Karrierën e nisi si fëmijë, për të fituar gjithçka që mund të fitohej në boks.
Gjenerata e artë e boksierëve gjilanas e kosovarë mblidhte mijëra adhurues të këtij sporti bujar, kurse jo vetëm në Kosovë e ish-Jugosllavi por edhe në të gjitha kontinentet boksierët kosovarë kishin bërë emër. Tashti, dy dekada më pas, ish-aset e dikurshëm po bëjnë përpjekje që t’i kthejnë namin këtij sporti, por dija e përvoja e shumë prej tyre ka ngelur vetëm në kujtesën e ish-boksierëve, të cilët do të mund të jepnin shumë për këtë sport.
Agim Latifi, mbetet emri më i njohur që ka dhënë boksi gjilanas. Kur ai kthen kujtesën para shumë viteve edhe tashti mendon se do të ishte bërë një atlet shumë i mirë, ngase ishte i shpejtë e i zhdërvjelltë, por vrulli prej një djaloshi të ri e shpuri në një sport krejt tjetër. Agimi ishte nxënës i Shkollës së Mesme, kur sapo kishte kaluar të pesëmbëdhjetat, kur bashkë me shokët e tij kishte shkuar tek ish-salla e sporteve “Partizani” dhe aty po ushtrohej boksi e Agimi u kyç menjëherë, por pa ia bërë me dije familjes. Shpesh kthehej në shtëpi me të ënjtura në fytyrë e me gërvishtje, por frika e madhe se familja do ta largojë nga boksi, kishte bërë që të gjej lloj-lloj arsyetimesh. Sekreti i tij nuk mundte të zgjaste përgjithmonë dhe kur familjarët e hetuan deshën t’a ndajnë nga boksi, por tashmë ai ishte thelluar në sportin bujar dhe ndonëse mezi kalonte 50 kilogramë, në vitin 1979 i kishte lutur të afërmit që së paku t’a lejojnë në meçin e parë zyrtarë. Agimi e dinte se ndoshta ky mund të jetë meçi i tij i fundit, andaj duhej luftuar, duhej mbushur mendjen të gjithëve se po lindte një kampion i ardhshëm, duhej bërë krenarë familjen, duhej mbetur në këtë sport, andaj dha gjithçka nga vetja, boksi mençur dhe korri fitoren e parë e mori përgëzime nga të gjithë.
Djaloshit që sapo kishte mbushur 16 vite, iu shtua vullneti, të gjithë në të shihnin talentin e jashtëzakonshëm, shihnin kampionin dhe e angazhuan të rregullt në ekipin e parë.
U desh të pritet që Agim Latifi të arrijë moshën e pjekurisë dhe si 18- vjeçar, në vitin 1980 u shpall kampion në shtetin e boksit, në ish-Jugosllavinë e dikurshme. Në të njëjtin vit, u arrit edhe medalja e parë ndërkombëtare, nënkampion i Ballkanit në turneun e mbajtur në Turqi. Largimi i përkohshëm nga boksi, ngase duhej përfunduar shërbimin ushtarak, Agimin e gjeti si bursist të KB Prishtina dhe pas kthimit nga ushtria, tashti në KB Prishtina ishte shtuar konkurrenca, andaj kaloi në ekipin e Banja Lukës, për t’u rikthyer pas një viti në Prishtinë për të zëvendësuar legjendën Mehmet Bogujevci.
Agim Latifi kujton këtë periudhë kur vetëm në kategorinë e tij kishte 5-6 konkurrentë në KB Prishtina, por ai ishte më i miri dhe në ekipin e kryeqytetit qëndroi deri atëherë kur u përzunë nga palestra më 1990.
Gjitha këto vite, ishin me plot rezultate, nënkampion i ish-Jugosllavisë, fitues në shumë turne ndërkombëtare, kupës botërore, kampion i Mesdheut më 1986/1987 në Latahi të Sirisë, kampion i Ballkanit e pjesëmarrës i shumë ngjarjeve të mëdha në boksin ndërkombëtar. Fanella e ish-Jugosllavisë në kategorinë velter, për shumë vite ishte e rezervuar për Agim Latifin.
Përzënia e boksierëve shqiptarë nga palestra e kishte goditur rëndë Agim Latifin, i cili si shumë shokë të tij kishte marrë rrugën e kurbetit, por nuk kaluan dy vite dhe ai sërish është kthyer në Kosovë, tashti për t’u kyçur në sportin e pavarur kosovar, duke u futur në rrethin e ngushtë në Federatën e Sporteve të Kosovës, duke dhënë kontributin e tij për një kohë të gjatë sidomos në sportet luftarake.
Edhe një largim nga Kosova më 1995 e dërgoi Agim Latifin në Belgjikë, ku qëndroi deri më 2010. Aty ai punoi me sportistë shqiptarë në klube futbolli, punoi një kohë të gjatë në kik boks, duke arritur shumë rezultate ndërkombëtare, por suksesin më të madh e arriti me belgen Daniela Sommers, e cila ishte shpallur kampione bote në boks.
Me t’u kthyer në Kosovë, Agim Latifi, nisi të ushtrojë biznes privat.
“Në Kosovë ka zhvillime në boks, por me keqardhje them se ai nuk është në nivelin e dikurshëm dhe nuk po ec në rrugën e mbarë”, thotë Agim Latifi, duke shtuar se fatkeqësisht në boks nuk janë të kyçur njerëzit meritorë, adekuatë e profesionistë e të cilën do të bënin shumë në të mirën e boksin kosovar. Sipas Agimit, grupet familjare, farefisnore dhe klanet që janë mbyllur dhe nuk po lejojnë njerëzit që kanë vullnet nuk janë në të mirën e boksit, duke thënë se ai vetë, kurdo dhe kudo është i gatshëm të kontribuojë, por thotë ta ketë prekur shumë një tubim i madh i ish-sportistëve të dikurshëm që patën sukses në botë, por që ai kishte munguar aty edhe pse e kishte vendin, sikurse që munguan edhe shumë aportistë të tjerë që pa dyshim kanë dhënë kontribut të madh.
Agimit i vije shumë keq që nuk po investohet në boks, si në qytete të tjera të Kosovës, ashtu edhe në Gjilan, ngase siç thotë ai, ka shumë talentë e interesim të madh, por se nuk ka përkrahje materiale të mjaftueshëm. “Me 2-3 boksierë nuk punohet e është koha e fundit që grupimet të lihen anash e qohet sporti përpara”, thotë Agim Latifi, sipas të cilit njerëzit meritorë duhet të jenë në sport dhe ai t’u lihet sportistëve.