MEHMETALI REXHEPI –
Shkrimtari Ramadan Mehmeti u lind në Livoç të Poshtëm të Gjilanit, më 20 shtator të vitit 1948. Studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Me shkrime letrare u mor që nga bankat e shkollës fillore. Shkroi dhe vijon të shkruaj pandërprerë, aq sa shkrimi letrar-artistik i është bërë vokacion jetësor. Shkrimet i botoi në të gjitha gazetat, revistat dhe portalet kulturore në gjuhën shqipe. Disa nga shkrimet e tija janë përkthyer në gjuhët e popujve fqinj.
Ramadan Mehmeti është editues i shtëpisë botuese “Rozafa” në Prishtinë.
Ky shkrimtar, si rrallë kush, etikën e jetës e të shkrimit i ka në përputhje të pakundërshtueshme.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.
*
Ramadan Mehmeti është njëri nga autorët tanë më të frytshëm e më prodhimtar. Ky autor dhe mik i librit, në letërsinë e tij i kultivoi të gjitha llojet dhe gjinitë e shkrimit letrar-artistik, si për moshën e të rriturve, ashtu dhe për fëmijë e të rinj.
Veprat e Ramadan Mehmetit janë të shumta dhe e pasurojnë letërsinë bashkëkohore shqipe, qoftë në pikëvështrimet tematike e për motivet e llojllojshme, qoftë për figuracionin e qëmtuar e të dendur poetik, për ideshmërinë, reflekset e tekstit e të nëntekstit artistik, për qëmtimet e gjetjet e shprehjes, për shtjellime interesante dhe të kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve.
Rasti solemn e krenar i aktit të dhurimit e të dorëzimit të një biblioteke personale Bibliotekës publike Rajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, e përtrollit figurën rrezatuese, njerëzore e kombëtare të Ramadan Mehmetit, edhe për shpirtin e tij solidar e bamirës për librin, si pronë personale e publike e lexuesit, e breza lexuesish për ta shënuar kohën me dëshmi të jetës artistike; për ta pasuruar dhe begatuar shqipen e shkruar, për të depërtuar në shpirtin e këtij populli, autokton, të lashtë e fatkeq, me virtyte dhe vese, me vlera e dobësi.
Intuita e shkrimtarit Ramadan Mehmeti është e mprehtë dhe depërtuese, sepse arrin të trajtojë subjekte me përmbajtje lirike, rrëfimtare dhe dramatike. Ajo hyn në aspektet e tragjikes sonë kombëtare e njerëzore, i rreket dramës sonë ekzistenciale, ecjeve të personazhit tonë zgripeve fundore, gjithnjë duke vënë në spikamë anët heroike dhe rëniet… Këto aspekte etike, etnike e njerëzore, në penën e këtij shkrimtari gjetën vullnetin, pasionin dhe shenjat identifikuese, për t`i shtjelluar e pasqyruar me të gjitha pleksjet e mozaikut jetësor, të një mjedisi shoqëror në të cilin paragjykimet, psikologjia e dogmave e të ideologjive kishin lënë plagë e vragë ende të pashëruara.
Le të pohojmë, se ky shkrimtar i sprovoi dy periudhat e shqip-shkrimit: periudhën e censurës e të auto-censurës dhe, periudhën e lirisë e të anarkisë së fjalës; teknikën e dorëshkrimit dhe të tastaturës kompjuterike.
Për letërsinë e Ramadan Mehmetit nga këndvështrime të ndryshme, kanë shkruar studiues e kritikë letrarë: kush për ndonjë vëllim poetik të veçantë, akëcilët për aspekte të veçanta të shkrimeve të tij për poezinë: recensione, vlerësime kritike dhe estetike.
Shkrimtari dhe kritiku, Prend Ndue Buzhala me rastin e 60 vjetorit të lindjes dhe 40 vjetorit të krijimtarisë letrare të poetit Ramadan Mehmeti, përgatiti dhe mbarështoi mendimin kritik për veprën letrare të këtij krijuesi, me titull mjeshtërisht të qëmtuar “Tekstament letrar”, botuar nga Shtëpia botuese “Rozafa”, në Prishtinë, më 2008. Vargu i kritikëve, studiuesve e shkrimtarëve të shumtë, si: Ibrahim Rugova, Azem Shkreli, Beqir Musliu, Faik Shkodra, Emin Kabashi, Mehmet Kraja, Petrit Palushi, Sali Bashota, Anton Nikë Berisha,Ramadan Musliu, Ragip Sylaj, Mehmetali Rexhepi, Abdullah Konusheci dhe mbi njëzet e ca të tjerë, i bënë nder këtij autori dhe trashëgimisë tij artistike.
Le të na falë Ramadan Mehmeti, ngase kjo qasje përgjithësuese për një shkrimtar me mbi gjysmë shekulli krijimtarie të pandërprerë, përkushtimin tonë duhej ta kishte më shumë se kaq, një nder e respekt të posaçëm, të cilin padyshim e meriton ky shkrim-qëmtues yni i letrave.
*
Ramadan Mehmeti, sikurse ndokush prej nesh, kishte një yll letrar, model antologjik, Beqir Musliun. Çasteve të fundit të jetës lëndore të Beqës, Dani, të cilin Beqa e quante “Ramo”, iu gjend pranë. Ndikimi i Beqës tek Ramadan Mehmeti dhe tek të tjerë penë-shkrues ishte ndikim i një modeli krijues, jo për ta përsërit dhe imituar, por për ta ndjekur, sepse Beqir Musliu ishte dhe mbeti krijuesi unikët, i papërsëritshëm në letrat e shkrimit shqip.
Në periudhën e shkrimeve më të reja, pos tjerash, Ramadan Mehmeti e kultivon ndjeshëm, me një kurs risie prozën poetike. Leximi i prozave të tija poetike rezulton me sjellje të shijes artistike tek lexuesit. Trajtat e gërshetimit të lirikës me dromca të pakta të rrëfimit prozaik, zgjojnë kureshtje për lexim të këndshëm. Le të shkëpusim një fragment nga kjo tipologji e shkrimit të tillë poetik:
“Nuk mashtrohet dot Letra e Bardhë.
Kot, trillohet se hidhet diçka në të,
Secila pore e jetës rënkon për një faqe tekst.
Malli është akoma dhe më i madh. Përvëlon dejtë e shpirtit.
Edhe rrënjët e shelgut e flokët e mbetur telave me gjemba.
Nuk i shihni, cilët janë flamujt e lirisë që nuk erdhi për ne?…
( Letra e Bardhë)
Ky fragment shkëputur nga proza poetike e lart-cituar, shpërfaq një lloj mllefi, zhgënjimi e proteste (po)etike të Ramadan Mehmetit për burgosjen e lirisë, për çartjen e caqeve të saj. Në poezinë e kësaj tipologjie hasim dendur margaritarë të këtillë të zhgënjimit dhe shpresës njerëzore.
Në këtë mënyrë, pas këtij nderi që i bëri lexuesit e bibliotekës së Gjilanit, vendlindjes së tij, Zejnullah Halili thoshte: “Vendlindja duhet me zemër”, shkrimtari Ramadan Mehmeti nderoi lexuesin dhe kulturën tonë të leximit, së cilës i dëshirojmë zgjerim, vullnet dhe rritje të shëndetshme!
Mbarësi për shkrimtarin, lexuesit dhe bibliotekën!
Gjilan , më 12 prill 2018