Muzikë

Gjilanasit  Elona Sadiku dhe Hekuran Bllaca në Operën “Goca e Kaçanikut”

U dha premiera e shfaqja historike e operës “Goca e Kaçanikut”, produksion i Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës. Pas 53 vjetësh, mjeshtëria e kompozitorit Rauf Dhomi u rikthye në skenë, 45 vjet nga premiera botërore që ishte vënë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Nën regjinë e mjeshtrit të madh Nikolin Gurakuqi, kasti i shkëlqyeshëm, kori, orkestra, balerinët dhe i gjithë ekipi ofruan një shfaqje të shkëlqyer.

Sopranoja Adelina Paloja dhe tenori Ismet Vejseli sollën në jetë Pafikën dhe Trimorin, ndërsa Hektor Leka dhe Besiana Mehmedi portretizuan Plakun dhe Plakën. Në role të tjera u prezantuan Harris Bajraktari si Rusbashi, Etrit Nura si Agjenti dhe ndër ta edhe dy gjilanasit Hekuran Bllaca në rolin e Fiqalit dhe Elona Sadiku në rolin e shoqes së Pafikës.

Elona Sadiku në rolin e shoqes së Pafikës

Hekuran Bllaca në rolin e Fiqalit

Maestro Edon Ramadani, luajti një rol kyç në sjelljen e kësaj opere në variantin më të plotë të saj.

“Goca e Kaçanikut” do të shfaqet edhe të dielën më 25 shkurt prej orës 19:00 në Sallën AMC.

I gjithë ky produksion u bë i mundur me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërsa produksioni u ndihmua edhe nga Filharmonia e Kosovës, Universiteti i Prishtinës, dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Opera është e ndarë në dy akte, tre tablo. E tërë ngjarja është e vendosur në kohën e Rilindjes Kombëtare në qytetin e Kaçanikut. Në aktin e parë është paraqitur shtëpia e Pafikës në një ambient familjar ku bashkë me prindërit mendojnë për atë se ka ardhur koha që vajza e tyre të martohet, me një djalë trim, të ndershëm e i gatshëm për të dhënë jetën për liri. Ky djalë ishte Trimori.

Kjo pamje romantike shkatërrohet në momentin kur marrin vesh se forcat e Perandorisë osmane duan të shkatërrojnë çdo aktivitet patriotik të shqiptarëve të Kosovës. Ishte koha kur kjo Perandori, me anë të Xhonturqve mundohej të mashtronte masën se gjoja do t’u sigurojë liri e pavarësi. Në tablon e dytë të aktit të parë tregohet populli shqiptar i armatosur dhe i përgatitur për luftë.

Një nga fshatarët më të pasur Rus Bashi shkon të bisedojë me oficerin kryesor të ushtrisë perandorake Fiqali. Oficeri i ofron flori për marrjen e informatave kryesore për ushtrinë shqiptare. Trimori zbulon qëllimin tradhtar të Rus Bashit, i cili për të shpëtuar, para gjithë popullit akuzon Trimorin për tradhëti. Në këtë gjendje vetëm Pafika i beson të dashurit.

Trimori mbahet në arrest, gjersa krismat e pushkëve të armikut dëgjohen. Në grykën e Kaçanikut shqiptarët janë vendosur në pritë që të mos e lënë armikun të kalojë. Në aktin e dytë, tabloja e tretë lufta vazhdon. Në atë kohë, Rus Bashi dhe oficeri përpiqen ta rrëmbejnë Pafikën, dashurinë e Trimorit, por nuk ia arrijnë qëllimit sepse Trimori arrin ta çlirojë. Në këtë përleshje Pafika çarmatos dhe e vret Rus Bashin, kurse oficeri i frikësuar ia mbath. Në këtë skenë, si përfundim i të gjithë operës, paraqitet festimi i fitores dhe çlirimit me këngë dhe glorifikimin e trimërisë së Pafikës.

You Might Also Like