Gjilan, 19 prill 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur në një takim fituesin e Kupës së Kosovës dhe kampionin absolute në bodibilding, Flamur Grabovcin, të cilin e ka përgëzuar për këto suksese të jashtëzakonshme.
“Sportisti Grabovci është një talent dhe sportist që me përkushtim të madh dhe disiplinë në punë, duke dhënë maksimumin e tij, është kuadri që do ta përfaqësoj denjësisht Kosovën në të gjitha garat e bodibilding-ut në rrafshin ndërkombëtar. Komuna e Gjilanit do të vazhdojë mbështetjen e saj për këtë sportist dhe kolegët e tij. Gjilani, si qytet i sportit, natyrisht që në brendin e vet ka hise edhe suksesi i kampionit Flamur Grabovci, të cilit i dëshirojmë shëndet në përfaqësim gjatë të ardhmes”, ka thënë kryetari, Lutfi Haziri.
Ndërsa, sportisti Flamur Grabovci, ka thënë se nga viti 2016 deri më sot, Gjilanit i ka sjellë kupën e shtatë duke kulmuar me këtë të fundit si kampion absolut, përderisa ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe.
“Për tri vjet kam sjellë në Gjilan shtatë kupa me këto të fundit. Kemi marrë ftesën e parë për përfaqësimin e Kosovës dhe jemi duke punuar vazhdimisht që nga garat ndërkombëtare të kthehemi me trofe si përfaqësues të Kosovës. Falënderoj kryetarin Haziri për mbështetjen që ka dhënë për mua dhe kolegët tanë”, tha ai.
Në fund, Grabovci theksoi se është duke punuar shumë që nën petkun e përfaqësimit të Kosovës të sjellë rezultate më të mëdha.