Gjilan

ÇLIRIMI I GJILANIT NË KRYENGRITJEN E PËRGJITHSHME TË VITIT 1912

Dr. Enver Sadiku

Kryengritja që morri hov në muajin korrik bëri që të çlirohen qytete të tëra, kurse në Prishtinë u mblodh paria shqiptare, e cila i dërgoi sulltanit e senatit kërkesën për ndërrimin e ministrave, shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Qeveria osmane ndërmori masa për pengimin e kryengritjes, por ato nuk dhanë rezultat. Në këtë kohë Perandoria Osmane ishte në luftë edhe me Italinë, andaj qeveria xhonturke u detyrua të jepte dorëheqje. Me krijimin e qeverisë së re, që kryesohej nga Ahmet Muhtar Pasha u dhanë zotimet se do të zbatohej kushtetuta e qeveria e re ndër detyrat e para pati edhe qetësimin e gjendjes në Shqipëri si dhe dhënies fund kryengritjes të asaj kohe  të shqiptarëve.[1] Edhe në Kazanë e Gjilanit, përfaqësuesit e pushtetit osman bënë përpjekje që këtë pjesë ta mbanin të shmangur nga zonat tjera të luftës, por drejtuesit popullorë të Lëvizjes Kombëtare të kësaj ane në krye me Idriz Seferin, Bejtullah Agën, Sali Agën e atdhetarë të tjerë ishin në kontakt me krerët kryesorë të Kryengritjes së Përgjithshme, andaj flakën e kryengritjes e përcollën edhe në këto anë.[2]

Në muajin korrik, një çetë kryengritësish e përbërë prej 15 vetave kishte marrë detyrën dhe kishte vizituar çdo fshat, ku i bënte thirrje fshatarëve që të hidheshin në revoltë masive. Kah mesi i muajit korrik në Gjilan u mblodhën krerët e Lëvizjes Kombëtare nga 38 fshatra të kazasë, duke realizuar dy mbledhje[3]

Më 26 korrik 1912,  nën drejtimin e Bjetullah Beut, Sali Agës dhe Ahmet Agës, të cilëve iu kishin bashkuar edhe disa xhandarë, në afërsi të Gjilanit kishin arritur rreth 300 kryengritës nga Kriva Reka dhe Morava e Poshtme. Në mbrëmje ata u futën në qytet pa qenë të rezistuar nga ana e forcave osmane që në përbërje prej 600 vetash ishin mbyllur brenda kazermës ushtarake. Të nesërmen në Gjilan kishte hyrë një grup tjetër kryengritësish prej 500 vetash nga rrethet e Shkupit, Kumanovës dhe Preshevës, që udhëhiqeshin nga Menduh Beu, i biri i Jashar Pashës së Shkupit. Kështu, në Gjilan tashmë ndodheshin rreth 2000 kryengritës, ndërsa 2000 të tjerë qëndronin në rrethinën e tij. Idriz Seferi, që po qëndronte jashtë qytetit së bashku me bashkëluftëtarët e tij, u ndesh me forcat osmane të dërguara nga Shkupi dhe Kumanova, të cilat i mundi e pas kësaj fitoreje, më 28 korrik 1912, ai hyri në Gjilan së bashkë me 2000 kryengritës, të cilët u pritën nga populli në mënyrë madhështore.[4] Se kryengritësit shqiptarë u futën në Gjilan e  konfirmon edhe konsulli francez në Shkup, P. Karlie më 31 korrik 1912, sipas të cilit kryengritësit hynë në Gjilan më 28 korrik 1912.[5]

Për hyrjen e forcave shqiptare në Gjilan, kryekonsulli i mbretërisë së Serbisë në Shkup, P. Gavrilloviq, njoftonte ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Serbisë, Millovan Millovanoviq, se shqiptarët kanë hyrë në Gjilan dhe se me ta është Idriz Seferi. Ai njoftonte se kryengritësit vepruan njëjtë, ashtu siç kishin bërë në Prishtinë, se hapën dyert e burgut për të gjithë të dënuarit dhe rrëmbyen pushkët shtetërore.[6]

Për luftën që kishin bërë shqiptarët e këtyre anëve të prirë nga Idriz Seferi e të tjerë, koloneli Mokrop, atashe ushtarak në Ambasadën e Francës në Stamboll, i kishte shkruar ministrit të luftës të Francës se në krahinën e Gjilanit, bajraktari i famshëm Idriz Seferi u shkaktoi dështime të shumta trupave të rregullta, në ndihmë të të cilave u desh të dërgohen (me anë të hekurudhës Shkup – Kumanovë) disa bateri dhe më vonë disa batalione.[7] Në këto anë u shtuan edhe dezertimet e xhandarëve osmanë, shumica prej të cilëve kishin kaluar në anën e kryengritësve.[8]

Kontributi i krerëve të Gjilanit në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 ishte i madh. Ata në vazhdimësi bashkëpunuan me drejtues të tjerë të kryengritjes, i ndihmuan të gjitha zonat me vullnetarë, shfaqën revoltën e hapur ndaj regjimit xhonturk, morën pjesë në çlirimin e qyteteve të Vilajetit të Kosovës, luftuan forcat osmane, sidomos në Grykën e Kaçanikut si pikë strategjike për paralizimin e tyre, morën pjesë në bisedimet e zhvilluara me Komisionin Qeveritar, ku përkrahën programin e kryengritjes, e shndërruan Gjilanin me rrethinë në çerdhe për kryengritësit e kryengritësit nga Gjilani morën pjesë në çlirimin e Shkupit. “Roli dhe kontributi i Gjilanit në Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare Kundërosmane të vitit 1912 është i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.”[9] Pasi kryengritësit kishin ngadhënjyer, ata në Gjilan formuan organe vendase që udhëhiqnin pushtetin. U formua Komisioni – Këshilli Popullor, i cili udhëhiqej nga Idriz Seferi. Organet e pushtetit osman, si kajmekami dhe organet ushtarake, kishin vetëm prezencë formale, e shumica e tyre ishin larguar dhe strehuar në Shkup.[10] Konsulli i Francës në Shkup e njoftonte Parisin se administrata civile e Vilajetit të Kosovës, e cila siç vlerësonte ai, asnjëherë nuk kishte qenë në rregull, tashti ndodhet në një gjendje tërësisht arkaike. Ai njoftonte se me nisjen e valiut për në Shqipërinë e veriut, rreth një muaj më parë, administrata iu besua kadiut, i cili nuk e pranoi, gjë të cilën nuk e pranoi as mektubxhiu. Këto funksione iu kaluan defterdarit dhe gjeneralit Said Beu, por që të dy refuzuan e së fundit iu drejtuan shefit të policisë së Vilajetit, i cili pranoi. Konsulli francez në Shkup shkruante se anarkia mbretëron edhe në drejtësi, se kishte luftime mes kryengritësve dhe trupave një orë larg Prishtinës dhe se si pasojë e këtyre incidenteve, u desh që urgjent në Prishtinë të kthehej valiu, i cili ndodhej në Kazanë e Gjilanit, ku acarimi është tepër i madh dhe ku një çetë shqiptarësh prej 15 vetash u bie kryq e tërthor fshatrave, duke bërë thirrje për revoltë.[11]

Në Gjilan, pushteti osman ishte zëvendësuar nga vendorët. Sali Aga që udhëhiqte një çetë të kryengritësve e kishte urdhëruar mydyrin e Moravës së Epërme dhe kajmekamin e Gjilanit, që brenda 48 orëve t’a lëshojnë qytetin. Atyre nuk u bënë punë as forcat që grumbulluan e as ato të  ardhura nga Prishtina, ngase nuk patën guxim të ndërmarrin ndonjë sulm ndaj kryengritësve. Edhe në bazë të shënimeve të shtypit të kohës si dhe korrespodencës serbe, mësohet se Idriz Seferi me disa prijës të tjerë kanë pushtetin në Gjilan e rrethinë. Ata vendosin për çdo gjë dhe të gjithë u drejtohen atyre, si shqiptarët ashtu edhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera.[12]

Forcat kryengritëse më 27 korrik e çliruan edhe Bujanocin e veprimet luftarake të kryengritësve u ndërprenë, ngase kryengritësit ishin ftuar për bisedime me një delegacion qeveritar osman, i dërguar nga qeveria e re që drejtohej nga Ahmet Muhtar Pasha.[13] Ky komision kishte arritur në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, në Shkup më 27 korrik 1912, në përbërje të të cilit ishin Sylejman Pasha, Danish Efendiu dhe Avni Bej Gjilani. Në të njëjtën ditë, në Prishtinë u mblodhën edhe krerët shqiptarë, të cilët kishin kërkesë shpërndarjen e parlamentit.[14] Konsulli i Francës në Shkup raportonte se pritja që iu bë komisionit në Prishtinë ishte mjaftë e ftohtë.[15] Kërkesa e prijësve shqiptarë për shpërndarjen e parlamentit nuk u pranua nga komisioni osman. Bisedimet u ndërprenë më 29 korrik. Krerët shqiptarë, nga Prishtina i dërguan sulltanit një ultimatum, duke kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe kërcënuan se nëse shpërndarja e parlamentit nuk bëhet brenda 48 orëve, ata do të vazhdojnë marshimin. Bisedimet rifilluan me ardhjen në Prishtinë të Ibrahim Pashës, më 1 gusht. Hasan Prishtina paraqiti kërkesat e shqiptarëve ndër të cilat kërkohej që në trojet shqiptare të vendosen nëpunës që dinë gjuhën dhe zakonet e vendit, që të rinjtë shqiptarë të kryejnë shërbimin ushtarak në trojet shqiptare, të hapen shkolla në gjuhën amtare, që të shpallet amnistia e t’u kompensohen dëmet  atyre që u janë dëmtuar shtëpitë dhe që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë.[16] Këto kërkesa, nga udhëheqësi i komisionit qeveritar osman u cilësuan të papranueshme dhe si një hap për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane.[17]

Pasi ka dështuar marrëveshja me komisionin qeveritar osman, Kryengritja e Përgjithshme vazhdoi. Kryekonsulli serb nga Shkupi i raportonte Beogradit se ndër shqiptarë, që tani janë në Ferizaj ndihet disponim për të zbritur në Shkup dhe se kjo sidomos vërehet tek shqiptarët e Gjilanit.[18] Para marrjes së Shkupit, ai e njoftonte Beogradin se kryengritësit shqiptarë u larguan nga Ferizaj dhe se bashkë me ushtrinë e tyre morën drejtimin e Shkupit. Masa e kryengritësve u nis nga Ferizaj në dy grupe të mëdha. Njërit i printe Riza Beu dhe Bajram Curri. Ai do të shkojë përkrye Komogllavës, kurse grupi i dytë i udhëhequr nga Isa Boletini dhe Ramadan Zaskoci u nis nëpër Sllatinë (Kazaja e Gjilanit). Numri i kryengritësve që ishte në Ferizaj dhe në afërsi të qytetit kapte shifrën prej afro 4000 kryengritës, nga të cilët pjesa më e madhe e tyre ishin nga krahina e Gjakovës, Pejës, Lumës, Gjilanit dhe Mitrovicës. Kryekonsulli serb në Shkup, raportonte se çdo grupi do t’i caktohet udhërrëfyesi, i cili do të tregojë rrugën deri në Shkup. Tërë kjo ushtri do të drejtohet nëpër Karadak të Shkupit, Preshevës dhe Kumanovës. Nga Ferizaj u nisën edhe udhëheqësit e Prizrenit me forcën e tyre dhe ata do të shkojnë nga ana e majtë e Lepencit dhe do të takohen me tetovarët në malet e Kaçanikut. Edhe ana e Ferizajt do të niset për në Shkup. Kryekonsulli serb në Shkup konsideronte që para Shkupit do të jenë 20 – 25.000 kryengritës.[19] Kryengritësit më 12 gusht 1912 hynë në Shkup. Çlirimit të këtij qyteti iu gëzua i tërë vendi. Kryengritësit shqiptarë pasi morën Shkupin edhe pse ishin të uritur, ata u sollën me dinjitet dhe treguan disiplinë të lartë. Ata nuk bënë dëme, nuk thyen dyqane as nuk plaçkitën. Disa grupe kryengritësish marshuan drejt qyteteve të tjera dhe çliruan edhe Tetovën, Kumanovën e Preshevën e një grup kryengritësish u drejtua edhe për në Veles, për të vazhduar më pas edhe çlirimet e qyteteve të tjera në Shqipëri.[20] Në Shkup forca të tjera nga Presheva e Gjilani hynë edhe më 13 – 14 gusht të vitit 1912. Në ditën e 14 gushtit, Isa Boletini dha urdhër për hapjen e burgjeve dhe çliroi në këtë mënyrë një numër të të burgosurve. Me hyrjen e kryengritësve në Shkup, administrata osmane u bë krejtësisht e pafuqishme.[21]

Gazeta osmane e kohës “Ikdam” shkruante se një shumicë e shqiptarëve të armatosur janë grumbulluar në Shkup me qëllim të marshojnë drejt Selanikut. Hilmi Pashai i kishte deklaruar korrespondentit të gazetës se nëse shqiptarët marshojnë drejt Selanikut, atëherë qeveria do të ndërmarrë masa.[22]

Duke e parë se kryengritësit po përparonin dhe tashti kishin në dorë pjesën më të madhe të qyteteve në Vilajetin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, qeveria e Stambollit u detyrua të pranojë kërkesat e Hasan Prishtinës, por me disa ndryshime. Më 18 gusht 1912, qeveria osmane e dha lajmin se i pranonte kërkesat e shqiptarëve. Kjo pati jehonë në qarqet diplomatike të shteteve të Ballkanit. Edhe gazetat e këtyre vendeve shkruanin artikuj dhe pranimin e kërkesave të kryengritësve e cilësuan disfatë të Portës së Lartë para Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.[23] Gazeta vjeneze “Neue Freie Presse”, shkruante se në mes të qeverisë osmane dhe shqiptarëve është arritur një marrëveshje dhe se komisioni do shkoj në Shqipërinë e Veriut e më pas edhe në Jug.[24]

Realizimi i synimeve historike të shqiptarëve po bëhej realitet dhe kjo i pengonte shtetet ballkanike, të cilat kishin synime të tjera. Në këtë kohë u keqësuan rrethanat e politikës së jashtme. Krerët e Kryengritjes së Përgjithshme e kishin të qartë rrezikun që trojeve shqiptare u kanosej nga fqinjët ballkanikë, Serbia e Mali i Zi, të cilat kishte kohë që po   zhvillonin aktivitete ushtarake që të realizonin pushtimin e sa më shumë territoreve shqiptare.[25]

Në Ballkanin e trazuar shumë shpejt do të plas lufta e fillimi i Luftës së Parë Ballkanike dhe pushtimet territoriale që kryen aleatët, alarmoi qarqet qeveritare në Vjenë. Tanimë u bë e qartë së status quoja në Ballkan më nuk mund të ruhej.[26]

Me mbështetjen edhe të qeverisë së Vjenës, udhëheqësit shqiptarë me në krye Ismail Qemalin shpallën Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Menjëherë pas këtij akti, më 28 dhe 29 nëntor 1912, Ismail Qemajli, në cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, u dërgoi një telegram qeverive të Fuqive të Mëdha, të shteteve ballkanike dhe Portës së Lartë, të cilat i njoftonte me realitetin e ri të krijuar në Ballkan dhe njëkohësisht prej tyre kërkonte njohjen e këtij ndryshimi në hartën politike të Evropës Juglindore.[27]

Është i pamohueshëm kontributi i shqiptarëve të Gjilanit me rrethinë në rezistencën ndaj Perandorisë Osmane, të cilët të prirë nga kryetrimi Idriz Seferi patën rolin kyç në Betejën e Kaçanikut e më pas edhe në kryengritjet e vitit 1911 që ishin në Malësinë e Mbishkodrës, kurse vullnetarët shqiptarë të Gjilanit me rrethinë dhanë kontribut të pamohueshëm edhe në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, sidomos në çlirimin e qyteteve në pjesën lindore të banuar me shqiptarë, duke dhënë kontributin e tyre në çlirimin edhe të Shkupit, që ishte kryeqendër e Vilajetit të Kosovës. Me fitoret e vazhdueshme të shqiptarëve ishin alarmuar mbretëritë e vogla ballkanike, të cilat përshpejtuan arritjen e marrëveshjeve dypalëshe, të cilat kishin qëllim parësor pushtimin e territoreve shqiptare.



[1] Historia e Popullit Shqiptar II. 2002. Tiranë: Toena,f. 483.

[2] Rifati, F. 2012, Gjilani në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, “Gjurmime albanologjike” – seria e shkencave historike, nr. 41/42-2011/12, Instituti Albanologjik, Prishtinë, f. 165.

[3] Selmani, A. 2010. Gjilani në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim XX. Vjetar 43-44. Prishtinë: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. f. 235.

[4] Политика бр. 3052. 18/31.VII. 1912.

[5] Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, Prishtinë, f. 223.

[6]Дипломатски Архив Савезног Cекретаријата за Иностране Послове (DASSIP), Министарство Иностраних Дела Србије (MIDS), PPO, 1912, F-VI, D-radha 95/III; Cana, Z. 2006. Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe, Prishtinë, f. 447.

[7]Ministère de la Guerre, Paris, Sevice Historique de l’Armée, Microfilmage, 7-N-1637, 1912, AIH, Seria F. 266.; Shatri, M. 2004. Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, Prishtinë, f. 208.

[8] AIH, Vj-22-84, Relacion i konsullit austro-hungarez në Shkup dërguar ambasadorit të Austro-Hungarisë në Stamboll, 5 gusht 1912.

[9] Rifati, F., pun. i për., f. 165.

[10] Selmani, A. Gjilani…, f. 237.

[11] Ministère des Afaires Etrangeres (MAE) Agènce Diplomatique (AD), Turquie, Guerres Balkaniques, III, Vol. 231, Juin – Juillet 1912, AIH, seria f. 205; Shatri, M. vep e përm., f. 198.

[12] Selmani, A., Gjilani…, f. 269.

[13] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 484.

[14] Po aty, f. 487.

[15] MAE AD, Turquie, Guerres Balkaniques, III, Vol. 231, Juin – Julliet 1912, AIH, Seria F. 205; Shatri, M., vep. e përm., f. 217.

[16]Abdyli, T. 2003. Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare 1908- 1933, Prishtinë: Rilindja, f. 133 – 135.

[17] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 488.

[18] DASSIP, MIDS, PPO, 1912, F-VI, D – radha, 95/V; Cana, Z. Kryengritja..., f. 503 – 504.

[19] DASSIP, MIDS, PPO, 1912, F-VI, D – radha, 95/IV; Cana, Z. Kryengritja…, f. 489.

[20] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 484 – 492.

[21] Musaj, F., 1987. Isa Boletini. Tiranë: Akademia e Shkencave të Shqipërisë Instituti i Historisë, f. 150 – 151.

[22] AIH, A-IV-59, inventari numër 755, f.1.

[23] Abdyli, T., 1990. vep. e për., f. 151.

[24] AIH, A-IV-59, inventari numër 755, f.3.

[25] Historia e Popullit Shqiptar II…, faqe 489.

[26] Ramadani, F., 2010. Kontributi i Austro-Hungarisë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare 1900 – 1912, Tetovë: Arbëria Design, f. 259.

[27] Murzaku, Th., 1987. Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912 – 1913. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Historisë, f. 171 – 172.

You Might Also Like