KV Drita nga Gjilani ka pësuar nga Marica Plovdiv në të dy ndeshjet në kuadër të Champions League, por aventura evropiane e Dritës nuk ka përfunduar me këtë ndeshje, ngase ekipi gjilanas do të vazhdojë garat në CEV Cup.
Ballafaqimin e parë në këto gara, KV Drita do t’a ketë me ekipin zviceran Volleyball Franches-Montagnes, ekipi që stinorin e kaluar kishte zënë vendin e tretë në Ligën Nacionale A të Femrave në Zvicër. Ky klub ishte themeluar më 1991, pasi atë vit ishin fuzionuar dy klube të mëhershme dhe qyteti ku garon quhet Saignelégier në Kantonin Jura të Zvicrës frankofone, që i ka saktësisht 2559 banorë, sipas regjistrimit të vitit 2013. Ekipi udhëhiqet nga një trajner brazilian, Romeu Beltramelli Filho, kurse suksesi më i madh i këtij klubi mund të llogaritet fitimi i Superkupës së Zvicrës më 2005. Ngjyrat e klubit janë kuq e gjelbër, kurse ndeshjet i zhvillon në Palestrën Salle de la Pépinière. Këtë vit ky ekip është forcuar së tepërmi dhe ekipi i tashëm në radhët e veta pos lojtareve zvicerane i ka edhe dy amerikane, dy argjentinase dhe një sllovene.