Sportet me dorë

KH Zhegra pa palestër, por ekip me shumë talentë

 
Nënkampion në junior dhe vendi i tretë në pionier në edicionin 2020/2021.
Të rinjët e skuadrës të hendbollit Zhegra ishin mbledhur në qendër të fshatit.Pak metra më larg qëndronin anëtarët e kryesisë së klubit, që nuk ndaleshin së diskutuari për çështjet organizative. Jo rrallëherë kthenin kokën prapa për ta parë një objekt.
Objekti prapa tyre, në një breg, është palestra e nisur e në të cilën, në bazë të projektit, të rinjtë e Zhegrës, e po ashtu edhe të rriturit, është dashur t’i luanin ndeshjet si vendës që nga viti i kaluar. Por, në palestrën e nisur së ndërtuari katër vjet më parë nuk kanë përfunduar as punët e vrazhda. Përurimi duket i largët.
Larg fshatit, hendbollistët e Zhegrës do të detyrohen ende t’i luajnë ndeshjet si vendës, ashtu si të dielen ndaj Vllaznimit të Gjakovës. Do të detyrohen që ndeshjet t’i zhvillojnë në Gjilan, rreth 12 kilometra larg nga Zhegra.
Kjo rrugë që të rinjtë e Zhegrës e marrin drejt Gjilanit ka qenë thuajse e përditshme qe dhjetë vjet. Ata edhe stërvitjet i zhvillojnë në palestrën e qytetit në Gjilan.
Por, vullneti për ta mbajtur aktiv klubin e hendbollit, simbol i fshatit, tejkalon të gjitha sfidat dhe problemet e përditshme.
“Palestra ka filluar në vitin 2017 dhe është dashur të përfundojë në vitin 2019. Jo që nuk kanë përfunduar punimet, por ka gjasa edhe më tutje të mos përfundojnë. Në vend që ndeshjet t’i luajmë në Zhegër, ne detyrohemi të udhëtojmë në Gjilan. Brenda një viti, tetë muaj i kemi udhëtim Zhegër-Gjilan-Zhegër dhe ndeshjet që zhvillojm si musafir në tër teritorin e Republikës së Kosovës. Prandaj,ne shpresojmë që në ditët dhe vitet në vijim kjo palestër të përfundojë ashtu si i ka hije dhe ne të kemi ku të bëjmë stërvitje”, thotë Bajram Isufi, kryetar i KH Zhegra.
Të lodhur nga kjo situatë janë kryesia dhe lojtarët. Madje, frikësohen se mund të shuhen si talente. Por, vullneti nuk u mungon.
Ka gjenerata të mira dhe nuk ia vlen të shuhen shkaku i një palestre”, thekson Shkodran Shaqiri, hendbollist i Zhegrës.
Edhe Alban Haziri mbetet me shpresë që do t’u bëhet shpejt një zgjidhje. Haziri është lojtar dhe trajner i klubit Zhegra si dhe golashënuesi me i mirë në edicionin 2020/2021.
“Është shumë lodhje, kemi dy herë në javë ushtrime, kemi minibus të vogël, dëshirë e të rinjve është, por besoj se do të merren masa ta kemi më mirë”.
Haziri thotë se motivi i tyre për të kërkuar suksesin është Xherdan Shaqiri. Shaqiri është lojtari më i suksesshëm shqiptar. Futbollisti i Liverpoolit ka lindur në Zhegër, por është rritur në Zvicër.
Nga Zvicra edhe e kanë mbështetjen më të madhe financiare në klub.
Një klub që funksionon me këto kushte të rënda, na mban vetëm vullneti i madh i kryesisë, i qytetarëve, bashkatdhetarëve që na ndihmojnë. Qe dhjetë vjet nuk i kemi ndërprerë garat, kemi rezultate të mira në krahasim me kushtet. Është vërtet e veçantë, një klub nga fshati që ka qenë dy herë në gjysmëfinale të kupës, dy herë kampion me pionierë, dy herë nënkampion me kadetë, tri herë nënkampion me juniorë. Këto rezultate janë e arritur e klubit Zhegra, duke përfshirë kryesinë, por do të ishte e pamundur pa mbështetjen e diasporës, e në veçanti shoqatës ‘Zhegra’ në Gjenevë, e cila pesë vjetët e fundit ka qenë mbështetësja kryesore e jona, pa e anashkaluar komunën, por ato mjete janë tepër modeste për klubin Zhegra”, ka shtuar i pari i klubit, Isufi.
Klubi i hendbollit Zhegra është më shumë se një klub, thotë ai.
“Zhegra, përveç që njihet me figurat e ndritura të kombit si Idriz Seferi, Agim Ramadani, vëllezërit Ukshini dhe shumë të tjerë, tani 20 vjetët e fundit identifikohet edhe me klubin e hendbollit Zhegra, sepse i gjithë fshati dhe rinia i kanë sytë këndej kur klubi ka ndeshje. E gjithë kryesia punon në baza vullnetare, i stimulojmë me mjete hendbollistët kur kemi, por të gjithë këtu punojmë vullnetarisht”, ka theksuar Bajram Isufi.
Klubi i hendbollit Zhegra qe dhjetë vjet nuk i ka ndërprerë aktivitetet, ndonëse në shumë raste ka hasur në vështirësi. Por, Isufi thotë se është motivi i madh i kryesisë dhe angazhimi i lojtarëve që i tejkalojnë të gjitha vështirësitë që hasen rrugës.
Isufit thekson se në dy vjetët e fundit Zhegra i ka 99 për qind lojtarë të fshatit. Ai ka frikë se në të ardhmen mund të mbesin pa gjenerata, meqë thotë se Zhegra pas përfundimit të luftës ka pasur më shumë se një mijë nxënës, derisa sot ky numër është përgjysmuar.
Isufi thotë se rënia e numrit të nxënësve lidhet edhe me mungesën e investimeve në sport dhe infrastrukturën e fshatit. Mungesa e sallës së edukatës fizike në shkollën Agim Ramadani dhe palestrës është një ndër brengat kryesore.
Gjithë rrugëtimin ndër vite të klubit Zhegra e ka përcjellë veterani i sportit, Mexhit Haziri. Haziri vazhdon ta japë kontributin e tij si nënkryetar te klubi Zhegra, që këtë edicion garon në Superligën e Kosovës. Ai kujton edhe kohët kur Zhegra mbushte palestrat. E njëjtë do të ishte sërish nëse do të ishte mundësia që të përcilleshin ndeshjet. Por, shkaku i pandemisë, në asnjë objekt sportiv nuk lejohet prania e shikuesve.
“Na përkrahin gjithnjë. Duke menduar se do ta kemi palestrën, por unë dyshoj. Është sëmundje e udhëheqjes komunale, rinisë duhet t’i krijohen kushte të punojë, por nuk jemi të kënaqur me udhëheqësinë, premtime ka, aktivitete jo”, thotë Mexhit Haziri
Ditë më parë, Zhegra, me një aktivitet modest, shënoi dhjetëvjetorin e inkuadrimit në Superligë. Edhe një herë u dëshmua se Zhegra është më shumë se klub, është simbol i një vendi që ka dhënë shumë për Kosovën. Dhe vazhdon të japë, ndër të tjera, edhe përmes sportit.
 

You Might Also Like