Gjilan, 26 janar / Manifestimi kombëtar i kulturës “Flaka e Janarit 2022”, ka vazhduar tutje rrugëtimin e tij me një tryezë letrare për Jusuf Gërvallën, në dyzetvjetorin e rënies për liri, në një pritë tinëzare të UDB-së jugosllave, më 17 janar 1982, në Untergrupenbah (afër Shtutgartit ) të Gjermanisë.
Studiues letrarë, kritikë të letërsisë e të tjerë, si Anton Nikë Berisha, Emin Azemi, Arsim Halili, Kaltrinë Berisha, Sabit Rrustemi, Mehmetali Rexhepi e Timo Merkuri (në mungesë, kumtesën e tij e lexoi Nexhat Rexha), kanë vënë në pah, nga shumë këndvështrime, vlerat letrare të poezisë së Jusuf Gërvallës, duke i marrë në shqyrtim tri vëllimet poetike, ”Fluturojnë e bien”, “Kanjushë e verdhë” e “Shenjat e shenjta”, të cilat qenë botuar në pjesën e dytë të viteve shtatëdhjeta (1975 – 1979 ), në Prishtinë e Shkup, si dhe nga një përzgjedhje e re poetike, “Dhembje të ndrydhura”, me përzgjedhje dhe parathënie të Anton Nikë Berishës dhe botim nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu.
Në emër të organizatorit, Sabit Rrustemi foli për veçoritë e Jusufit, si poet, këngëtar, gazetar, foli për shkrimet, poezinë, librat e tij, duke nënvizuar se ai dallohej për individualitet krijues.
E për opusin poetik të Gërvallës, me një kumtesë domethënëse u paraqit, Emin Azemi, derisa për përzgjedhjen poetike “Dhembje të ndrydhura”, nga këndvështrimi i saj, foli Kaltrinë Berisha, për njohjen me poezinë e Jusufit, nga Nexhat Rexha u lexua kumtesa e Timo Merkurit (për shkak të masave anticovid nuk mund të ishte i pranishëm), derisa Arsim Halili u ndal te vëllimi i parë poetik ”Fluturojnë e bien”.
Tryeza letrare, ku kontribuoi edhe Mehmetali Rexhepi, u përmbyll me fjalën e studiuesit dhe kritikut letrar Anton Nikë Berisha, një njohës i thellë i artit poetik, i cili ka bërë përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e librit “Dhembje të ndrydhura”, për të cilin libër tha se jo vetëm që komunikon me lexuesin e sotëm, por edhe mund t’i shërbejë atij për të parë një botë të veçantë poetike.
Përndryshe, këtë ngjarje kulturore e begatoi edhe prezenca e bashkudhëtares së Jusufit, bashkëshortes Suzanë Gërvalla, e cila evokoi kujtime për Jusufin, derisa u deklamuan edhe poezi të tij, nga artistë të skenës, Ramadan Kurti e Xhezide Selimi, nën shoqërimin me kitarë nga Mehmetali Arifi.
Manifestimi i sivjetmë “Flaka e Janarit”, vazhdon me Festivalin e Dramës Shqipe, ku sonte (ora 18:00), vjen reprizë shfaqja ‘Viganët’, prodhim i Teatrit të Gjilanit.
Në fakt, është dashur të jepet shfaqja ”Marksistët e leninistët e Zvicrës” e autorit Jeton Neziraj, me regji të Blerta Neziraj, prodhim i Teatrit “Adriana” nga Ferizaj, por kjo shfaqje është anuluar për shkak se njëri nga aktorët ka rezultuar pozitiv me Covid 19.