OPINION

JO THIRRJE, POR TITULL

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu
GJUHË
JO THIRRJE, POR TITULL
Dy ishin arsyet që më nxitën të shkruaj për fjalët thirrje e titull.
E para: ngase është bërë praktikë që në jetën e përditshme, te shumë individë, komisione recensuese e madje edhe te strukturat e institucioneve të shkollimit të lartë, në buletine referatesh të kolegjeve universitare e universiteteve publike etj., fjala thirrje të përdoret pa vend, në formën e folur e të shkruar, për ndokënd që e ka ose përparohet në profesionin e tij mësimor-shkencor dhe
E dyta: reagimi me shkrim i një profesori të UP-së që më kishte bërë, kur për të, përveç tjerash, në vend të fjalës thirrje (për zgjedhje e rizgjedhje “profesor”), kisha përdorur fjalën titull.
Fjala thirrje te shembujt që i ndeshim për çdo ditë: “e kam thirrjen e profesorit”; e “ka thirrjen e profesorit ordinar”; “ka thirrje të lartë”; “i jepet thirrja e asistentit”; “tre vetë u zgjodhën në thirrjen e asistent profesorit” etj., është përdorur gabimisht. Në këto raste, një fjalë e tillë, e cila sikur ka lëshuar rrënjë të thella në gjuhën tonë dhe e cila, siç duket, me vështirësi do të çrrënjoset nga mendja dhe fjalori ynë, është thjesht një përdorim i gabueshëm, një kalk (përkthim) i paqëndrueshëm nga serbokroatishtja dhe asgjë më tepër.
Për këtë, po qe se i marrim dhe i shfletojmë, shumë mirë na mësojnë dhe këshillojnë fjalorët e ndryshëm të gjuhës shqipe, ose ata dygjuhësorë: shqip – serbokroatisht apo serbokroatisht – shqip, që i kemi sot në duar.
Te “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Prishtinë, 1981, faqe 2066, për fjalën thirrj/e, -a f. sh. –e, -et, me të cilën shpjegohen nja shtatë kuptime të drejtpërdrejta a figurative, askund nuk thuhet se kjo fjalë mund të përdoret për të emërtuar gradën shkencore a titullin e profesionit. Andaj, si e tillë, edhe nuk e ka vendin te shembujt e shënuar. Në vend të kësaj fjale mund dhe duhet të përdoret fjala titull, e cila duhet të fitojë shtrirje më të gjerë dhe përdorim më të madh te sintagmat e tilla, që i zumë në gojë më sipër, ngase fjala titull është ajo fjalë që e mbulon plotësisht dhe më së miri semantikën e emërtimit përkatës.
Mendimin tonë për përdorimin e fjalës titull në vend të thirrje, po ky fjalor, vetëm sa e përligj edhe në faqen 2001, ku fjalën titu/ll, -lli m. sh. -j, -jt, përveç katër kuptimeve të tjera që i ka, e shpjegon si “emërtim që i jepet një punonjësi shkencor a mësimor ose një specialisti të lartë, që ka një gradë shkencore, ka një veprimtari të pasur në punën shkencore pedagogjike, udhëheq punën e specialistëve të rinj dhe ka botuar punime shkencore. Titulli “profesor” (“docent”, “bashkë-punëtor i vjetër shkencor”).
Një shpjegim të tillë e ndeshim edhe te “Fjalor shqip-serbokroatisht”, Prishtinë, 1981, faqe 940, në pikën 2, ku thuhet se fjala titu/ll, -lli m. pl. –j, të cilën duhet ta përdorim në shqip, ka kuptimin e “titula, stečeno (akademsko, naučno i dr.) zvanje (doktor, inžinjer i dr.), ndërkaq fjala thirrj/e, -a f. pl. –e, po te ky fjalor, faqe 968, ka kuptimin e serbokroatishtes “poziv; pozivnica; zov; apel” etj., e jo të emërtimit të profesionit.
Këso të dhënash e shpjegimesh për fjalët thirrje – titull kemi edhe te “Fjalor serbokroatisht – shqip”, Prishtinë, 1974, faqe 1006. Kështu, derisa fjala serbokroate “zvanje” (zanimanje) emërton profesionin, pra, shkallën e ngritjes profesionale, ka kuptimin edhe të titullit, fjala thirrje (në shqip) nuk e ka këtë kuptim.
Në raste të caktuara, kemi të përdorur (gjithnjë sipas fjalorëve të shqipes) edhe fjalën gradë, ~a, ~at dhe ~ë, ~ët, por jo çdo herë vetëm si: 1. Njësi e matjes së temperaturës, të shtypjes atmosferike…; 2. Njësi e matjes së këndit ose të harkut,… në gjeometri; 3. Për te termometri. Vë (heq) gradën. 4. Njësi e matjes së dendësisë së nja lëngu ose të sasisë së alkoolit në të; 5. Njësi matjeje në gjeografi: Gradë e gjerësisë veriore (jugore); 6. Shkallë në hierarkinë ushtarake: Gradë oficeri. Gradë koloneli; pastaj në muzikë: grada e parë, e dytë…); në matematikë: Ekuacion i gradës së parë (së dytë) etj.
Me gjithë këto të dhëna, fjala gradë, ~a, mund të përdoret edhe si “emërtim që i jepet një punonjësi shkencor a mësimor ose një specialisti të lartë të prodhimit pasi ka plotësuar kërkesat e kualifikimit pasuniversitar. Iu dha grada ”doktor i shkencave” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Fjalor i shqipes së sotme, “Toena”, Tiranë, 2002, fq. 400). Sipas mendimit tonë, fjalë-termi “titull” më drejt është të përdoret te përparimet (avancimet) në profesion: ka arritur titullin “Profesor asistent”, “Profesor i rregullt” etj., kurse fjalë-termi “gradë” të përdoret te arritjet shkencore, kur akëcili del para komisionit dhe fiton “gradën e magjistrit”, “gradën e doktorit të shkencave” etj.
Nga e tërë kjo që u tha më sipër del se, kur është fjala për zgjedhje a rizgjedhje – përparim të njërit a të tjetrit në profesionin që ushtron, duhet të përdoret fjala titull e jo thirrje. Kështu, edhe fjala e edhe mendimi do të dalin të përdorura drejt (shqip) e jo nën ndikimin e ndonjë gjuhe të huaj, në rastin konkret, të serbokroatishtes “zvanje” – thirrje, siç jemi mësuar ta përdorim qe sa kohë, e madje edhe sot, pikërisht nga ato institucione të larta që e kanë për detyrë të na mësojnë të flasim e të shkruajmë drejt.
Pra, më mirë është të mendojmë, të flasim e të shkruajmë në gjuhën tonë. Fundja, këtë nuk duhet ta marrim vetëm si nder, por edhe obligim profesional e kombëtar.
Nuk e di, por besoj se me këtë do të pajtohet edhe profesori i nderuar që më kishte “korrigjuar”, apo jo?
Gjilan, 4 janar 2024

You Might Also Like