Arti pamor

FORCA DHE FUQIA E KRIJIMIT ARTISTIK

Arti përherë shoqërohet nga zhvillime sa imanente, të kushtëzuara prej statusit estetik të tij, ashtu dhe nga zhvillime sociale, kulturore dhe qytetare, që lidhen ngushtësisht me aspektet pragmatiste dhe nevojat e konsumatorëve të artit, publikut të kohës. Andaj dhe herë pas here në arte ndërmerren nga vetë komuniteti i artistëve reformime të thella të gjuhës artistike duke e modernizuar shprehjen e saj në përgjigje të kërkesave të perceptuesit dhe shijes estetike përherë në përkryerje dhe progres.

Aftësia e artistit i jep hapësirës një funksion viziv me vendosjen e veprave të realizuara me mjaft ndjeshmëri karshi materialit me të cilin ka operuar. Marrëdhënia e krijuar midis artistit dhe objektit, që ka ngacmuar fantazinë e tij, mund të jetë një marrëdhënie zgjedhjeje që pranon një transformim nga dora e tij, duke ruajtur strukturën fizike të materialit.

Skulptura me materiale dhe formate të ndryshme si: mermer, gurë, dru, bronz, si dhe teknika të kombinuara jan të realizuara edhe nga skulptori Sabri Shaqiri. Këtu objektet janë në vetvete vepra të mirfillta arti. Në thjeshtësinë e tyre ndihen të gjitha dimensionet vizive, të cilat ne mund t’i perceptojmë nëpërmjet artit.

Në skulpturat e Sabri Shaqirit ndjen mundësinë e pashtershme të artit për të komunikuar. Ndjen tërësinë e tij si iluzion, forcë, dritë, heshtje dhe mesazh, apo siҫ e thoshte edhe ish profesori i tij Agim Çavdarbasha me rastin e ekspozimit të skulpturave të tij të para, “Sabri Shaqiri po promovohet sot në një skulptor që ka një shkathtësi të madhe, veҫanrisht në përpunimin e gurit dhe drurit, por edhe nje ndjenje të artistit, që di t’i krijojë me masë vlerat e formave dhe plasticitetit të një vepre artistike skulpturore”.

Punime të skalitura në mermer dhe dru, shquhen me forma të pastërta që përkujtojnë pastërtinë e formës ideale organike të artistit që njihen me stilin e tij. Mjeshtria e realizimit është pjesa më e rëndësishme e thelbit të “prekjes” artistike të tyre. Arti i tij procedon në të shumtën e rasteve në struktura gjeometrike, ku forma sferike tregon gjithҫka me një sugjerim të dimensionit monumental.

Pikërisht gjeometria e figurës është një arritje kulmore e konceptit dhe imazhit skulpturor të Sabri Shaqirit, në të cilën ai vazhdon me sukses kërkimet rreth arkitekturës së një bote të lirë. Artisti ka arritur që format gjeometrike t’i harmonizojë me sukses me format lirike. Herë pas here ai shfrytëzon edhe pamjen fizike në tërë hapësirën që posedon, duke i dhënë veprës së tij një tredimensionalitet real.

Sabri Shaqiri gjithmonë do të na sjell mesazhe të fuqishëme në realitetin e mbushur plot me tensione.

 

Zeni Ballazhi

Prishtinë, 02 Maj 2022

You Might Also Like