Gjilan, 8 shkurt 2018 – Nën udhëheqjen e kryesuesit të bordit të Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Lindje, Lutfi Haziri, njëherësh kryetar I Komunës së Gjilanit, është mbajtur sot Kuvendit i punës, i pari për këtë vit, ku kanë marrë pjesë edhe drejtoresha e këtij agjencioni, Valbona Tahiri, kryetarët e 11 komunave të rregjionit dhe përfaqësues të Ministrisë për Zhvillim Rajonal.
Nga ky Kuvend i punës, ka dalë deklaratë e përbashkët, ku kërkohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria për Zhvillim Rajonal mbështetjen financiare për vazhdimësinë e funksionimit të kësaj Agjencie.
Ja deklarata e plotë e nënshkruar nga 11 kryetarët e komunave, që janë pjesë e Bordit të AZHR Lindje:
“Deklaratë e përbashkët e Kuvendit të AZhR Lindje
Në emër të anëtarëve te Kuvendit të Agjencisë për Zhvillim Rajonal (AZhR) Lindje bazuar në statutin e AZHR Lindje, si dhe duke patur parasysh themelimin e Ministrisë për Zhvillim Rajonal nga qeveria e Kosovës, kërkojmë përkrahjen nga kjo Ministri dhe Zyrja e BE-s në Kosovë për të mbështetur financiarisht vazhdimësinë e funksionimit të kësaj Agjencie.
Kuvendi i AZhR Lindje adreson këtë kërkesë të përbashkët bazuar në:
• Përvojën dhe ekspertizën sa i përket identifikimit, përgatitjes, zbatimit dhe monitorimit të projekteve të financuara nga BE për të gjithë përfituesit (komunat, komuniteti i biznesit dhe OJQ), donatorë tjerë dhe qeveria e Kosovës
• AZhR lindje është dëshmuar si partner strategjik në zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të rajonit Lindje
• AZhR-në e konsiderojmë si institucionin e vetëm kyç në nivel rajoni sa i përket koordinimit në mes të komunave në hartimin dhe zbatimin e projekteve me rëndësi rajonale dhe zhvillimore si dhe të ndihmoj në tërheqjen e investitorëve të huaj
• Kuvendi i AZhR Lindje konsideron se AZhR Lindje mund të jetë institucion për përmbushjen e objektivave dhe qëllimit të përgjithshëm të MZHR në nivel rajonal
• Kuvendi i AZHR Lindje konfirmon gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen financiare në formë të bashkë-financimit bazuar në Marrëveshjen Ndër-Komunale dhe aktet tjera ligjore. Bashkë-financimi i komunave aktualisht është gjithsej 28,430.00 euro në vit. Komunat themeluese të AZhR Lindje do të shqyrtojnë mundësinë e rritjes së bashkë-financimit varësisht nga zgjidhjet eventuale sa i përket financimit të mëtejmë të tyre nga fondet e IPA-s (BE) dhe/ose Qeveria e Kosovës”.