Trashëgimi

Gërmadhat e kishës së Shën Varvarës në Kmetoc

arton Shkruan: Arton Hoxha, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan

 

Kisha e Shën Dhimitrit, e njohur si Kisha Varvara e Kmetocit, është datuar si e shekullit XIII, në vitin 1963, nga ish EMMK, kur edhe është marrë në mbrojtje nga shteti.

Ky objekt tashmë është nën përkujdesjen e Qendrës Rajonale për Trashëgimi  Kulturore ne Gjilan për vlerat arkitektonike qe ka objekti, sikundër edhe për vjetërsinë e tij.

Në të vërtetë për këtë kishë mungojnë shkrimet historike, po në këtë punim ne kryesisht do të trajtojmë aspektin arkitekturor të saj.

Kisha Varvara ndodhet në verilindje të fshatit. Në të vërtetë, mbetjet dëshmojnë për një manastir. Thuhet se në fillim kisha e manastirit i është përkushtuar Shën Dhimitrit e më vonë Shën Varvarës.

Historianët serbë sjellin dëshmi për dëmtimin e kishës nga turqit pas Betejës së Kosovës, e cila qe zhvilluar në vitin 1389. Ndërsa, demolimi i saj i plotë ka ndodhur në shekullin XVIII. Gurët e kishës janë përdorur për ndërtime të tjera me karakter shoqëror, ndërsa një pjesë gurësh ndodhen në afërsi të kishës. Ata janë stivuar duke paraqitur një murim pa llaç.

Dihet se në kishë janë pikturuar freska që në shekullin e XIV, por që tani më nuk ekzistojnë. Ndërsa, në vitet 60 të shekullit XX disa pjesë të kishës janë konservuar.

Në oborrin e kësaj kishe ndodhen varrezat e reja të komunitetit serb të fshatit Kmetoc. Komisioni i MKRS gjatë punës së tij në terren për rivlerësimin e vlerave të monumenteve të Kosovës, gjatë vitit 2010 ka konstatuar lidhur me Kishën e Shën Dhimitrit se sipas planimetrisë, kisha ka përmasat e një kishe paleokristiane, por muret që ende janë ruajtur janë të periudhës bizantine. Tani është vetëm rrënojë dhe shërben vetëm për ceremoni fetare.

Sipas koordinatave gjeografike,  Shën Varvara shtrihet në Veri: 420  29’ 867’’ dhe në Jug: 210  32’ 183’’. Lartësia mbidetare e kësaj kishe është 573 m, ndërsa sipas njësisë së kadastrave nr. 809 dhe listës poseduese nr. 207, kisha ka një sipërfaqe prej 1639 m.

Kisha Shën Varavara në Kmetoc është me dimensione 6.50 cm  x  10.70 cm, është njënefëshe. Ka naosin dhe narteksin.

Nga narteksi që është në anën perëndimore hyhet në naos, ndërsa vet narteksi ka hyrjen po në perëndim. Në lindje të objektit ndodhet absida gjysmërrethore nga brenda, kurse nga jashtë ka formën e gjysmëharkut trefaqësh, aty pranë absidës ndodhet guri i altarit me lartësi prej 0.60 m, në të cilën ka qëndruar tryeza e altarit.

Në mes të saj ndodhet një hapje e vogël, ndërsa mbi të një hapje tjetër me gjysmëhark, që duket se kohët e fundit është mbushur me gurë. Anash absidës janë dy dollapë, në të cilët ndizen qirinjtë. Në jug, ka murin mbështetës të dalë në naos me 1.10 m x 0.85 m, dhe ka të dy muret mbështetëse ( kontrafortet) si brenda naosit, si jashtë tij.

Muret e kishës përbëhen nga gurët e përpunuar, ndërsa faqja e brendshme e mureve anësore ka qenë e suvatuar, po ashtu edhe nga ana e jashtme objekti i kishës ka gurë të përpunuar, sikundër shoqërohen me një dekorim të veçantë me tulla dyshe.

Ndërsa mbi arkitra është një shirit muri i veçantë nga murimi tjetër, një tip frizi.   Materiali i përdorur për ndërtimin e kishës përbëhet prej gurëve të latuar të lidhur me llaç gëlqereje, si dhe me ndonjë hatull horizontale në pikat kyçe të murimit.

Trashësia e mureve është 0.70 m, e përbërë nga dy lloj teknika të ndërtimit, nga ana e jashtme muret e objektit të kishës janë gurë të përpunuar, sikundër shoqërohen me një dekorim të veçantë me tulla dyshe, ndërsa nga brenda është me gurë të çrregullt të plotësuar me fuga,  ndërsa  brendësia e murit është mbushur.

Në pjesën e brendshme të mureve të kishës ka të vendosur hatulla druri në lartësi 2.20 m nga nivel i dyshemesë, të cilat dallohen shumë lehtë pasi duken pjesët ku kanë qenë të vendosura, por edhe tani ka pjesë të hatullave. Muret e kishës në përgjithësi janë pjesërisht të rrënuara, prandaj është e vështirë të dihet lartësia e plotë e  tyre.

Muri  jugor i kishës ka lartësi nga  1.28 m deri ne  3.95 m, ndërsa muri  verior i kishës ka lartësi që fillon nga aneksi  0.68 m e duke vazhduar në 1.45 m deri në lartësinë 5.74 m nga niveli i terrenit, pjesa lindore kishës në të cilën ndodhet edhe absida lartësia e mureve  fillon nga 4.07 m deri në 5.20 m.

jesa e hyrjes apo aneksi i kishës duket se i përket një tjetër kohe ndërtimi pasi duket që edhe teknika e ndërtimit  me gurë është tjetër  (mur i thatë) . Ai ka dimensione 6.30 m x 5.10 m.

Në pjesën e ballore të absidës ndodhen dy lloje dritare njëra mbi tjetrën që janë në aksin e absidës,  në  formë gjysmë rrethore në pjesën e sipërme,  ku njëra dritare ka dimensione 0.70 m x 1.20 m, në lartësi 2.65 m nga niveli i dyshemesë, ndërsa tjetra është me dimensione më të vogla dhe  ngjason me një lloj frëngjie. Në pjesën e jashtme të mureve ka të vendosura edhe tulla me dimensione 5 cm x 24 cm. Kësi lloj teknike ndërtimi pothuajse identike me gurë dhe dekorime me tulla prej argjile të pjekur, por edhe me dimensione të njëjta, ka edhe kisha në Vaganesh në Komunën e Kamenicës.

You Might Also Like