Fitim RIFATI
Anamorava ka qëndruar gjithnjë në ballë të detyrës kombëtare për liri nga robëria shekullore dhe për bashkim të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Në panteonin e këtij ideali, në historinë e shqiptarëve gjatë shekullit XX, pa dyshim, bënë pjesë edhe Idriz Gjilani.
Idriz Hajrullahu, i njohur në histori dhe historiografi si Mulla Idriz Gjilani, u lind më 4 qershor të vitit 1901, në një familje me traditë atdhetare shqiptare nga Velekinca antike e Gjilanit. Në mungesë të shkollave shqipe, sikurse fëmijët e brezit të tij, ndoqi mësimet fetare në shkollën fillore të Cernicës dhe atë të mesme të Gjilanit, ku u dallua për zgjuarsi e shkathtësi. Më 1924-1925 u detyrua të kryente për 2 vite rresht shërbimin ushtarak në armatën serbo-kroato-sllovene. Ndërkohë, në vitin 1926 u diplomua për shkencat teologjike, ç’ka i mundësoi të predikonte mësime fetare dhe të kryente funksionin e imamit, nën uniformën e të cilit diti të maskohej me mjeshtëri, për të kryer aktivitete të ngjeshura politike, kombëtare, religjioze e arsimore dhe për t’u mishëruar me politikën gjenocidare serbo-jugosllave që rëndonte mbi supet e shqiptarëve.
Gruaja e parë dhe e dytë i vdiqën, kurse në martesën e tretë me Hatixhen nga Gjilani pati 3 fëmijë. Ndërmjet dy luftërave botërore, si i ri mbajti kontakte me struktura të Organizatës “Xhemijeti”, me “Komitetin e Kosovës” e me Ferhat Dragën dhe në vazhdimësi kundërshtoi e pengoi shpërnguljen masive të shqiptarëve drejt Turqisë. Njohja e gjuhëve orientale dhe asaj serbo-kroate i mundësoi shfrytëzimin e literaturës mbi shkenca të ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë, duke i formësuar atij një kulturë të gjerë të dijes, që e afirmoi si intelektual dhe në zgjedhjen si kryepredikues në Kuvendin fetar e arsimor të Shkupit, më 1938.
Sakaq hartoi dhe publikoi disa shkrime në organe të kohës me përmbajtje religjioze e dha ndihmesë të pakursyer për arsimimin e rinisë shqiptare. Njëherazi, në Shkup realizoi kontakte me agjencitë e akredituara diplomatike evropiane dhe krijoi e mbajti lidhje sekrete me personelin e zyrës së konsullatës shqiptare, nga e cila u furnizua me libra në gjuhën shqipe. Ishte pjesë e Organizatës së Rinisë Përparimtare “Drita”, e formuar në klandestinitet në prill të vitit 1937, në Arllat të Drenicës. Mbajti fjalime fetare e patriotike në institucione të kultit e oda, zgjidhi shumë ngatërresa e pajtoi gjaqe, duke përdorur dijet në funksion të bashkimit, atdhedashurisë dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Për të, uniteti mes shqiptarëve nuk arrihej në rrugë të përkatësisë së njëtrajtshme konfesionale. Ai i konsideronte vëllezër të gjithë shqiptarët myslimanë e të krishterë. Prandaj kultivoi marrëdhënie të shkëlqyeshme me ta, por tërhiqte vërejtjen se ndërveprimi i çfarëdoshëm i shqiptarëve me armiqtë shekullorë, nuk u sillte lirinë dhe bashkimin. Kësisoj, kjo veprimtari dinamike ndikoi në ngritjen patriotike të Idriz Gjilanit në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1941, kur Lufta Botërore përfshiu Kosovën, krahas funksionit të nënmyftiut, iu përkushtua në masë aktivitetit politik, sepse pjesa më e madhe e trojeve shqiptare, përfshi Gjilanin dhe anën e majtë të lumit Morava, u bashkuan me Shqipërinë në kushtet e okupimit dhe administrimit italian. Mirëpo, ultimatumet dhe synimet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë gjoja “për çlirimin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit”, binin ndesh me interesat kombëtarë të shqiptarëve. Në Kuvendin e Gjilanit, të 2 gushtit të vitit 1943, Idriz Gjilani mbajti një fjalim vizionar e historik. Në mes tjerash, deklaroi: “… Partizanët e Titos po i afrohen kufijve të Shqipërisë etnike… Kosova jonë, edhe ashtu e copëtuar, nesër ka për t’u bërë kasaphanë e komunistëve jugosllavë dhe e çetnikëve serbë e malazezë…”.
Pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1943, në Prizren u krijua Lidhja e Dytë e Prizrenit. Komiteti i saj formoi edhe Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit të Shqipërisë etnike në anën lindore të Kosovës, ndërsa Idriz Gjilani u emërua komandant i forcave të armatosura vullnetare, kundër depërtimit të njësiteve e brigadave partizano-çetnike.
Kësisoj, i përkushtuar plotësisht ndaj atdheut dhe idealeve të popullit shqiptar, ai u bë njëri nga figurat më të shquara të udhëheqësve fetarë të Kosovës, të angazhuar në qëndresën kombëtare dhe për realizimin e aspiratave politike. Në Epopenë e Gjilanit, nga qershori deri në dhjetor të vitit 1944, Idriz Gjilani luftoi dhe udhëhoqi me dinjitet qindra e mijëra vullnetarë për mbrojtjen e Kosovës Lindore, në një vijë frontale të shtrirë në distancë prej 170 kilometrash nga Llapi në Karadak. Ai, me bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë, e shndërruan nënprefekturën e Gjilanit në digë mbrojtëse dhe pararojë të Shqipërisë etnike. Në Luftën e Velegllavës dhe të Kikës, në qershor dhe korrik, forcat e armatosura të komanduara prej tij, i thyen forcat agresore të armikut dhe iu shkaktuan atyre dëme katastrofale në njerëz dhe arsenal lufte. Po ashtu, jehonë të madhe bënë edhe fitoret e shtatorit në luftën për Preshevën e Bujanocin dhe fitorja e tetorit në luftën e Breznicës, që u arritën në saje të komandimit të tij strategjik. “Vigjilenca është kusht për fitore”, proklamonte ai para vullnetarëve të armatosur në mbrojtje të kufirit.
Megjithëkëtë, depërtimi me dinakëri i brigadave partizano-çetnike në Gjilan, më 16 nëntor 1944, nuk sprapsi a nënshtroi krerët e forcave vullnetare. Më 1 dhjetor të atij viti, Idriz Gjilani mori pjesë në Kuvendin e Tërpezës, në të cilin u formua Shtabi Suprem i Kosovës dhe u vendos të vazhdohej rezistenca shqiptare. Fitorja e madhe e Desivojcës kundër Brigadës XVII Maqedonase, në gjysmën e dytë të muajit dhjetor, i dha hov ndërmarrjes për çlirimin e përkohshëm të Gjilanit. Mirëpo, masakra e Gjilanit në të cilën humbën jetën mijëra civilë shqiptarë, tronditi popullsinë e kësaj treve dhe gjithë Kosovës. Ndërsa rreth 8.000 të varë e të masakruar në Anamoravë e Karadak nga njësitë dhe brigadat partizano-çetnike, alarmuan Idriz Gjilanin për rrezikun e shkatërrimit të tërësishëm të popullit shqiptar. Rrjedhimisht, me kërkesë të tij u shpërnda Shtabi Drejtues i Rezistencës për Kosovën Lindore, duke porositur për vazhdimin e qëndresës në forma të ndryshme. Rasti i fundit kur ai ndau momente me publikun ishte 29 dhjetori i vitit 1944, për të kaluar në klandestinitet të thellë dhe për t’u strehuar në shtëpinë e Sali Sadik Gjyrishecit të Gollakut, ku qëndroi i izoluar nga masa për afër 5 vite, duke humbur mistershëm gjurmët ndaj pushtetit jugosllav, që me frikë, shqetësim e padurim po e kërkonte për ta dënuar.
Për rrjedhojë, u sakrifikua edhe familja e tij. Në janar të vitit 1945 i vranë e pushkatuan babanë, Hajrullahun, të vëllain, Bajramin, të afërm të familjes, miq etj. I bastisën shtëpinë, i konfiskuan pasurinë, ndërsa familjen e dënuan me burg shtëpiak, rrethim ushtarak e zhvendosje të dhunshme nga shtëpia. Veç burgosjes dhe torturave ndaj të vëllait, Mehmetit, edhe bashkëshortja e Idrizit, Hatixheja, u persekutua mizorisht dhe u burgos në Gjilan e Ferizaj nga hetuesit dhe organet e OZN-s, rrjedhimisht UDB-s famëkeqe, por ajo nuk pranoi përuljen, kallëzimin a dorëzimin e bashkëshortit. Paralelisht me këtë, në sarkofagun që u strehua, Idriz Gjilani në mijëra faqe shkroi kujtimet për luftën e tij dhe të bashkëluftëtarëve në mbrojtje të tokave shqiptare. Njëkohësisht, mbajti lidhje të fshehta me përfaqësues të rezistencës kombëtare, me Organizatën Nacional-Demokratike Shqiptare të Halim Oranës dhe me Besën Kombëtare të profesor Ymer Berishës. Mirëpo, organet e UDB-s dhe agjentët e saj dekonspiruan vendqëndrimin e Idrizit dhe, më 22 nëntor të vitit 1949, e burgosën në Gjilan. E torturuan dhe e keqtrajtuan në mënyra të ndryshme, madje duke përdorur edhe zjarrin nën kokën e tij, por ai nuk ua dha efektin që kërkonin. Betimi i tij se nuk do të tradhtonte atdheun e kombin dhe se do të luftonte deri në fund të jetës për lirinë e Shqipërisë së bashkuar, arriti kulmin e vetëmohimit personal. Më 2 dhjetor të vitit 1949, organet e UDB-s e nxorën nga qelia dhe në periferi të Gjilanit, me ndihmën e lëndëve djegëse të derdhura mbi trupin e tij, e ekzekutuan me metodën e zjarrit, sikurse inkuizicioni që kishte likuiduar Gjordano Brunon në vitin 1600.
Jetëshkrimi vëllimor i Idriz Gjilanit, na lejon të nxjerrim tri konstatime universale:
Së pari, portreti i tij poliedrik shtrihet në dimensione të ndryshme si: atdhetar, arsimdashës, fetar, poliglot, intelektual, orator, i njerëzishëm, human, tolerant, demokrat, me autoritet e karakter të fortë, parimor, liridashës e idealist, luftëtar i guximshëm e strateg luftarak, iluminist dhe vizionar.
Së dyti, njohja me 10 pushtete e regjime okupuese të Gjilanit e Kosovës gjatë gjithë jetës së tij, i shërbeu për formimin e personalitetit dhe karakterit në radhë të parë patriotik shqiptar.
Dhe, së treti, jeta dhe veprimtaria e tij si atdhetar e si fetar, është vlerë e pazakonshme e relikt i pathyeshëm i një figureje të rrallë që binomin atdhe e fe, fe e atdhe, ka arritur paralelisht ta gërshetojë dhe përfundimisht ta shkrijë në shërbim e shkallë të përgjegjësisë historike, për lirinë dhe bashkimin e Shqipërisë. Profili i tij prej lideri fetar, është shembulli më brilant i një personaliteti fetar, hoxhe a prifti, që ka vënë jetën vetjake e familjare në altarin e lirisë dhe bashkimit të kombit të vet. Mulla Idriz Gjilani dinjitetshëm radhitet në plejadën e klerikëve të martirizuar për ruajtjen e qenësisë shqiptare, si: Pjetër Bogdani, Haxhi Zeka, Papa Kristo Negovani, Luigj Palaj e shumë të tjerë.
Marrë për konsideratë konstatimet e mësipërme, mund të konkludojmë se Idriz Gjilani është apostull i shqiptarizmit dhe emblemë e Shqipërisë etnike. Ai ka lënë trashëgimi të përjetshme simbolin e heroit, për edukimin dhe arsimimin e brezave pasardhës në frymë atdhetare dhe për organizimin e mëtejshëm të luftës çlirimtare. Veç kësaj, ka tejkaluar përmasat e gjeografisë
shqiptare dhe ka impresionuar qarqe të ndryshme të botës, duke zënë vend të rëndësishëm në anale të mendimit shkencor, atdhetar e religjioz. Për qëndresën dhe orientimin e tij euroatlantik, shkruan organe shtetërore e publicistike të perëndimit. Institucione shkencore e fetare, kombëtare dhe ndërkombëtare, e kanë radhitur ndër 100 personalitetet më të shquara të botës myslimane dhe të kulturës islame tek shqiptarët gjatë shekullit XX. Krahas kësaj, ndonëse për dekada të tëra mbeti i anatemuar dhe i pastudiuar, të arriturat enciklopedike e të historiografisë shqiptare janë të çmueshme dhe vazhdojnë më tej ndriçimin dhe pasqyrimin e këtij personaliteti të rrallë. Në nderim të jetës dhe veprës së tij heroike i janë ndarë dekorata presidenciale e mirënjohje, u emëruan rrugë, institucione shkollore e të besimit, u ngritën buste dhe u hap një muze në familjen e tij. Ai u bë frymëzim edhe në artin letrar, muzikor dhe në atë pamor.