Shkruan: Valentina Bunjaku – Rexhepi
Arsimi shqip në vitet e 90-ta, s’do mend se ishte nga shtyllat kryesore të rezistencës së popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, dhe si e tillë, edhe sot, akoma shoqëria kosovare nuk i ka dhënë vendin e merituar kësaj rezistence – e cila për mendimin tonë, në esencë është rezistencë paqësore, përkatësisht rezistencë rugoviste.
Një sistem i tërë paralel i ngritur në mbijetesën e popullit të Kosovës, shkolla shqipe në vitet e 90-ta, e në veçanti punonjësit e arsimit sikur dhe familjarët që rrezikuan jetën e tyre duke lëshuar shtëpitë për shkolla, ka bërë që populli i Kosovës ta kishte shtyllën kryesore të qëndresës së vet, për të derivuar më pas edhe rezistencën në rrugë të tjera, deri në atë të luftës së UÇK-së, e cila filloi luftën e armatosur për çlirimin e vendit.
Si mund të mendohet rezistenca jonë, mbështetja ndërkombëtare për Kosovën në ato vite të vështira, pa organizimin e shkollës shqipe?! Edhe pesimistët më të mëdhenj e besojnë dhe e pranojnë se arsimi shqip në vitet e okupimit ka determinuar qëndresën dhe mobilizimin e përgjithshëm të popullit, për të qëndruar në trojet e veta, përkundër represionit dhe dhunës së pushtetit serb të instaluar në Kosovë. Unë jam shumë e lumtur, që në cilësinë e deputetes së Parlamentit të Kosovës dhe të Komisionit për Arsim, kam dhënë kontributin për të ndihmuar që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ta përfundojë Projekligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, i cili shumë shpejt pritet të kalojë edhe procedurat e tjera në Kuvend. Përkundër problemeve të mëdha buxhetore dhe zërave se ky ligj mund të ketë implikime buxhetore, unë dua të shpreh mbështetjen dhe të kërkojë mirëkuptimin e të gjithë faktorëve relevantë të shoqërisë kosovare, se ky ligj duhet të aprovohet dhe të jetësohet, gjithnjë në vlerësimin e punës së atyre burrave dhe grave që mbajtën gjallë kauzën e arsimit, si armën kryesore të kauzës kombëtare në ato vite.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, janë rreth 22 mijë mësimdhënës të asaj kohe në të gjitha nivelet, dhe rreth 3 mijë e 200 pronarë që kanë liruar shtëpitë e tyre, dhe një numër i madh kontribuesish të tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre për të mbajtur gjallë arsimin shqip në këtë periudhë. Si deputete e Parlamentit të Kosovës, unë radhitem nga ata qytetarë të vendit që, vitet e 90-ta i konsiderojmë si vitet më të shenjta të arsimit shqip, periudhë kjo, kur po vihej në pikëpyetje çdo gjë shqipe në Kosovë.
Mësimdhënësit mbeten luftëtarët e parë që nisen të vënë themelet e para për shtetësinë e Kosovës. Dhe kjo rezistencë paqësore sikur pasqyron më së miri tharmin dhe frymën e një lëvizjeje pacifiste që ndërtoi dhe mbarështoi ideatori saj, presidenti Ibrahim Rugova.
Të njohësh meritat e arsimit shqip të viteve të 90-ta, është të rikonfirmosh edhe vlerat dhe flijimin sublim që bënë më pas ushtarët dhe heronjtë e UÇK-së, pa vlerat e të cilëve sot s’do jetonim të lirë nën këtë qiell të bukur të lirisë së Republikës së Kosoves!
Foto e paraqitur në këtë shkrim është protesta në shenjë solidarizimi me Drenicën dhe kundër dhunës, e cila tregon edhe mobilizimin e përgjithshëm të secilit prej nesh në vitet e ’90-ta dhe prej më meritorëve, ishin sidomos edhe mësimdhënësit!