Sabit Rrustemi
Manifestimi kombëtar i kulturës, “Flaka e Janarit”, si manifestim përkushtues kulturor për martirët e kombit, u themelua nga Shoqata e Pavarur Kulturore e Gjilanit si dhe FR i LDK – Dega në Gjilan, të cilët ishin dhe bashkëorganizatorë të tetë edicioneve të para të “Flakës…” deri në vitin 1999-të.
Nga viti 2000 e këndej, këtë Manifestim e organizojnë institucionet lokale të Gjilanit
Shkolla e muzikës në Gjilan, ishte vendthemelimi i këtij Manifestimi në javën e parë të janarit të vitit 1992.
Koncepti programor i manifestimit u shpalua pak ditë më vonë dhe u aprovua nga Themeluesit, në zyrën e avokatit gjilanas, Shefqet Xhelili që ndodhej në afërsi të ndërtesës së policisë dhe sigurimit shtetëror serb.
Pas këtij viti , falë këtij vendimi, mbështetja financiara nga institucioni qendror I kulturës është konsoliduar dukshëm
Qëllimi i Manifestimit
“Flaka e Janarit”, u themelua si manifestim i përshpirtshëm kulturor për t’i nderuar përmes vlerave të artit, figurat më të ndritshme të kombit, të cilët u martirizuan apo dhe ranë dëshmorë për idealet më të shtrenjta të lirisë dhe atdhetarisë, nëpër periudha të ndryshme kohore.
Ishte domosdoshmëri e kohës që Bashkësia e artistëve të të gjitha fushave përkatëse kulturore si dhe artdashësit e veprimtarët kulturorë të rreshtoheshin krah popullit në jetësimin e kërkesës gjithëpopullore për republikën e Kosovës dhe në Manifestimi si “Flaka e Janarit” ishte rasti më i mirë për t’iu bashkangjitur kësaj kauze përmes vlerave të artit , duke e unifikuar edhe më tej uraganin e pandalshëm të kohës, drejt jetësimit të vizionit për liri, pavarësi e demokraci, edhe përmes artit.
Shënimi i 10 vjetorit të vrasjes tinëzare të atdhetarëve , Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, i çeli udhë këtij Manifestimi dhe iu dha rast artistëve të fushave të ndryshme që përmes veprave krijuese të një viti, t’i nderojnë figurat e ndritshme të kombit, po edhe përmes prurjeve të reja artistike ta brumosnin në ndërgjeegjen e gjithësecilit domosdonë e të qenit të lirë dhe të pavarur në një shtet demokratik
Ky qëllim i këtij Manifestimi u jetësua nga viti në vit gjatë këtyre tridhjetë e sa viteve dhe sot “Flaka e janarit”, jo vetëm njihet por edhe pranohet si Manifestimi më unik kulturor që kontribuoi në unifikimin e kombit përmes veprimtarive të nduarduarta, nga një edicion në tjetrin, vit pas viti e dekadë pas dekade.
Rrugëtimi i “FLAKËS…”
“Flaka e Janarit” nisi rrugëtimin më 18 janar 1992, në 10 vjetorin e rënies heroike të heronjve të popullit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës si dhe Kadri Zekës, duke bërë përurimin e një shtëpie kulturore në fshatin Bresalc ( Gjilan ), ku u mbajtën dhe pjesët skenike, nën përkujdesjen e Teatrit të Qytetit të Gjilanit .
Po të njëjtën ditë , Manifestimi vazhdoi në Gjilan, me mbajtjën e Orës së madhe letrare si dhe ekspozitës së arteve pamore, në hapësirat e Restaurantit KULLA, përgjatë njërës nga rrugët kryesore të qytetit, ku në të dyja veprimtaritë, u shpallën dhe krijimet më të mira, të cilat edhe u shpërblyen, ngjashëm si pjesët skenike.
Ndërsa, Manifestimi u përmbyll më 19 janar në Shtëpinë e Kulturës në Përlepnicë, me pjesën muzikore “ Ju këndojmë dëshmorëve “, pjesë muzikore e cila u përgatit nga ansamblet kulturore të krahinës së Anamoravës.
“Flaka e Janarit” , nga të njëjtit organizatorë ( themeluesit ) u mbajt pandërprerje deri në vitin 1999, kur shkaku i luftës, e hoqi nga programi pjesën muzikore dhe atë skenike e letrare, duke u vetëmjaftuar me hapjen përmes një minikoncerti me muzikë serioze, tribunën historike për figurën e Mulla Idriz Gjilanit si dhe shpalljen dhe publikimin e rezultateve të konkursit letrar dhe ekspozitës së artit pamor .
Ndërsa pas luftës, Manifestimi gjithnjë u organizua nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhë Sport, e cila bashkërendoi veprimtaritë me shoqata tjera kulturore dhe mundësoi shtrirjen e këtij Manifestimi në shkallë kombëtare.
Përmbajtja e Manifestimit
“Flaka e janarit” si Manifestim kulturor e kombëtar, u koncipua dhe u ngrit mbi katër shtyllat e veprimtarisë krijueese të atdhetarit Jusuf Gërvalla, i cili ishte shkrimtar, këngëtar, gazetar dhe njohës i shquar i artit pamor e skenik .
Këto katër shtylla, që u ngritën në katër veprimtari kulturore, nga Manifestimi i parë e këndej, bashkë dhe me tribunën e Manifestimit, i dhanë jetë e emër “Flakës së janarit” dhe e afirmuan përmes arritjeve krijuese e artisitike të një viti, kudo ku jetojnë, gjallojnë e frymojnë shqiptarët.
Organizatori, që pas lufte rëndom ishte Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, e ruajti dhe e begatoi këtë skemë programore, duke e pasuruar nga viti në vit, si me emra, ashtu edhe me vlera, përkundër barrës së madhe të organizimit po dhe asaj financiare.
Rrjedha e Manifestimit
Në vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, gjegjësisht nga 18 janari i vitit 1992 e deri më 1999, “Flaka e Janarit është organizuar dhe mbajtur në rrethana të një pushtimi të egër serb, ku, megjithatë ka arritur ta ruaj dhe pasurojë përmbajtjen po edhe t’i jetësojë katër shtyllat e Manifestimit.
Në 530 vjetorin e vdekjes së kryheroit shqiptar, Gjergj kastriotit – Skënderbeut, Organizatorët e manifestimit kombëtar të kulturtës,”Flaka e Janarit” kanë vendosur që, hapja zyrtare të bëhet në çdo 17 janar, datë kjo që koincidonte edhe me vrasjen tinzare të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe të Kadri Zekës, si dhe të vendosnin lule mbi varret e martirëve të lirisë e të dëshmorëve dhe herojve të kombit, në shenjë nderimi, anekënd Kosovës dhe në ttrevat tjera ku jetonin shqiptarët.
Pas luftës, rrjedha e këtij manifestimi është vënë në baza normale.
Simbolikisht “Flaka e Janarit” ndizet më 11 janar, datë që koincidon me rënien heroike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës.
Hapja zyrtare ndodh më 17 janar, përmes një Akademie solemne, e cila njëkohësisht i përkushtohet një prej ngajrjeve apo figurave më të rëndësishme të kombit, në një përvjetor të caktuar.
Akademia përcillet përherë edhe me Koncertin tradicional të muzikës serioze.
Po këtë datë, hapet dhe ekspozita e arteve pamore, e titulluar PENELI I FLAKËS, ekspozitë që qëndron e hapur deri në përmbyllje të Manifestimit ( 31 janar )
Ditëve në vijim ( 20 – 25 janar) mbahet Festivali i dramës shqiptare, i titulluar TALIA E FLAKËS, ku në teatrin e Qytetit të Gjilanit, pesë shfaqjet teatrore të realizuara brenda vitit përkatës, konkurojnë për çmimet kryesore nga fusha e artit skenik.
Pas kalimit në amshim të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, ( 2006 ), pjesë e Manifestimit është bërë edhe Akademia nderuese për këtë personalitet të shquar të kombit, në çdo 21 janar.
Mes datave 25 – 30 janar, rëndom mbahet ndonjë tribunë a tryezë e karakterit kulturo – historik për ngjarje apo dhe figura të rëndësishme të kombit, në përvjetorë që shënohen në nivel vendi a shkallë kombëtare si dhe, si aneks i pjesës muzikore ka vite që organizohet Festivali i fëmijëve, i titulluar XIXAT E FLAKËS.
Manifestimi kombëtar i kulturës, “Flaka e Janarit” përmbyllet në çdo 31 janar me dy veprimtari kulturore; veprimtarinë letrare PENA E FLAKËS, ku mbahet Ora e madhe letrare dhe jepet Çmimi për poezinë më të mirë të Manifestimit si dhe shpallen rezultatet e konkursit anonim letrar.
Veprimtaria e dytë që përmbyll dhe gjithë Manifestimin e një viti, është Festivali i këngës shqiptare, FEST- FLAKA, e cila përmblidhte këngët fituese gjatë vitit paraprak dhe i shpërfaqte në këtë festival festivalesh që ishin shpallë fituese nëpër festival të ndryshme muzikore, mbajtur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut e gjetkë.
Përkrahja dhe mbështetja e Manifestimit
“Flaka e Janarit, si një manifestim i ri i asaj kohe, madje dhe i pari i këtij lloji në trojet shqiptare e më gjerë, u themelue dhe falë përkrahjes së subjekteve politike gjilanase të asaj kohe,( LDK dhe partitë tjera si PSHDK , PPK e UNIKOMBI) e, pas themelimit të institucioneve paralele komunale, gëzoi edhe mbështetje financiare nga ish Këshilli komunal për financim si dhe donatorët gjilanas, madje dhe të qyteteve tjera të Kosovës, po edhe nga niveli qendror ( KQF i Kosovës ), gjithnjë në suaza të mundësive dhe rrethanave në të cilat vepronin.
Pas çlirimit të Kosovës, nga viti 2000 e këndej, mbështetja e këtij Manifestimi nga Komuna e Gjilanit, ( përmes DKRS-së ) ishte e përvitshme. Ndërsa nga niveli qendror (MKRS-ja ) e herëhershme, deri në vitin 2021 kur ky institucion e mori në mbrojtje të përkohshme si vlerë e trashëgimisë së përshpirtshme kulturore, këtë Manifestim.
Shenjat identiifikuese të Manifestimit
Nga viti 1994 e këndej, “Flaka e Janarit” ka emblemën e Manifestimit, e cila është përzgjedhur përmes konkursit publik dhe vlerësimit të një Jurie profesionale dhe ajo është shenjë identifikuese e Manifestimit.
Kjo shenjë identifikuese e Manifestimit është përzgjedhur përmes një konkursi publik dhe, me shifër që në edicionin e tretë ( 1994 ). Kurdo që paraqitet nevoja e ndonjë ndryshimi, duhet ndjekur e njëjta rrugë nga organet ligjvënëse, qoftë të nivelit lokal apo dhe qendror.
Pjesë e pandashme e “Flakës…” gjatë këtij rrugëtimi të deritashëm janë edhe revista letrare – kulturore AGMIA, Katalogjet e ekspozitave të artit pamor si dhe së voni Katalogu i artit skenik.
E ardhmja e Manifestimit
“Flaka e Janarit” si një nga manifestimet e përshpirtshme kulturore në këto treva të Ballkanoit, I cili tash është edhe pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës nga viti 2021, do duhej të ketë një mbështetje më të madhe nga institucionet qendrore , e cila do të ndikonte në rritjen cilësore të përmbajtjes së shtyllave artistike, pѱrmes prurjeve artistike nga emra të shquar të kombit, Brenda e jashtë hapësirave ku jetojnë e veprojnë.
“Flaka e Janarit”, si një nga manifestimet më unifikuese jo vetëm të skenës kulturore të kombit, meriton dhe duhet të mbahet nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Presidencës, meqë, edhe roli i saj, gjithashtu është unifikues, madje i edhe sipas Kushtetutës .
Një përkujdesje e tillë, duke e respektuar dhe selinë e këtij Manifestimi ku është lindur e ku do të mbahet në vazhdimësi, do t’ia sigurojë një qëndrueshmëri të mëtejme , si në planin organizativ, përfaqësues po edhe përmbajtësor.
Natyrisht që “Flakës…” i duhet dhe një ekip i përhershëm drejtues, i cili do të punonte gjatë gjithë vitit për edicionn e radhës, duke i përzgjedhur pikat më të mira artistike nga fushat përkatëse, të cilat krijohen dhe shfaqen në publik gjatë gjithë vitit, brenda etnikumit shqiptar po edhe në mërgatën shqiptare në botë.
Një përkujdesje e tillë që pres edhe të ndodhë, nuk nënkupton në asnjë mënyrë që t’i ndërrohet selia këtij Manifestimit. Ai duhet të organizohet dhe shpërfaqet edicion pas edicioni vetëm aty ku edhe u lind, në Gjilan, sepse përmes 33 edicioneve të saja të pandërprera, thjeshtë u shndërrua vetvetiu në manifestim kombëtar të kulturës.
Gjilan, 17 Janar 2024
______________________
Kjo kumtesë u lexua në Kamenicë, në një Tryezën shkencore në 40 vjetorin e rënies heroike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, mbajtur në kuadër të “Flakës së Janarit” nën organizimin e Klubit letrar “Nositi”.