Libri

Analizë veprës “Stançiqi i Karadakut” të autorit Rahim Azemi

  Shkruan: Albin Halimi

Rahim Azemi është njëri nga personalitetet e shquara të kulturës dhe arsimit në rajonin e Gjilanit. Ka qenë ligjërues i filozofisë për vite me radhë në gjimnazin “Zenel Hajdini” dhe një kontribuues i madh në zhvillimet socio/politike të paraluftës në kërkim të të drejtave dhe lirive të popullit shqiptar, për t’u burgosur politikisht si pasojë e kërkesave sistematike e stoike në dobi të vendit dhe shoqërisë. Është autor i disa monografive të cilat shquajnë një qasje tejet produktive dhe efikase në shpalosjen e të kaluarës sonë shoqërore dhe përjetimet personale në relacion me zhvillimet e përgjithshme siç paraqiten në veprën “Letrat pa përgjigje”.

prof. Rahim Azemi

Profesor Rahim Azemi prej kohësh ka dokumentuar një stil unik në trajtimin e fenomeneve shoqërore dhe historike duke potencuar një perspektivë filozofike të gjykimit të vlerave dhe proceseve. Së fundmi në monografinë “Stançiqi i Karadakut”, autori Rahim Azemi na ofron një mori informacionesh brenda kësaj vepre që në vetvete ngërthen të gjitha aspektet e sferat e jetës njerëzore në zonën e Karadakut. Autori duke qenë njohës shumë i mirë i kulturës shpirtërore, traditës dhe historikut të zhvillimeve politiko-shoqërore i afirmon dhe i specifikon në mënyrën se si janë manifestuar këto pjesë të caktuara në territorin të Kosovës. Autori ka aplikuar dhe ka ditur shumë mirë të ndërtojë narracionin kohë dhe hapësirë në këtë tekst monografik. Përtej temës bazë të kësaj monografie që është temë bosht fshati Stançiq; aty janë paraqitur në mënyrë episodike e fragmentare edhe interpretime shumë të rëndësishme për gjithë rajonin e Karadakut. Në periudha të ndryshme kohore bëhen ndërlidhjet mjaftë të sakta të ngjarjeve në aspektin kronologjik.

Duke filluar nga pjesa kryesore e historisë që shpeshherë determinohet nga politika, autori ka prekur edhe shumë dimensione tjera të rëndësishme siç janë: kultura, toponimia, religjioni, ekonomia dhe jeta sociale e njerëzve. Më e rëndësishmja është që përmes sociales dhe religjiozes ka shpjeguar shumë zhvillime shoqëroro-politike që e kanë karakterizuar zonën në rrjedhat jo të lehta të historisë, siç thekson vet autori. ​​​​​​​​​​Në tërësi larmia e metodave që përdoren me efikasitet dhe rezultat pozitiv janë një vlerë e shtuar për librin ngase autori nuk kanonizohet në ngushtimin e asaj jete por atë mundohet ta paraqesë në sa më shumë dimensione jetësore sepse autori është i vetëdijëshëm për rezultatet e përcaktuara studimore. Rahim Azemi brenda veprës realizon paralelisht zhvillimet lokale dhe ndikimin universal, duke thyer konceptimin provincial dhe duke e zhvendosur problemin si preokupim njerëzor. Autori jetën dhe zhvillimet historike në malësinë e Karadakut tipikisht fshatin Stançiq e paraqet në tri pamje; e para është ajo filozofike në të cilën njeriun e zhveshë nga çdo etiketë dhe dallim duke e vendosur në gjitha format e përjetimit të jetës të vdekjes të gëzimit, organizimit të jetës pragmatike dhe shoqërore. Në radhë të dytë pamjen sociale e afirmon traditën dhe rrjedhën e jetës në bazë të kodeve dhe dokeve zakonore si në rastin e paraqitjes së; dasmës, mortit dhe besimit religjioz, dhe organizimit politik e human. Pamja e tretë është ajo psikologjike që lexon personat dhe veçoritë e karaktereve të tyre duku e ilustruar elemente nga vetëdija personale deri tek ndërdija kolektive. Historia orale si zhanër i veçantë i shkrimit të historisë është shumë i nevojshëm për shkrimin e monografive të tilla. Shumë fenomene të pashkruara në dokumente arkivore e libra historikë që kanë të bëjnë me çështje sociale, religjioze e të tjera, autori ka arritur të nxjerrë përmes rrëfimeve të ndryshme nga personat e implikuar direkt ose indirekt në këto ngjarje historike. ​Element tjetër shumë i rëndësishëm që e hasim në këtë vepër është pjesa statistikore. Statistikat janë shumë të rëndësishme sepse na ndihmojnë të kuptojmë qartë pjesën e pronave, strukturën e popullsisë, strukturën gjinore, shkollimin, etj. Duke qenë se autori ka mbaruar studimet pedagogjike, elementet psiko-historike i hasim në trajtimin e figurave të fshatit, por edhe rajonit. Psiko-historia duke qenë shumë e rëndësishme gjithashtu është një zhanër mjaftë i vështirë për t’u shkruar, e që në jo pak raste në këtë vepër e hasim, sikurse tek rasti i pleqnarëve të fshatit, veçojmë këtu Adem Stançiqin.​​​​​​​​ Thuajse në të gjitha luftërat e shekullit XX gjejmë pjesëmarrës nga zona e Karadakut. Në vepër janë evidentuar luftëtar nga kjo zonë qysh prej Betejës së Çanakalasë në Luftën e Parë Botërore (1915), duke vazhduar me ripushtimin e vitit 1918, ndikimin e Lëvizjes Kaçake në pjesën e Karadakut, Luftën e Dytë Botërore, Tivarin, Luftën e UÇK-së, UÇPMB-së, etj. Në mënyrë argumentative janë paraqitur pjesëmarrësit në këto beteja e luftëra dhe kontributi i tyre në rezultatet e secilës prej tyre. Në këtë pjesë kemi një mbështetje me literaturë adekuate shkencore.

You Might Also Like