OPINION

Të krijohet një frymë shtetërore për shkollat

Shkruan: Fehmi Sylejmani

Përderisa nuk krijohet fryma e vërtetë arsimore nga mekanizmat më të lartë shtetëror, duke ofruar dëshmi bindëse dhe serioze për opinionin dhe qytetarin se shkolla ka vlerë dhe vetëm arsimi cilësor është e ardhmja e këtij vendi, rezultatet e përgjithshme në këtë sferë do të jenë të mangëta dhe në fund të pusit. Këtë frymë shtetërore duhet sensibilizuar me të madhe, përmes fushatave vetëdijesuese, ngritjeve të kapaciteteve profesionale, përgjegjësive dhe llogaridhënies nga të gjithë akterët. Veç kësaj duhet rishikuar, verifikuar dhe përmirësuar kurrikulën aktuale. Sqarime shtesë dhe të vazhdueshme me stafin e sistemit arsimor në përgjithësi e me mësimdhënësit në veçanti. Identifikimi i personelit që nuk janë të përkushtuar në mësimdhënie. Një pjesë e kuadrit në mësimdhënie është e paaftë, e papërgatitur dhe e konsumuar. Duhet trajnime kredibil për aftësimin dhe përgatitjen e mësimdhënësve dhe stafit drejtues me kurikulat e reja, veçmas gjatë pushimit veror. Në këtë dështim përgjegjësi të madhe kanë edhe prindërit, të cilët fare pak kujdesen dhe interesohen për fëmijët e tyre. Prindërit duhet të përkushtohen më shumë dhe të përcjellin fëmijët e tyre me pjesëmarrje më aktive në shkollë, duke kontribuuar në forma të ndryshme. Dhe një nga shkaktarët kryesor i dështimit në testin PISA 2022 është edhe vlerësimi i nxënësve, kur dihet mirëfilli se, sot pothuajse asnjë nxënës nuk përsërit klasën, teksa suksesi është tepër i lartë dhe i fryrë, e rrallë ndonjë nxënës përjashtohet nga shkolla për shkak të numrit të madh të mungesave të paarsyeshme. Na duhet një vlerësim më real i pa ndikuar nga askush, korrekt, i pa korruptuar dhe në përputhje me instrumentet vlerësuese. Në këtë rezultat të dobët fajtorë janë mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe pa dyshim shteti me politikat e gabuara arsimore, duke nisur nga punësimet partiake në shkolla. Po ashtu edhe mos ndryshimi i disa ligjeve jo të mira, të cilat po kontribuojnë në rënie të suksesit si dhe mos inicimi i ligjeve të reja konform rrethanave aktuale dhe bashkëkohore. Gjërat nuk ndryshojnë duke heshtur e duke mos vepruar.

You Might Also Like