LAJME

Kërkesë e qytetarëve investimet në infrastrukturë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në takimin që kishte me anëtarët e Grupit të Përbashkët Punues, lidhur me organizimin e debateve dhe dëgjimeve publike për vendimmarrje dhe bashkërendim të aktiviteteve së bashku edhe me qytetarët, ka falënderuar këtë trupë për angazhimin dhe njëkohësisht ka kërkuar që edhe më tutje të punohet në këtë drejtim, duke organizuar qytetarët dhe bashkërenduar aktivitetet me kalendarin e punës së drejtorive komunale.

Grupi, i cili, në përbërje ka kryetarë të këshillave të fshatrave, zyrtarë komunal, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të komuniteteve etj., kanë bërë organizimin e debateve në bashkëpunim me drejtoritë e ndryshme të Komunës së Gjilanit, nëpër zonat rurale dhe ato urbane dhe për vitin 2016. kanë përgatitur listën e prioriteteve për lokalitetet e ndryshme, të cilat janë futur menjëherë në agjendën e investimeve të Komunës së Gjilanit dhe një pjesë tjetër janë të vendosura në prioritetet e vitit të ardhshëm.

Në fjalën e tij në këtë takim kryetari Haziri e ka shumë të rëndësishëm pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe organizimin e debateve konform praktikës së informimit të të gjithë qytetarëve të një fshati a lagjeje.

“Kërkoj angazhim të përbashkët edhe për të ardhmen, sepse vetëdijesimi i qytetarëve që mund të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse tashmë është praktika më e mirë e dëshmuar. Është e drejtë e secilit qytetar të Komunës së Gjilanit që të jetë pjesë e agjendës dhe ajo bëhet vetëm me pjesëmarrje aktive dhe vetëm atëherë kur debatohet dhe prezantohet problemi apo prioriteti me karakter të përgjithshëm, për një numër më të madh të qytetarëve, të një lokaliteti qoftë në qytet apo fshat”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai më tej ka shtuar se vetëm bashkërisht gjithnjë do të caktohen prioritetet e lagjes, të fshatit apo të zonës, ndërsa zgjidhja më e mirë është kur në diskutim të hapur marrin pjesë sa më shumë qytetarë duke përmbushur kështu të gjitha nevojat që janë në hapësirën e Komunës, e të cilat kërkojnë kryesisht investime infrastrukturore dhe të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

You Might Also Like