OPINION

Hienat ende duken, por jo si dikur

Izmi Zeka
Shëtis bulevardit të qytetit tim dhe asgjë nuk ngjan si dikur. Nuk i shoh miqtë e mi të vjetër e të rinj dhe më krijohet përshtypja se ka ndryshuar gjithçka. Mund edhe të gaboj apo edhe gjykimi im të jetë i tejshkuar, apo koha ka ndryshuar rrënjësisht.
Bulevardi i qytetit tim dikur kishte një pasha dhe të gjithë thirreshin në emër të pashait e sot nuk e di në emër të kujt të thirresh, të bërtasësh apo edhe të shkruash. Qyteti im, sipas babait tim, kishte edhe një piramidë e çka jo tjetër!
Disa thonë se këtu lindi Skënderbeu, disa të tjerë thonë se Prometheu gjendej në cep të qytetit. E tëra kjo është një histori e çuditshme, kështu kam lexuar, kështu shkruan edhe në dokumente arkivore. Shëtitje nëpër histori. Dikush thotë se ne kemi të drejtë, dikush thotë se jemi denbabaden, këtu. Vaj halli për ata që s’e dinë se prej nga janë!
Qyteti im thonë se e ka njohur edhe Napolon Bonapartën, bile-bile thonë se këtu diku në mes të qytetit e kanë takuar me kolona ushtarësh. Napolonit i kishte pëlqyer shumë burrëria dhe trimëria e kësaj ane e disa prej tyre kishin bërë lidhje gjaku. Qyteti im i bukur i kishte dashur shumë perandorët, ku ata shkonin e vinin dhe harronin se kishin kaluar këtej dhe kishin kaluar net të mira.
Kalldrëmet nëpër qytetin tim nuk janë si dikur, as kalorësit nuk shihen fare dhe shumë herë ndalem e mendoj se ku mbetën, ku u tretën dhe kush vodhi jetën e këtij vendi. Babai dhe gjyshi im kanë bërë historinë, por qyteti im as që ka dëgjuar për ta, as që ka shkruar për ta. Jo jo as përmendore nuk ka askund. Nuk e di përse!
Në bulevardin e qytetit tim kanë kaluar pashallarë, bejlerë e çka të thuash. Kjo është historia e qytetit tim. Kanë vdekur shumë njerëz, kanë shkruar edhe libra ku unë jam rritur me baladat për heronjtë e vendit tim. Balada thonë se është shkruar herët, qëkur nuk mbahej mend, por jeta nëpër kalldrëmet e qytetit nuk ndryshoi asnjëherë. Dhe, kjo me bën të rishoh gjithçka që ka kaluar që nga veriu e jugu, lindja e perëndimi për të parë pse nuk rrezatoi dielli më herët.
Te kroi buzë qytetit shkruan “Këtu pushojnë luftëtarët e panjohur”, mbishkrim i cili nuk ka as vit e as datë. Buzagazin më të madh fëmijët e kalojnë te “Kroi i luftëtarëve të panjohur”. Për çudi luajnë, por as që e dinë se çka shkruan apo pse është shkruar. Thënë të drejtën as unë vetë s’e di. Thonë ka mbetur prej kohësh. Dhe me kaq përfundon kjo e dhënë. Kështu ikën vitet, shekujt e qyteti im ishte bërë pikëkalim edhe i bajlozëve të zinj. Bajlozët shkatërruan gjithçka. E ne jetonim siç më ka treguar babai me ankthin e pritjes të një dite të mirë. Ishte një pritje e gjatë për të thënë me shekuj. Bajlozëve shumë herë u kishin ndihmuar njerëzit e qytetit tim. Kjo ishte dhimbje e madhe që e bënte jetën edhe më të rëndë.
Diku në fund të shekullit XX, edhe pashallarëve, bejlerëve, agallarëve e bajlozëve, hienave të zeza iu erdhi fundi.
Tani qyteti im ka pamje tjetër jo me kalldrëmet siç kisha dëgjuar, as me baladat që ishin më shumë për ngushëllim, jo as me shollat që trembnin dallëndyshet në fluturim.
Tri shkronja të arta bënë benë dhe mund të them se tani marrim frymë lirshëm. Edhe pse qyteti im apo thënë më ndryshe një pjesë e qytetit tim ende jeton me plagët e të kaluarës, me krismat dhe varret te bregu i qytetit. Ka të tillë që ende mallëngjyeshëm flasin për të kaluarën e tyre, jetën e tyre për bajlozët e hienat. Por, iku ajo kohë dhe bashkë me të edhe errësira përfundoi.
Për habi shpejt u harrua e djeshmja. Grilat nuk kanë të përfunduar. Hienat ende duken por jo si dikur. Kjo më dhemb. E kthehem te varret e të rënëve për pak jetë e flas me vetveten: athua mallkimi paska qenë pjesë e shekujve tanë.
Për një moment kthehem dhe e mendoj Adem Jasharin dhe filloj të ndjehem i freskët, i lirë, plot jetë. Po kujt t’i tregoj. Kështu ndjehem, kështu e shoh kapërcimin nga nata në dritë. Do të dal pakëz të marr aromë historie, ndoshta, ndoshta mendja më kthjellohet.

You Might Also Like