
Shkruan: Enver Sadiku
Kampioni i Kosovës, FC Drita si asnjëherë më parë ka zhvilluar një kampionat të ngjeshur në futboll, të përcjellë me ndeshje të pandërprera në tri fronte, në ligë, Europa Conference League dhe në Kupën e Kosovës.
Mirëpo edhe pse në Superligën e Kosovës ka ngelur paksa mbrapa, FC Drita forcën e saj do ta tregojë në pranverë, kurse në Europa Conference League ekipi bardh e kaltër nga Gjilani ka bërë historinë, duke kaluar fazën e grupeve në tabelë dhe është radhitur në 1/16 e finales, ku është në pritje të kundërshtarit, AZ Alkmarit holandez, apo Celjes nga Sllovenia.
Drita kampionatin e ri e nisi me pak ndryshime në ekip, largoi ata që nuk iu deshën dhe morën lojtarë për të shtuar konkurrencë në ekip, mirëpo ndeshjet e vazhdueshme ekipit të kryetrajnerit Zekirija Ramadani u kushtuan shumë, ngase lëndimet e lojtarëve nuk reshtën dhe ka lojtarë që ende po vuajnë nga lëndimet.
Kështu, pas 18 ndeshjeve të zhvilluara, FC Drita pati 8 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje, duke shënuar 26 gola e ka pësuar 21 gola dhe në fund ka tubuar 29 pikë, që e lanë klubin kaltër e bardh në pozitën e katërt.
Prej 54 pikëve të mundshme, FC Drita ka marrë 29 sosh, apo 53.7 përqind të pikëve.
Në këtë kampionat, Drita ia doli që në portën e kundërshtarëve të shënojë 26 herë, apo mesatarisht 1.44 gola për ndeshje, kurse sa i përket golave të pranuar, portierët e Dritës, Faton Maloku dhe Laurit Behluli 21 herë nxorën topin nga rrjeta, apo mesatarisht pranuan nga 0.76 gola për ndeshje. Në tri ndeshje porta e Dritës mbeti e paprekur
Drita mbetet në garë për Kupën e Kosovës, ngase ka kaluar raundin e parë dhe tashti pret që të kalojë edhe raundin tjetër.
Golashënuesi më i mirë i Dritë edhe në këtë gjysmëstinor ishte Kristal Abazaj, që tundi rrjetat kundërshtare 4 herë, Besnik Krasniqi shënoi tre herë (dy prej tyre nga pika e bardhë), aq herë shënuan edhe Albert Dabiqaj dhe Arb Manaj.
FC Drita pritet në pranverë të luftojë për titull kampioni, të luftojë edhe në Europa Conference League dhe në Kupën e Kosovës.
Ja të gjitha rezultatet e FC Drita:
Ferizaj – Drita 1:0
Drita – Drenica 0:1
Llapi – Drita 1:1
Prishtina – Drita 2:2
Drita – Prishtina e Re 2:1
Ballkani – Drita 2:0
Drita – Dukagjini 3:1
Gjilani – Drita 1:2
Drita – Malisheva 2:1
Drita – Ferizaj 3:1
Drenica – Drita 3:1
Drita – Llapi 1:0
Drita – Prishtina 2:0
Prishtina e Re – Drita 0:2
Drita – Ballkani 2:3
Dukagjini – Drita 1:1
Drita – Gjilani 1:1
Malisheva – Drita 1:1
Kryelajmi.com





