Gjilan

Karaçeva kërkon që policia e Kosovës ta kontrollojë territorin edhe në këtë pjesë të vendit

Banorët e Karaçevës nuk ndihen të sigurt në fshatin e tyre, shkaku i mos përcaktimit të kufirit me Serbinë, e cila prej pasluftës, po vazhdon të ndërhyjë në territorin e Kosovës, nën pretendimin se një pjesë e kësaj i përket asaj. Vendësit këmbëngulin se janë në pronat e tyre shekullore, por sipas tyre, Serbia po tenton të gllabërojë tokat e shqiptarëve.

Selver Lenjani, kryetar i Këshillit lokal, thotë se policia dhe xhandarmëria serbe po ndërhyjnë pareshtur në territorin e Kosovës, ndërkohë që policia e Kosovës është urdhëruar të mos patrullojë përgjatë rrugës Novosellë-Karaçevë, nga kthesa e deri në hyrje të fshatit.

Lenjani, i cili prej 18 vitesh është duke u marrë me këtë problem, të cilin e ka ngritur në të gjitha instancat vendore e ndërkombëtare, si shqetësim të banorëve të kësaj zone, të cilët nuk po lejohen t`i shfrytëzojnë pronat e tyre, së fundi iu është drejtuar edhe njëherë autoriteteve të Kosovës dhe BE-së në Kosovë, me kërkesë që të urdhërojnë policinë e vendit të lëviz në këtë segment rrugor.

Në emër të Bashkësisë Lokale të Karaçevës, letra është adresuar në emër të presidentit Thaçi, kryeministrtit Haradinaj, kryeparlamentarit Veseli, ministrit të Brendshëm, Sefaj si dhe përfaqësuese4s së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova.

“Kërkojmë nga ju që ta urdhëroni policinë e Kosovës që të lëviz në rrugën e asfaltuar Novosellë-Karaçevë, nga kthesa deri në hyrje të fshatit, sepse ky është territor i Republikës së Kosovës. Sipas dokumentacionit të vlefshëm kadastral, kjo pjesë i takon fshatit Karaçevë”, thuhet në kërkesën e Këshillit lokal.

Lenjani ka prezantuar disa herë edhe harta të vjetra gjeografike e kadastrale, ku dëshmohet se pjesa e territorit, ku Serbia e ka vënë kufirin pas vitit 1999, ka qenë gjithmonë tokë e Kosovës, përkatësisht prona të banorëve të shtetasve të saj.

Për më tepër, banorët e Karaçevës së Epërme, të cilat kanë humbur tokat e tyre, kanë kërkuar disa herë deri tani pezullimin e marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës, sa i përket kufirit Kosovë-Serbi, në këtë pjesë. Ata thonë se nuk do ta njohin këtë realitet të ri, prandaj iu bëjnë thirrje krerëve të shtetit të mos nënshkruajnë kurrfarë marrëveshje mbi demarkimin e kufirit me Serbinë, derisa të mos korrigjohet gabimi.

“Realiteti i ri nuk dëmton vetëm banorët lokalë përgjatë vijës kufitare, por edhe shtetin e Kosovës, sepse cenon territorin e tij“, thotë Lenjani.

Sipas tij, krahasimi i hartës kadastrale të vitit 1962, që e kanë punuar vetë ekspertët serbë, me hartën e re që përdorë pala serbe, tregon qartë se ka devijime, sepse të gjitha këto zona kadatsrale, që tani kanë ngelur matanë vijës kufitare, atëherë dhe deri në luftë, kanë qenë pjesë e territorit të Kosovës.

Në të vërtetë, banorët e Karaçevës nuk kanë heshtur asnjëherë së kundërshtuari, me zë e me fakte, devijimet që kanë ndodhur pas luftës, në vijën kufitare me Serbinë, ku ata kanë humbur tokat e tyre. Madje, kanë mbajtur edhe tubime dhe kanë prezantuar e lexuar edhe harta, të cilat dëshmojnë se ku ka qenë kufiri i vjetër dhe ku është vendosur tani kufiri i ri.

Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë, në të shumtën e rasteve i kanë mohuar ankesat e banorëve për cenimin e kufirit të Kosovës, ndoshta nga fakti se kufiri me Serbinë administrohet në bazë të marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës, e cila, siç thonë banorët, e ka tkurrur Karaçevën për disa kilometra.

“Serbia nuk mund të vendos kufij atje ku dëshiron, por atje ku kufijtë kanë qenë historikisht”, thotë Lenjani.

Demarkacioni i kufirit Kosovë-Serbi, pritet të jetë një temë e nxehtë në marrëdhëniet mes dy shteteve, kurdo që vjen në rend dite. /I.MUSLIU./

You Might Also Like