Libri

EPOKA NË NDËRLIDHJEN E BREZAVE

Nexhat Rexha

EPOKA NË NDËRLIDHJEN E BREZAVE

( Izmi Zeka“EPOKA DEMAÇIANE dhe shkrime të tjera”, Botoi SHB,“Beqir Musliu”, 2018. fq. 125 )

Figurat atdhetare në kapërcimin e kohëve krijojnë ndërlidhjet e veta nëpër breza e kohë të vështira. Sakrifica e trajtimi i drejtë në veprimet e jetës ka vetëm një emër, ai është atdheu. Nëpër këto kohë të mundimshme të apokalipsit politik e njerëzor, vijnë edhe epokat me protagonistët e tyre, që bartin krenarinë, idealin, vetëm e vetëm për të ndriçuar rrugët e të ardhmes. Në këto parime e tendenca të reflektimit sa më funksional, në përjetim e shpalosje të ngjarjeve e figurave nacionale, Izmi Zeka ka ndërlidhur ngjarje dhe personalitete, të cilat komunikojnë me aktualitetin e kohëve të tyre. Në këtë kompleksitet libri i Izmi Zekës “EPOKA DEMAÇIANE dhe shkrime të tjera”, karakterizon në shkëlqimin e personaliteteve kombëtare, të cilët për shumë kohë kanë mbetur pa përkujdesjen shkencore dhe nën prangat e anatemës së periudhës komuniste. Duke i njohur këto kohë e personalitete, Izmi Zeka në vepër ka rishfaqur shkëlqimin e tyre, për të krijuar njohje e dashuri për vetë kohën tonë dhe atë që vjen. Në kapitullin e parë “Shpalime”, vijnë e skaliten emrat e personaliteteve kombëtare, të cilët me tërë përkushtimin e gjakun e tyre, dhe të paraardhësve tanë, sakrifikuan e sublimuan tërë qenien e tyre në shërbim të kauzës kombëtare. Ndriçimi i ecjes së tyre nëpër këto periudha historike, është dëshmi se atdhetarët tanë, trasuan shtigjet e vështira të karrierës së tyre, me të vetmin qëllim e bindje, se e ardhmja duhet të triumfojë, gjë që dëshmohet me idealin dhe të panjohurat e vuajtjeve të tyre, të cilat janë themel për këtë liri, që ne e gëzojmë sot. Në këtë kontekst Izmi Zeka,i ka ofruar lexuesit të sotëm këtë vepër shkencore me titullin“EPOKA DEMAÇIANE dhe shkrime të tjera”.
Në këtë pjesë të librit janë skalitur emrat e : Haki Efendiut , Rexhep Malajt, Nuhi Berishës, Bekim Berishës, Ukshin Hotit, për të portretizuar edhe penën e shkrimtarit Dritëro Agollit, si dhe duke vë në funksion mekanizmin lëvizës të njeriut që krijoi epokë e pikësynim për bashkimin e trojeve shqiptare në emrin e të cilit kanë zbardhur agimet e ditëve të bukura të lirisë, me frymëzimin, dashurinë e pashtershme të Adem Demaçit. Në këtë kapitull autori ka rishfaqur disa nga veprat e shkruara për këto personalitete, me qëllim që t`i rikujtojë lexuesit, se ata nëpër këto vepra e bëjnë jetën e tyre, dhe koha kërkon rishpalim të të gjitha anëve të medaljes së tyre. Disa nga këto figura kanë bashkëjetuar me kohët më të rënda, sepse njeriu ynë ka ruajtur, fjalën, hijen, veprimin e tyre, herë në shfaqjet publike në odat tona, e herë në brendi të zemrës, ai ka ruajtur të gjitha tingëllimat e zërit e të ndërgjegjes së tyre. Këto personalitete që krijuan epokën, ata ngritën e ndërtuan mure të qëndresës, ata ishin dhe mbetën emblema të frymëzimit, kalitjes së gjeneratave të reja. Në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore në çdo dekadë të saj, politika serbe ka krijuar ngjarje të dhembshme për popullatën shqiptare, këta dhe shumë të tjerë kanë qenë fanarë të së ardhmes. Të gjitha gjeneratat që i përjetuan këto periudha kohore, janë ushqyer më veprat e tyre. Në këtë prizëm vështrimesh, të pjesës së parë “Shpalime” ka trajtime më të gjata, sepse vetë meditimet e autorit dëshirojnë që lexuesit t`i ofrojnë këtë pjesë, jo vetëm si dëshmi, por më shumë si njohje, reflektim dhe konktretizim shkencor e jetësor në realitetin e këtij rrugëtimi deri në Pavarësinë e Kosovës.
Në Kapitullin e dytë “Meditime”,Izmi Zeka i ka përqendrim e qasje më ndryshe, sepse problematika që shtjellon, ka mesazh e funksion më ndryshe nga pjesët tjera. Në realitet kontributi i atdhetarëve kërkon përjetësimin e aktivitetit të tyre nëpër të gjitha fazat e zhvillimit shoqëror. Ata me rrëfimet e tyre ushqyen kohën, si dhe krijuan mekanizmin për të arritur këtu ku jemi. Në këto pikëpamje të shtruara ky kapitull ka elementin e qortimit, dhe të vetëdijsimit për klasën politike dhe gjeneratën e re, e cila ka hyrë dhe po vepron në aktivitetet politike e shtetërore. Me shumë të drejtë, autori konstaton se një pjesë e kësaj shtrese që po veprojnë në politikën e Kosovës, në forma të ndryshme sikur nuk përshkojnë me idealin e dëshmorëve dhe atyre që kanë sakrifikuar për shtetin e ri të Kosovës. Kjo do të thotë se mesazhi i atdhetarëve, po nëpërkëmbet nga kjo shtresë që vetëm shikon e vepron në rrënim. Pastaj në shkrimin“ Ikja e trurit ka një fund të dhimbshëm për shtetet”, është realitet i dhimbshëm, që po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës sot, e ndoshta nesër ka për t`i kushtuar edhe më shumë, kjo ikje e trurit nga Kosova. Simptomet e dhembjeve kërkojnë kurim me kohë, në këtë dhe paralajmërime të tjera, autori ka sinjalizuar se këto braktisje janë të ndjeshme, dhe me kohë kërkojnë të vëhet në funksion një mekanizëm më serioz për fatin e të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Në kapitullin “Gjykime” autori ka katër shkrime, në të cilat ka shtruar çështje me peshë për fatin dhe rolin e UÇK-së, në ruajtjen e dinjitetit të çlirimtarëve, ata sakrifikuan edhe jetën e tyre, kurse sot për fat të keq, ka zëra që propagandojnë smirëzi. Kjo e dëmton të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Nëpër këto trajtime lexuesi arrin në konkludime, se shtresat e ish klasës komuniste edhe më tej dëmtojnë imazhin e luftës dhe krijojnë dilemën për veten e tyre. Mesazhi i autorit të jep uratën e largimit nga këto damkosje të dëmshme, të cilat kanë për qëllim të krijojnë vonesën në ndërtimin e të ardhmen e vendit tonë.
Në kapitullin “Vrojtime”, konstatimet dhe fokusimet kanë përqendrim te faktori vendor dhe ai ndërkombëtar. Në këto vrojtime, Izmi Zeka ka racionalizuar shkrimin e tij me mesazhe dhe konstatime të arrira, për të mos u ndalur në këto ndalime të ndërtimit të shtetit. Ai qartëson bukur, pozicionin mbështetës të Kosovës nga SHBA-të,dhe ndikimet serbe nën mbështetjen ruse, si pengesë e shtetit të Kosovës. Përkundër këtyre ndikimeve dashakëqija, ai beson se shekulli i XXI, është shekull i shqiptarëve dhe jep kurajon për të ngritur kapacitetet tona në vlera e arritje sa më qytetëruese.
Nga të gjitha këto parashtrime libri i Izmi Zekës “EPOKA DEMAÇIANE dhe shkrime të tjera”, ka rrjedhshmërinë e koordinuar në problematikën e trajtuar, si dokumentaritet dhe si gjykim historik. Ai në vepër ka ruajtur me kujdes unifikimin e periudhave historike, të cilat kanë arritur të mbajnë gjallë frymën atdhetare. Liria dhe atdheu në veprën e Izmiut bashkudhëtojnë, për të mundur kohët e rënda. Periudhat kohore nëpër të cilat kanë zhvilluar luftën për liri shumë breza, karakterizojnë pikësynimet e protagonistëve me njohje të pranueshme të luftës dhe idealeve të paraardhësve të tyre. Libri ka ndarjet, veprimet kohore të protagonistëve, të cilët kanë artikuluar me një zë luftën e tyre për liri. Duke i lidhur ngjarjet dhe personalitetet nëpër kohë. Vepra, merr ngjyrimin e pranueshëm për të gjitha shtresat e lexuesve dhe shprish logjikën e ndarjeve tona në këtë periudhë edhe pas Pavarësisë së Kosovës. Në këto parashtrime, libri të ofron e krijon mundësinë e njohjes dhe përjetimit të ngjarjeve me idealin e personaliteteve të marra në shqyrtim.
Përkundër të gjitha këtyre rrethanave, disa personalitete që e vunë jetën e tyre tërësisht në shërbim të kauzës kombëtare, nuk janë trajtuar nga historiografia ashtu siç ata kanë sakrifikuan luftën e tyre për liri, edhepse secili në mënyrën e tij ka artikuluar zërin e ndërgjegjen e tij shpirtërore. Përkundër rrethanave të pafavorshme disa nga këta atdhetarë, krijuan edhe epokën e veçantë dhe arritën të diktojnë në aspiratën e në verdiktin e popullit për të gjitha shtresat, ku fjala e gjuha për atdhe jetonte në edukatën, moralin, vizion e shpirtin e tyre. Në të gjitha trajtimet e librit, autori ka lidhur kohët dhe dinastitë e fuqive të mëdha për të njohur dhe për të kuptuar, rrugët që kanë krijuar ndikim në fatin e popujve të shtypur. Libri krijon mundësi në, përjetimin, njohjen e rrethanave, lidhjen e brazave dhe si i këtillë pasqyron, ndriçon pikëpamje që ndërlidhin historinë, duke iu dhënë ngjarjeve reflektimin, me njohjen edhe të disa figurave heroike të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit njëzetenjë. Këto periudha i kanë edhe heronjtë e tyre, siç është edhe vetë emri i Adem Demaçit, i cili komunikon epokën Demaçiane, si orientim e pikëqëndrim edhe me ballinën e këtij libri, sepse ai ka farkuar, ndërlidhur hallakat më të qëndrueshme për të gjitha kohët e brezat që vijnë.

You Might Also Like