Futboll

Gjilani i pafat në fushën me baltë, lëshon fitoren nga dora në minutën e gjashtë shtesë

Dukagjini dhe Gjilani janë përballur në fushën me baltë në Klinë, në një terren shumë të vështirë dhe ku lojtarët është dashur me shumë mund të dërgojnë topin përpara, ngase ai rëndom ndalej në baltë dhe në puset e krijuara në fushë.

Pjesëloja e parë ka kaluar me një dominim të plotë të Gjilanit dhe me raste të panumërta, ndonëse edhe Dukagjini pati rastet e veta dhe në një rast qëlloi edhe shtyllën.

Pjesëloja e dytë ishte edhe më e mundimshme, ngase terreni u rëndua edhe më shumë, bile në një rast lojtarët e Dukagjinit duke kthyer topin mbrapa i mundësuan rast të qindpërqindtë Gjilanit, ngase topi u ndal në baltë, por Rrahmani, që ishte i vetmuar gjuajti jashtë.

Gjilani ia ka dalë që të shënojë në minutën 60, kur një top nga mesi i fushës u fut në zonën e Dukagjinit dhe në të i pari mbërriti Senad Jaroviq, i cili me një gjuajtje të saktë qëlloi skajin e portës, mu te shtylla e majtë, prej ku topi u fut në rrjetë për rezultatin 0:1.

Pas golit të pranuar, Dukagjini i tëri u hodh në sulm dhe me topa të gjatë fuste topin në brendi, por në situatë të tillë të fushës më së miri rëndom gjendej portieri Vokli Laroshi i ndihmuar edhe nga mbrojtja e Gjilanit.

Shkaku i ndërprerjeve në lojë, gjyqtari ka dhënë gjashtë minuta shtesë, në të cilat Dukagjini pati raste të mira për të shënuar dhe pas shumë përpjekjeve, nga një gjuajte nga këndi në minutën e gjashtë shtesë, pas një gjuajtje nga këndi topi erdhi deri te Basriu, që me kokë zgjati topin deri te Hugo, që me një gjuajtje të saktë përtokë realizoi për rezultatin përfundimtar 1:1. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like