Gjilan, 15 qershor 2021 – Ekspozita e tmerrit, kështu u cilësuar sot ekspozita e cila është hapur në Muzeun e Qytetit të Gjilanit, e përgatitur nga prof. Dr. Sali Krasniqi, nën organizimin e Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë dhe Komunës së Gjilanit, në shënim të ditëve të çlirimit dhe kujtim të sakrificës së jashtëzakonshme të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Deniza Limani, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se ekspozita e hapur sot në Gjilan është një rikujtim i përmbledhur në detaje, të vuajtjeve dhe sakrificës që kanë dhënë shqiptarët e Kosovës gjatë regjimit serb, në kohën e luftës.
“Kjo është ekspozitë e cila na kujton kohët e vështira, sakrificën, dhunën çnjerzore e deri te flijimi për liri. Kjo ekspozitë na kujton poashtu se angazhimi dhe puna për ndërtimin e paqes dhe vlerën e paqes duhet ta kujtojmë gjithmonë me dhimbjen në zemër, për të gjithë ata që kanë vuajtur shumë në përballjen me një regjim i cili kishte qëllim shfarosjen e rrënjëve shqiptare në Kosovë, duke mos kursyer as mjete e as forma në realizimin e projektit të tyre kundër shqiptarëve. Aktivitete të kësaj natyre Komuna e Gjilanit gjithmonë do ti mbështes, sepse është obligim i parë ta kujtojmë përditë se prej nga rrjedh liria jonë”, ka thënë mes tjerash drejtoresha Limani.
Me fjalë rasti është paraqitur para të pranishmëve edhe profesor Halim Hyseni, i cili 250 fotografitë e paraqitura në ekspozim i ka dedikuar te të rinjtë që të mos e harrojnë asnjëherë vuajtjen e jashtëzakonshme që kanë kaluar shqiptarët në luftën e përgjakshme për liri.
Autori i ekspozitës, profesor Sali Krasniqi, në fjalën e tij ka thënë se kjo ekspozitë dëshmon se si u vra kodi etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës në Kosovë. Eksponatet e prezantuara para publikut kanë 250 fotografi me të vrarë në luftë e prej të cilëve shumica dërmuese janë mjek, infermier, student të mjekësisë dhe punëtor shëndetësor, pacient fëmijë prej 0 deri në 17 vjet, 31 pacient të burgut të dubravës, 17 pacient në këtë ekspozitë janë ata të cilët regjimi serb ua kishte shënuar profesionin terrorist dhe të njejtët janë trajtuar mizorisht deri edhe në vdekje me metodat më çnjerzore të përdorura atëherë.
Edhe Xhylshene Berisha, drejtoreshë e Muzeut të Gjilanit, ka folur në këtë ekspozitë duke evokuar kujtime për periudhën e vështirë të viteve ’80 dhe ’90 që nga helmimi i nxënësve në shkolla pastaj dhuna dhe sakrifica deri në flijim të jetës. Këtë ekspozitë siç ka thënë ajo duhet të ndjekin nga afër nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e universitetit që të njihen më për së afërmi me një realitet të trishtuar 22 vjet më parë.