Shkruan: Enver Sadiku
KV Drita, ekipi nga Gjilani si asnjëherë më parë është menduar se sivjet do të shpallet kampion i Kosovës pas një çerek shekulli, gjë e cila nuk ndodhi, ngase në gjysmëfinale ekipi bardh e kaltër u mposht nga KV Peja me rezultat 0:3, andaj për titull kampioni duhet pritur ndonjë vit tjetër. KV Drita pas stinorit të rregullt startoi nga pozita e parë, të cilën e kishte siguruar shumë kohë më parë, por në garat e play-offit pas fitores së parë në Gjilan me rezultat 3:1 në sete ndaj Pejës, në dy ndeshjet vijuese pësoi me rezultat 0:3, njërën në Pejë e tjetrën në Gjilan, andaj eliminimi ishte i pashmangshëm.
Nëse kthehemi në kohë, herën e fundit kur KV Drita, ekipi i meshkujve ishte shpallur kampione, në stinorin 1997/1998, KV Drita deri te titulli kishte arritur nëpër një rrugëtim krejt ndryshe.
Me probleme të mëdha në organizim, por me një vullnet shumë të madh, KV Drita kishte hyrë në këtë kampionat. Fillimisht pa mjete financiare, por me një menaxhim të mirë në vazhdim, klubi nisi të këndellet për të bërë punë shumë të madhe në përgatitjet gjatë dimrit, ku ekipi i udhëhequr nga trajneri-lojtar, Bardhyl Ibrahimi dhe angazhimi i trajnerit Arben Maliqi, që përgatiti ekipin fizikisht, në pranverë ekipi gjatë tërë kohës shkonte duke arritur formën, për të hyrë në play-off nga pozita e katërt, ku do të ballafaqohej me Suhrekën e superpërforcuar dhe në fund KV Drita ngadhënjeu me rezultat të ngushtë 3:2, në një dramë që deri atëherë nuk ishte parë. KV Drita kishte bashkëdyzuar lojtarët me përvojë, ata të gjeneratës së mesme dhe të vrullit rinor, me një disiplinë të pashoqe, ekip që funksiononte si një familje.
Në finale, në ndeshjen e zhvilluar në sallën e Shkollës Fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë, KV Drita pati përballë Shpellën e Mermertë, në kohën kur ekipi bardh e kaltër kishte arritur kulmin e formës, që nuk i la ekipit kundërshtar asnjë rast për të vënë fitoren në pikëpyetje.
“Ekipi më i përgatitur i ligës, me lojtarë cilësorë të avancuar, me fizionomi të kristalizuar të lojës në të dy vijat e hapësirës vepruese”, kështu ishte cilësuar loja e Dritës nga njohësit e volejbollit.
Arben Bislimin, basketbollist të shndërruar në volejbollist, lojtarët kundërshtarë shtatlartë nuk arrinin t’a ndalnin. Lojtari, atëkoh veteranë, Faruk Brastovci, sillte siguri dhe motiv në formacion, Ramadan Krasniqi, lojtar që paralizonte sulmin e ekipit kundërshtar në mbrojte, e në sulm qëllonte sa me të djathtën e sa më të majtën, Bardhyl Ibrahimi që ishte edhe trajner edhe organizator i lojës që njihte secilin lojtar se si frymonte shërbente për mrekulli repartin sulmues, kërcyesin e pandalshëm, Arsim Qehaja, Driton Bajraliu, vëllai tij, Artoni e majtaku Florent Lenjani me vrullin e tyre rinor dhe të rinjtë Blerim Berisha, Lorik Iliazi e Gazmend Kërçeli, lojtarët që më pas u bënë pjesë e ekipit të parë Arben Matoshi, të të rinjëve, Besart Klaiqi dhe të vëllezërve Naim e Luzim Ahmeti që më pas ishin larguar nga Kosova dhe lojtarëve të gatshëm për t’u kyçur sa herë që duhej ishin këta kampionët e vitit 1988, kohë, kur Drita për herë të fundit ishte shpallur kampione.
Kjo gjeneratë, më pas mori të gjithë trofetë e mundshme, me ardhjen e lirisë fitoi edhe Kupën e Kosovës në Volejboll, të parin në lirie, sikurse që organizoi një lojë përshëndetëse për lojtarin e vet, Faruk Brestovci dhe kishte mposhtur edhe Reprezentacionin e Kosovës me rezultat 3:2 në sete./kryelajmi.com/.