Gjilan

Hafiz Gashi do t’i mungojë shumë sportit e arsimit gjilanas

Thonë, vdekja vjen pa ftesë. Pa ftesë dhe tinzare dhe e papritur. Kjo ikje nga jeta është e dhimbshme jo vetëm për familjarët, por edhe për shoqërinë më të gjerë. Hafizi qe njeri i të gjitha moshave. Ishte prindër i respektar, por ishte edhe shok e  koleg shumë i afrër dhe i respektuar. Por, njerëzit e mirë dhe punëtor, vdekja i merr para kohe. Para kohe e mori edhe kolegun dhe veteranin e arsimit shqip, Hafiz Gashin, njërin nga veprimtarët e  dalluar të  dijes së sportit.

Andaj, nga sot, profesor Hafizi na mungon. Na mungon dhe, mungesa e tij është e ndjeshme. Ai nuk kurseu asgjë nga veti. Punoi dhe punën e  bëri punë. Qe njeri fjalë pak e shumë punë. Punën e respektoi dhe kurrë nuk u lagua nga  ajo. Ishte një zë i ëmbël i shoqërisë. E deshën shkollarët, por e adhuruan edhe kolegët dhe masa e gjerë e popullit. Ishte njeri me veti progresive. Fliste ëmbël si zog mali, por vizioni i tij, për ecje përpara, ishte përtej të tjerëve.  Dinte ta organizojë shoqërinë, sepse e kishte një “takt” të edukatës së rrallë  familjare. Puna e tij përherë ka shkëlqyer. Pas kësaj, tek ai e shoqëria vinin rezultatet e shumta. Ky ishte kontributi i tij si veprimtarë i palodhshëm në fushën e  dijes së kulturës fizike.

Hafiz Gashi lindi më 21 mars të vitit 1945 në fshahtin Suharnë, komuna e Bjujanocit. Më vonë, për shkaqe socio-ekonomike shpërngulet nga vendlindja dhe vendoset në fshatin Dobërçan, komuna e Gjilanit. Jo vetëm kaq. Ai, pas 23 vjetësh migroi nga Dobërçani  në Gjilan. Të gjitha  shkalltë e shkollimit i kreu në Gjilan. Studioi në Universitetin e Sarajevës- Fakultetit i Kulturës Fizike, dega Edukatë fizike.

Mirëpo, për shkaqe të kushteve jo të mira ekonomike, akoma pa i përfunduar studimet filloi punën me ditar në dorë në Gjimnazin “9 Maji” të Kamenicës, më 1970. Këtu puno vetëm dy vite me ditar në dorë. Hafizin, më vonë e gjejmë duke punuar në ish-Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan, gjatë vitit 1972 deri në vitin 1974. Me transformimin e Shkollës Normale në Akademi Pedagogjike, në vitin 1975, Hafiz  Gashi  ndërroi punën dhe kaloi në Qendrën e përgjithshme të arsimit të mesëm. Në këtë Qendër arsimore, ai punoi  deri në vitin 1999, ku pushtetit i një kohe i largoi jo vetëm mësimdhënësit nga procesi mësimor, por edhe shkollarët nga objektet e tyre shkollore.

Përkundër vështirësive, ku mësimi mbahej nëpër shtëpi private të ashtuquajtuara “Shtëpi-shkolla”, mësimdhënësit dhe shkollarët shqiptarë nuk u dorëzuan para një aparati gjenocidial serb. Po kështu, pas vitit 1991, Hafiz Gashi ushtroi detyën e zëvendësdrejtorit në shkollën e mesme të Bujqësisë “Arbëri” në Gjilan. Pak më vonë, ai zgjedhet drejtor i Palestrës Sportive “Bashki Selishta” të këtij qytetit.

Po kështu, Hafiz Gash është dalluar për punë të  shkëlqyeshme në procesin edukativo-arsimor pranë Shkollës Normale të nëj kohe. Ka zhvilluar shumë aktivitete të lira sportive. Ka  qenë themelues i Klubit Volejbollit “Akademiku”, i cili ka  fundksionuar në kuadër të Shkollës Normale në fjalë. Qe kryetar i Klubit të  volejbollit “Akademiku” e shumë aktivitete të tjera. Hafiz Gashi do të përkujtohet si njeri e si veprimtar i madh i arsimit shqip.

Ai nuk kurseu asgjë nga veti për të mirën e shkollës kombëtare shqipe. Por, ja vdekja! Ajo po i merre njerëzit para kohe. Para kohe e mori edhe profesorin Hafiz, i cili dha shumë nga vetja për të mirën e vendit dhe popullit. Një vdekje e dhimbshme për të gjithë. Vdiq më 22 qershor 2017. Zoti e shpërblefët në botën e amshuar!/Tefik Selimi

You Might Also Like