Avdush Canaj
Mësuesja me një buzëqeshje rrezëllitëse si të diellit, pyeti nxënësit në klasë:
– Çka është nëna për ju?
E gjithë ushtria e gishtërinjëve u ngrit përpjetë. E para foli Denata:
– Nëna është dielli, mësuese.
U ngrit Mentari:
– Hënë e qiellit të shtëpisë, është nëna.
Sytë e Etlevës qeshën:
– Krejt zemër është.
– Loçka e loçkës është nëna për mua- u përgjigj
Orgesi.
Lydra cicëroi si dallëndyshe:
– Nëna është gjysma e shpirtit tim.
Pas i ngrit Mytili, rrëgulloi jakën e këmishës së
trëndafiltë, guguroi:
– Drita e jetës sonë është nëna.
E fundit u përgjigj Aria, princesha e klasës:
– Për mendimin tim, nëna është lule e kopshtit të
jetës. Pa të pranvera nuk do të kishte bukuri, as kuptim.
Mësuesës i çeli buzëqeshja në sytë e bukur si qielli.
– Të gjithë ju dhatë nga një përgjigje të bukur. Të
gjithë dhuruat nga një varg poezie. Në këtë mënyrë ju stisët bashkërisht një vejrshë për nënën- tha.
Shpërthyen duartrokitjet.
Klasa u mbush më buzëqeshje si kopshti kur çelin trëndafilat.