OPINION

INFORMIMI NË ZONËN OPERATIVE TË KARADAKUT

Dr. sc. Enver Sadiku

Në luftërat çlirimtare informimi është aspekt i rëndësishëm, ngase nëpërmjet tij përpos që vihet në pah lufta e drejtë për çlirim para opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, ky sektor njëkohësisht është element i rëndësishëm për motivim të luftëtarëve dhe mbajtjen e shpresës te popullata civile se liria nuk është larg.
Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së, opinioni vendor dhe ai i jashtëm, ndonëse më shumë vështirësi, janë njoftuar për shumicën e zhvillimeve në terren e në këtë informim, i cili më pas ka shërbyer si bazë për krijimin e reportazheve e lajmeve radio-televizive e të shkrimeve nëpër gazeta e revista dhe në mediume të tjera, rol me rëndësi kanë luajtur shërbimet për informim publik që kanë qenë në kuadër të Zonave Operative të UÇK-së.
Në Zonën Operative të Karadakut, në kohën kur mediumet shqiptare në Kosovë ishin mbyllur dhe puna e korrespondentëve në terren ishte pamundësuar, shkaku i ndërprerjes të të gjitha lidhjeve të komunikimit, në fillim të vitit 1999, me vendim të shtabit të ZOK-ut dhe komandantit Ahmet Isufi – Rexha, ishte formuar Shërbimi për Informim në kuadër të ZOK-ut, i cili qëllim parësor kishte informimin e ushtarëve të zonës, të popullatës, të opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar.
Kështu, përgjegjëse për informim të brendshëm ishte emëruar Hanumshahe Abdullahu – Zymberi, nga shtëpia e të cilës në fund të lagjes “Dardania” disa herë ishte raportuar dhe ishte ajo që ndër të parat ka rënë në altarin e lirisë në Zonën Operative të Karadakut, më datë 16 prill 1999.
Nga Shërbimi për Informim Publik i Zonës Operative të Karadakut, i cili udhëhiqej nga Ismet Sylejmani, i njohur me pseudonimin e ushtarit të UÇK-së, Sokol Gashi, nëpërmjet telefonit satelitor të komandantit të Zonës, nga vatrat e luftës raportimet kanë qenë të rregullta për Radio Televizionin Shtetëror të Shqipërisë (RTSH), i cili programin e jepte edhe nëpërmjet sinjalit satelitor dhe ishte burim i informatave për popullatën e mbetur në Kosovë, atë që e kishte lëshuar vendin, për diasporën, por edhe për ushtarët e zonave.
Pikërisht nga Zona e luftës dhe nga Shtabi i Zonës Operative të Karadakut është raportuar edhe për Kosova Pressin e në disa raste edhe për Deutsche Welle, që jepte edicione të lajmeve në gjuhën shqipe.
Nga Shërbimi Publik i Zonës u dhanë dhjeta informata, nëpërmjet të cilave raportohej për zullumin që forcat serbe bënin nëpër fshatrat shqiptare, për veprimet ushtarake në tërë zonën, aksionet e njësiteve guerile të UÇK-së, lëvizjet dhe koncentrimet e forcave serbe, Betejën e Lavdishme të Zhegovcit dhe betejat e tjera kudo nëpër zonë, për rënien e luftëtarëve të lirisë, por edhe për dëmet që iu shkaktuan forcave agresore, sikurse edhe për jetën e vështirë të banorëve në male dhe mbajtjen e shpresës për ta se liria nuk është larg e se fitorja e çlirimtarëve është e pashmangshme.
Informatat që lëshoheshin nga Shërbim Publik i Zonës hartoheshin asisoj që në kreun e tyre cekej se cilit medium i dedikoheshin.
Në kreun e tyre zakonisht paraqitej zhvillimi i betejave dhe intensiteti i tyre.
Raportohej për numrin e të vrarëve dhe dëmeve që i shkaktoheshin armikut, por edhe të luftëtarëve të lirisë që binin në fushën e nderit. Informatat përmbanin të dhëna edhe mbi gjendjen e popullatës në terren dhe përfundonin me shtimin e radhëve të UÇK-së dhe hapërimin e sigurt drejt fitores.
Në secilën nga informatat që jepeshin është shënuar edhe data e hartimit të tyre dhe ato ishin të nënshkruara nga Sokol Gashi, udhëheqës i Shërbimit Për Informim Publik në ZOK.
Për zhvillimet në Gjilan e rrethinë, në pjesën që e mbulonte Zona Operative e Kardakut është njoftuar edhe opinioni i jashtëm. Ismajl Kurteshi ishte emëruar përgjegjës për informim për mjetet e huaja të informacionit dhe menjëherë kishte filluar kontaktet me radiostacionet që emitonin emisione në gjuhën shqipe, si Deutsche Welle e BBC.
Opinioni u informua sa herë që informuesit kishin mundësi, ngase në kushte kur qyteti ishte në rrethim të plotë dhe në kushte të prishjes të telefonit satelitor, kishte rrethana edhe kur nuk mundej të jepeshin informatat.
Edhe televizioneve të tjera, sidomos atyre nga Zvicra, televizioneve që jepnin lajme në gjuhën angleze, organizatave të ndryshme joqeveriate dhe humanitare, të cilat ishin lidhur me këtë burim informimi u janë dhënë informata në lidhje me zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës.
Edhe pse e kishin të kufizuar lëvizjen, informatat që merreshin nga qytetarët, ato jepeshin edhe nga subjektet politike, kurse të gjitha ato informata që i merrte Fazli Abdullahu, kryetar i KLMDNJ-së, të gjitha hartoheshin e më pas edhe transmetoheshin.
Është informuar dendur sidomos gjatë bombardimeve, që nga 23 marsi e deri më 12 qershor, deri në kohën kur me ardhjen e lirisë në Gjilan fillojnë të depërtojnë edhe gazetarët.
Në të gjitha këto informata jepeshin shpjegime për gjendjen në komunën e Gjilanit.
Në informata përherë u përdorën elemente që qytetarët të binden që të mos e lëshojnë vendin, ngase në atë kohë kishte qytetarë të atillë që donin të largoheshin dhe largoheshin.
Qëllim ishte që qytetarët të lajmërohen se bombardimet shumë shpejt do të përfundojnë, që Serbia pothuajse ka kapitulluar, se Serbia ka presion të madh dhe se nuk duhej lëshuar vendin, andaj kërkohej që sa më pak të lëshohej Kosova, ngase nëse të gjithë civilët largohen, atëherë ka qenë e pamundur edhe për UÇK-në që të operojë, sepse civilët ishin logjistika, pjesa civile e siguronte ushqimin për çlirimtarët.
Asnjëherë nuk është raportuar nga i njëjti vend e raportuesi ka pasur 12 vende të ndryshme në Gjilan në të cilat ka kaluar natën.
Telefonin me të cilin raportohej e kishte siguruar Shtabi i Zonës Operative të Karadakut, i cili nëpërmjet kanaleve të tija e kishte sjellë në Gjilan.
Të gjitha ngjarjet më të rëndësishme, masakrat e forcave serbe në qytet e nëpër fshatra, gjendja e popullatës, gjendja humanitare e zhvillimet e tjera, ndonëse me vështirësi, janë raportuar për opinionin ndërkombëtar, shpesh edhe nga telefona që për një kohë kanë funksionuar në Gjilan.
Në informatat që jepeshin për mediumet e jashtme, pasi paraqitej gjendja në terren, në to shteteve anëtare të NATO-s i bëhej thirrje që të futet në Kosovë me forca tokësore, që të armatos UÇK-në, kurse nga organizatat humanitare kërkohej që të ngrenë zërin e të ndihmojnë popullatën civile që ishte në gjendje shumë të rëndë.
Me futjen e forcave të UÇK-së dhe të atyre të NATO-s në Gjilan, bashkë me ta u futën edhe gazetarë të mediumeve të ndryshme botërore, por në nivel vendi ende ekzistonte nevoja për informim të popullatës, andaj Shërbimi për Informim i Zonës Operative të Karadakut edhe më tej zhvilloi aktivitetin deri në transformimin UÇK-së.
Të nderuar pjesëmarrës, Informimi në Zonën Operative të Karadakut ishte krah i fortë i luftës çlirimtare, i motivimit të ushtarëve për të qëndruar, i besimit të popullatës se liria nuk është larg, por ishte edhe shtytës i forcave vendimmarrëse në botë për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në përshpejtimin e çlirimit.

Mr. sc. Enver Sadiku
Gjilan, 17 shtator 2013

You Might Also Like