnjoftimi, shtypur nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” në Gjilan. Ky është libri i tij i tretë me tregime, në vazhdimësi dhe përsiatje rrotull një teme të përjetshme të njeriut tonë të këtij vendi këtu, po edhe të atij të shkepur nëpër botë.

Gjuha dhe stili i ligjërimit të autorit janë në shërbim të bartjes mitike mbinatyrore të porosisë, që është natyra tjetër e Lajmit, e që vjen me përsëritje tregimesh, sa ka mundësi kuptimi të njeriut tonë tani. Këto tregime që përbëjnë një tufë të këndshme rrëfimesh me stil tërheqës, në tregime të shkurtë, sa dy –tri skica për të thënë. Me rëndësi është tregimi përbrenda, që nuk është në varësi me gjatësinë e formës, kësaj të dukshmes, por që autori fuqishëm e nxjerr në dukje tok me nevojën tonë kolektive për një rrugë që duhet ta ecim.

Butësia e tekstit dhe mënyra e përcjelljes së lutjes në ligjërim për kthim të njerëzve bën që tregimet të duken të lehtë dhe të thjeshtë tejet mase. Në të vërtetë në tërë shtrirjen e tregimeve hetohet, sikur nga largësi e madhe me teleskop, një njollë e dukshme drite në qiell të paarritshëm për jetë tonë, por që tregimi e mundëson këtë. Fuqia e artit në letërsi është absolute, prandaj arti në këtë është një me fuqinë e krijimit universal të logosit, të parit e të fundit, të gjithëpushtetshëm në gjithçka.

Letërsia tek ne ka arrit nivele të lakmueshme edhe në nivel botëror, anise jemi popull i vogël dhe me këtë edhe informata për neve në botë shkon gjithmonë e vogël. Mësimi dhe dituria por në fushën e artit letrar kanë edhe tek ne tanimë arritje të lakmueshme krahasuar edhe me arritjet në botë.

Edhe në këtë tekst të autorit Muhamet Halili ka një përsosje të rrëfimit të kënaqshme, me metodat letrare të teorisë së letërsisë dhe të artit. Ka mandej lidhje koherente me rrethanat e popullit tonë dhe kushtet në të cilat jeton e gjallëron populli ynë përballë dhe përkrah të tjerëve. Në diçka rrëfimi i këtij autori ngjan me idetë estetike njohëse të realistëve të mëdhenj të botës, po me disa ka ngjashmëri me romantikët. Në stil dhe përshkrim estetik ngjan shumë me Bodlerin në forma të simbolizmit. Ka ngjashmëri eseistike edhe me Oskar Vajldin anglez dhe me Enrik Maria Rilkën gjerman, në përzgjedhjen e temave dhe të përfundimeve gjykuese, që ngjajnë në realizëm por që kanë vazhdimësi tjetër arti të mbijetesës me dinjitet me çdo kusht.

Në përzgjedhjen e temave dhe në stile përshkrimesh subjektive i afrohet një përshkrimi teknik tek Filip Tomaso avangardist, po me zgjatje emotive dikund nga fundi i tregimeve edhe me Majakovskin, që këndonte, me qëllim të kalimit prej rrëfimit në këngë, që donte të thonte ngritje mbinatyrore të ngjarjeve, -gjegjësisht të personazheve, në dhembjet e tyre të ngushëllueshme vetëm nga autorët, si këta që dinin të këndonin plagët e heshtjet t’i bënin të dëgjueshme e të prekshme për të gjithë të gjallët.

Gotfrid Ben ishte ekspresionist, përfaqësues autoritativ i ekspresionizmit nga drejtimi modernist i kohës më të re, si dhe me dadaizëm postniçean, të mbiekzistencës në një hiq pa mundësi njohjeje të zgjidhjes a të shpresës, si që e përjetëson besimi shpresën e Shpëtimit nga Zoti. Mendimi niçean erdhi e gufoi në vendet urbane gjermane me shumicë, ku për kohë të gjatë kishte vlim e kaos ekonomik e tregtar por ku rriteshin mundësitë për fitime e jetë të njerëzishme, por ku humbej arsyeja njerëzore dhe ku njeriu i ri duhej të arratisej dosido, si që e shpjegoi më vonë Erik From tek libri “Arratisja nga liria”

Arratisja tek autori social kalon nga kuptimi normal i fjalës në kundërveprim, ku njeriu kupton se kishte dashur gabim dikënd që nuk e donte dashurinë e  respektin e tij dhe ku për më tepër konsiderohej ky që donte, armik dhe i denjë për ndjekje e zhdukje. Besimi se veprat e mira dhe dashuria e madhe na shpëtojnë dhe na japin paqë e njerëzi na mashtron në kohën më të re, sipas autorëve të drejtimeve postmoderniste dhe të simbolizmit që zëvendëson figurën dhe personazhin. Me këtë me kohë edhe rrëshqiti dadaizmi tek format sociale të ashpra dhe me radikalizmi politik banal të ideve deri në sëmtim, që u mbiquajt nadrealizëm.

Kjo mënyrë rrëfimi dhe mësimi më vonë u aplikua doracak i shpejtë për qëllime praktike në emër të një diçkaje si “psikoanalizë”, që më vonë me Frojdin, Xhojsin, e të tjerë, bënë përrallë gjithë mënyrën e deriatëhershme të rrëfimit dhe që bënë të mundshme kalimin nga rrëfimi real ideor e mësimor, artistik e me porosi njerëzore, -në një botë të errët të mungesës së plotë të dritës së lajmeve e esemesëve për shpirtin dhe zemrën.

Nuk kishte më kush kujtë t’i shkruante, -thuhej me simbolikë ironie në publikun e tronditur nga autorët e rinj, që psikoanalizën e vënin në vend të tregimit dhe diturinë e fshehtë në vend të asaj tradicionale të dukshme e të prekshme. Metodat e reja në art e letërsi u bënë një botë e tërë e protestës por që nuk kishte askush që të tregonte se a kishte shpresë për të dalë nga terri si dhe nuk pranoheshin këshillat dhe dituritë e shumë të diturve që tregonin për një udhë të vërtetë të drejtë që çonte drejtë çlirimit dhe lirisë.

Fromi e transmetoi me metodë sociologjike çlirimin dhe lirinë përmes arratisjes, mirëpo në domene të letërsisë mbetën drejtime të ndryshme, ku secili autor me metodë të lirë dhe me stil edhe më të lirë rrëfeu dhe rrëfen edhe sot e kësaj dite, sipas mendjes së vet, -rolin e artit letrar tek njeriu.

Me këtë edhe autori ynë i respektuar, Muhamet Halili, ka kohë që ecë një udhe të njohur më tani, të bartjes së tregimit deri tek lexuesi. Metodat dhe stilet me të cilat e bën këtë, janë bukuria e tregimeve, e ndërtimeve të brendshme të tyre, si dhe e rrëfimeve me sharmë, deri tek përfundimet që përmbajnë mësime për neve.

Roli i artit letrar është mu ky, -që nëpërmjet shëmbëlltyrës dhe simbolizimit, të na udhëzojë me zërin e ndërgjegjes dhe arsyes drejt një udhe të vërtetë jetësore e të çlirimit nga të këqijat e ngarkesat e kësaj bote, që na rëndojnë, sa të qëndrojmë ne indiferent ndaj tyre.

Gjithë shëmbëlltyra e tre librave më vjen në dukje tek tregimi në librin e fundit “Një emër nga letërnjoftimi”, -tregimi i parë i librit, -“Ëndrra e një sorre”!

Personazhet e këtij tregimi janë, -një profesor i kohës, një punëtor sigurimi në pushtetin e atëhershëm me shefin e vet, një fëmijë vajzë në adoleshencë, bijë e profesorit.

Punëtori i sigurimit portretizohet me fuqi pakufi të pushtetit, por që fuqizohet edhe më nga shefi i tij për vepra krimi –sepse ashtu ishte kushti për punë në atë shërbim atëherë, me theks ndaj popullit shqiptar. Ky entuziast i sigurimit shtetëror ka një thirrje në shërbim –“Cërni” –i ziu”, po që korrespondon larg me ngjarjen historike të Boro Vukmiroviqit që kishte po të njëjtën thirrje logo për punë e shërbim, po sepse ishte njëmend i zeshkët ai nga fytyra.

Dialogu në mes “Cërnit” e shefit tregon marrëdhëniet e shefit me shërbëtorin, që ishin aq të rënda, veçmas nga pikëpamja ndërnacionale, ku shërbëtori –që ishte shqiptar, -duhej të ruante serbët me çdo kusht dhe të dëmtonte shqiptarët, sepse ajo ishte politikë afatgjate, -për heqjen e popullatës shqiptare nga këto toka të tij. Sigurimci i ri e dinte por heshtëte sepse kishte nevojë për punë dhe për jetë të mirë, anise ishte edhe ai shqiptar, sikur ata që do të dëmtonte prishte, me kërkesë të armikut të tij, që e kishte për çastin shef dhe të vetin!…

Këto marrëdhënie i përkujton autori në tregim por pa i përmendë, pasi i konsideron banale dhe të panevojshme për pjesë të tregimit. Thjeshtë, tregimi fikson një rast të tillë dhe përfundimin, i cili është paksa realist, për dallim nga rrëfimi eseistik. Një tregim por ky, ka strukturë mjaft të rregullt dhe pasuri artistike të lakmueshme. Autori e nxjerr nga errësira dhe e fikson këtë ngjarje të trishtë, që është në psikën dhe kujtimin e çdo shqiptari në këtë anë, në cilëndo pozitë të ketë qenë ato kohë. Edhe niveli artistik i ndërtimit është mjaft i kënaqshëm. Çdo anë e tregimit ka matje të saktë dhe pjesët kanë marrëdhënie të barabartë në mes vete deri në përfundim.

Dimenzionet e karaktereve dhe fuqia e tyre në këtë libër  në krahasim me personazhet e autorëve botërorë mund të bëhen nëpërmjet krahasimeve, që mundësojnë figurat.

Një personazh i Taras Bulbës ka dimensione miliona herë më shumë; një Perl Bak ndërton marrëdhëniet gjigante  diplomatike ndërmjet Kinës e SHBA –ve tek Toka e Egër; një Tolstoj me Luftën e Paqën mëson për luftën që nuk duhet të ndodhë kurrë; kurse një Ernesto Sabato na mëson tek “Tuneli” për dashurinë në Moshë të Shtyrë, që është e njëjtë sikur në rini, por që vret, që të dy personazhet, – jo për shkak të karaktereve dhe psikomave, por për shkak të moshës. Vrasjen e Marisë tek Tuneli i Sabatos zakonisht e paraqesin krim të piktorit, që ishte prototipi i vetë Sabatos, por autori në të vërtetë na mësoi se dashuria në moshë të shtyrë vret dhe ky le të jetë mësim nga autori sepse ai deshi kështu, që mbet edhe në përmasa botërore mësim dhe për çka edhe u bë i njohur Sabato në botë!

Autori ynë kështu, Muhamet Halili, ka ecur mjaft, e ka përshkuar kohë e jetë të vet në krijimtari, që është dhunti prej Zotit për njeriun, e që po të ishte i një kombi tjetër kahmot do të ishte i popullarizuar dhe milioner! Kështu them sepse tek të tjerët nëse një autor ka një shkrim me vlerë për shtyp, i pranohet dhe i paguhet shumë shtrenjtë, -për dallim këtu tek ne, ku një autor duhet me paratë e veta ta paguan shtypin, e ku për më tepër shumica e autorëve as nuk kanë me se të paguajnë, -kurse ku shtypjet bëhen nga donacionet e subvencionet komunale, ministrore, a nga ndonjë dashamir i rastit për dikend, zakonisht,  -por që kjo nuk qe kurrë dëshpërim për krijuesit tanë –dhe kjo është puna më e mira tek ne!..

I urojmë autorit botime të tjera dhe suksese në punë e në angazhim!

You Might Also Like