Libri

Fjala e autorit Avni Rudaku në përurimin e librit “Përafërsisht”

 

 

Kur u shpik digitroni a kalkulatori, na vuri në panik. Nuk do të llogarisnim më nga mendja jonë. Kujtonim se do ta dobësonim kujtesën. S’patëm më nevojë për ta mësuar përmendësh as tabelën e shumëzimit në klasën e dytë fillore. Sidoqoftë, sot të gjithë e kemi të instaluar në celularin tonë dhe askush nuk shpreh frikë për kujtesën tonë që po mbledhim, zbresim, shumëzojmë, pjesëtojmë apo që e nxjerrim me shpejtësi përqindjen e një numri. Kur IBM-i e mundi Kasparovin, sërish na lindi frika. E mundi kompjuteri, mendjen e njeriut. Sërish me AlfaGo, me inteligjencë artificiale, në tëkërxhikin korean, kur e mundi kampionin e botës, Lu Che-n, sërish na kapi trishtimi. Intelegjenca artificiale fitoi kundrejt intelegjencës sonë natyrore. Njësoj shprehëm fundin e njeriut, me shpikjen e makinave të tjera dhe kujtuam se kur na hyri televizori në shtëpi, bashkë me të, na hyri edhe shejtani dhe ia kthyem “Mirëmbrëma”, spikeres së lajmeve, kur na përshëndeti në fillim të edicionit të lajmeve.

Poezitë që i kam shkruar në librin “Përafërsisht”, janë shprehje e një konstatimi me nxitim, me frikën e njerëzimit, pas zhvillimit të pabesueshëm, në shkallë të jashtëzakonshme, të inteligjencës artificiale, ku përmes saj, jo vetëm marrim informacione, krijojmë klone zërash, imazhesh e videosh, kemi partnerin tonë digjital ku shprehemi e komunikojmë, por edhe krijojmë poezi, drama, skenarë, novela, romane, dialogë, ese, rrëfime, tregime, piktura, vizatime, avatarë. Bëjmë analiza, krahasime, përgjithësime, sinteza, abstrahime, ngjashëm me pesë operacionet e të menduarit tonë njerëzor. Shkruajmë CV, letër reference, letër motivimi, letër rekomandimi, letra, postime, statuse, cicërima, seminare, artikuj shkencorë, citime, referenca, përmbajtje. Dhe ky është vetëm fillimi, kushedi deri ku do të shkojë inteligjenca artificiale nga përdorimi i gjerë njerëzor, duke krijuar përvoja të reja, sikur njerëzit, popujt e kombet?! Duket se sot, jemi në fundin e poezisë, fundin e autorit, shkrimtarit, dramaturgut, skenaristit, studiuesit, akademikut, profesorit, mësimdhënësit, edukatorit, fotografit, piktorit, kameramanit, regjisorit, recensentit, redaktorit, lektorit, korrektorit.

Për këtë çast promovimi, kam ndjenjën se libri “Përafërsisht”, është libri im i fundit me poezi. Duket për momentin, se nuk kam më vullnet, motiv, të shkruaj. Ashtu-kështu, poezia ka degraduar edhe para inteligjencës artificiale, duke gjuajtur rima kot, metafora kot, alegori kot, fjalë kot, vargje kot, hedhje e fjalëve pa asnjë renditje logjike as me mendim konkret, as me figura stilistike e figura letrare. Me tema të konsumuara, tituj të bajatshëm, kopertina libri pa kreativitet.

Që i bie pishman dhe botoj sërish libra me poezi, ju lutem më mirëkuptoni. Jam njeri, kam nevojë të shprehi brenga, shqetësime, britma, konflikte me veten, familjen, fqinjët, kolegët, shokët, shoqet, të shoqen, eprorët, menaxherët, vartësit, shoqërinë, komunën, partitë politike, pozitën, opozitën, liderët, qeveritë, shtetin, bashkësinë ndërkombëtare, botën, alienët, djajtë, engjujt, Zotin, njerëzimin, robotët, bombën atomike, çipat në tru, inteligjencën artificiale. Edhe dynerit duket sot, siç më thotë Migjeni, se i ka humbur lezeti, për shkak që nuk e pren më dynerxhiu, por e pren makina. Disi, duket se nuk e shijon njëjtë, pa u prerë dyneri, teksa e shohim duke u djersitur, vetë dynerxhiu. Për fund, falënderoj Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, për financimin e librit “Përafërsisht”, e cila përkundër kritikave të vazhdueshme të kësaj Qeverie dhe qeverive të mëhershme e të bindjes për vazhdimin e kritikave edhe për qeveritë e ardhshme, megjithatë, akoma po më përkrahin në ndonjë projekt individual.

You Might Also Like