Libri

KONCEPTIMI I ÇILTËRSISË

Mehmetali REXHEPI

KONCEPTIMI I ÇILTËRSISË


Emire Bilalli – Dërmaku: URTËSI NGA FILOZOFIA E JETËS; LENA, Prishtinë, 2024

FUNKSIONI FRENUES I URTISË
Parimi i jetëgjatësisë për të mirën mes njerëzve, që të jetë ajo sa më jetëgjatë varet nga kultivimi i së mirës mes dy apo më shumë palësh. Pra kushtëzohet nga ushqimi i baraspeshuar i subjekteve, ndryshe kësaj hapësire vepron përthithja e pakëndshmes. Pa- shmangshëm kushtëzimi është drejtim i dyanshëm. Në përvojat njerëzore kjo është e dëshmuar sa e sa herë. Përse ndodh çartja ndërmjet njerëzve? Çartja ndodh sepse te njëri ose tjetri subjekt njerëzor del në pah egoja për mbizotërim; vullneti i egos së tjetrit mbi vullnetin e subjektit tjetër. Kështu ndodh, ngase mungon perceptimi i ndërsjellë i vlerës. E ndërsjella në marrëdhëniet e superstrukturës së qëndrueshme njerëzore gjithnjë është ngritur në vlerat përbashkuese. Ky parim njerëzor që të mbahet në lartësinë e duhur lyp tumiren e lëshimeve të dy palëve. Tumirja e mbanë të gjallë marrëdhënien duke e ekuilibruar kundruall tekeve të egoizmit ndërmjet subjektesh. Të shumtën fijet e marrëdhënieve stërkeqen, kur te asnjëri karakter nuk ka gatishmëri mirëkuptimi.
Çka mungoi në këtë diskurs? Këtu mungoi sinqeriteti i mirëfilltë. Në këso marrëdhëniesh mungoi urtësia, andaj dalin në s’përshfaqje s`përputhjet e idealeve ose mangësia e tyre në drejtimin marrje-dhënie reciproke. Kjo rrethanë sociale, psikologjike, etike, qytetëruese shpërfaq reflekse vetëdijesimi apo zvetënimi te njëri ose karakteri tjetër. Madje, po u thelluam më shumë në këtë diskurs, dalin një mori shkak-pasojash të pleksura të karakterit logjik, shpirtëror, etik dhe kulturor.
Pa dyshim autorja Emire Bilalli-Dërmaku në qëmtimet e saj të urtësive, në vëllimin URTËSI NGA FILOZOFIA E JETËS, që sapo doli me këtë trajtë libri, mëtoi t`i vijëzojë disa nga karakteristikat frenuese të urtësisë njerëzore, sipas parimit të ajsbergut, duke spikatur vetëm dukjen e syprinave të tyre, por me qëllime të ndikimit të drejtpërdrejt për lexuesin. Thëniet e urta të autores Bilalli-Dërmaku janë urti të përvojës, që nxisin përjetime shijesh të ndryshme, nga këndi i sprovimit e i këndvështrimit të tyre në jetë. Shprehja pohuese e qasjes sonë qoftë në shumës apo në njëjës, lë të kuptohet si shtytje dinamike e anë-pamjeve pozitive të vlerave njerëzore. Pikërisht këso pamje të përvojës vë në spikamë autorja Emire. Këto urti për t`i përimtuar veç e veç shkrimi ynë do të merrte shtrirje të gjerë shqyrtuese, andaj do t`ua prekim vetëm disa anë të tipologjisë përgjithësuese të tyre.
Gjithsesi, në tërë gamën e urtësive të këtilla, për perceptimin e ngjyrave e të përmbajtjeve të karaktereve që ngërthejnë urtësitë njerëzore për akëcilin gjësend dhe për akëcilën dukuri, të gjitha dalin të gdhendura si rrjedhojë e një kulture të akumuluar nga përvoja njerëzore e mjedisit të autores dhe, leximit të vëmendshëm të përvojës jetëgjatë.
Në librin URTËSI NGA FILOZOFIA E JETËS prej (72) shtatëdhjetë e dy urtësish, kryesisht të shkurta, për zbërthimin vlerësues të tyre mund të shkruanim faqe të tëra. Autorja Bilalli-Dërmaku ka qëmtuar fjalë të urta që prekin sfera të ndryshme të realitetit njerëzor, që nga këndvështrimet intime deri te dukuritë paradoksale, të cilat i hasim në jetën e gjallë të popullit. Në disa nga qëmtimet urtuake të kësaj autoreje, vërejmë kapje të holla të kontrasteve mendore kundruall sprovimeve të përvojës së njeriut. Ca nga urtitë mund të përdoreshin si formula në situata të mjegulluara të gjendjes shpirtërore, për gjetjen e emëruesit të përbashkët të së mirës apo syçeltësi për shmangie grackash, që mund të na i bëjnë ose ia bëjmë vetvetes! Prej reflektimesh të urtive të qëmtuara nga autorja, sheshohen udhë të mjaftueshme për të mos rënë në gracka të ndryshme. Por, situatat e jetës, të cilat janë të vazhdueshme, të ballafaqueshme fare lehtë mund ta nënshtrojnë njeriun e pakonceptuar për ngadhënjimin mbi kotësitë, mashtrimet, lakminë dhe hilen.
VETËDIJA E VLERËSIMIT TË FAKTORIT KOHË
Nga diskursi i urtësisë të autores Emire Bilalli-Dërmaku është për t`ia nënvizuar vetëdijen e theksuar për kohën si faktor kushtëzues dhe ekzistencial. Koha si kategori absolute për universin dhe për qenien e frymorëve njerëzorë është, veçse një episod kalimtar dhe, po qe se ajo gjatësi lidhjesh episodike nuk kapet për t`i shijuar dhuntitë ajo ikën, fluturon dhe të merr e të hedh në humbëtirat e saj të pakthyeshme… Andaj, vlerësimi i përkushtimit “qoftë edhe një sekondë për ty…” Ka peshë e ndjeshmëri të hollë të arsyes për kategorinë e çmuar të përmbushjes së faktorit kohë, mbase edhe në disa sekonda dashurie. Kësisoj, autorja e shpërfaq çmimin e vlerës për kohën, që mund të mos dish ta çmosh, por koha është kategori e kushtueshme.
Vetëdija për kohën që i jepet njeriut për ta eksploruar jetën brenda saj, mandej natyrën për t`ia zbërthyer asaj begatitë, të panjohurat, të ëmblat në funksion të së bukurës e të lumturisë për individin dhe bashkësinë njerëzore; tekstet e urtësive të tilla marrin tipare të dukshme të sinqeritetit. Kështu, del në pah natyra e çiltër e kësaj autoreje. Në këtë mënyrë, përsiatjet e autores për kërkimin e së mirës, e shpijnë andej kahes së thellimit dhe të pasurimit për intuitën e saj krijuese. Kjo intuitë mëton t`i përtrollisë të arsyeshmen dhe të domosdoshmen, të drejtën dhe zgjuarsinë, durimin dhe sakrificën për dashurinë, të cilat, shpesh egoja ose egot e njerëzve mëtojnë t`i ngufasin apo t`iu japin kahe të dëshirueshme vetëm e vetëm për ta.

FORMULAT E URTËSISË
Fjalët formula të shumtën i shërbejnë njeriut si modele për t`i përvetësuar si zgjidhje në situata të tendosura e të ndërlikuara, me përdorimin e këshillave gjakftohta, pa nguti dhe eufori shpërthyese. Ndonjë herë të shtrohën krejtësisht miqësore dhe, të shtrijnë dorën për dalje tej vorbullash të euforisë; mund t`i përdorësh si busull për orientimin e detarëve dhe, për orientime vetjake në detin e gjerë me dallgët e shumta të jetës. Jeta bashkëkohore nuk është e qetë, as pa shtrëngata shoqërore… Në univers gjithçka lëviz e ndryshon trajtën, porse esenca e materies nuk zhbëhet, ajo qarkullon…
Në gjithë varganin e këtyre urtësive, në (72) shtatëdhjetë e dy s`osh, autorja mëtoi të ngre lart karakterin ndërtues te njeriu. Në këtë karakter gatuhet njerëzorja ndërtuese, andaj pohon:
“Sigurohu të rregullosh përpara se të rrënosh. Nëse me një fjalë e rrënon, një mijë të tjera nuk mund ta rregullojnë të rrënuarën…”
Prore këshillat njerëzore e qytetëruese të urtarëve, i kanë paraprirë shqetësimit dhe kujdesit për ndërtim marrëdhëniesh, para se të përfshihen ato nga zgjimet e furive egoiste rrënimtare… Andaj, mospërfillja e filozofisë së urtësisë së atyre me pamje largvajtëse dhe, shtresime urtarësh, popujve ua kanë shkaktuar katrahurat e pasojave rrënimtare! Shoqëria njerëzore përgjatë historisë u karakterizua nga logjika e sëmurë e vendnumërimit për periudha pasojash afatgjata! Historia është dëshmitare e përsëritjes së absurdit njerëzor në gjithë jetëgjatësinë e saj!

KONCEPTIMI I ÇILTËRSISË
Në marrëdhëniet e sferës së përkatësisë së botës intime, autorja ka arritur të ngre diskursin urtarë të ndjeshmërisë emocionale pohimesh në masën e duhur, madje duke dhënë shembuj vetjak frenimesh të qëllimeve të njëanshme, si një model etik i maturisë për mosprishje të harmonisë. Mirëpo, natyra e mirëfilltë e sublimes së urtisë, nuk ngrohet nga duaj të djegur kashte në janar…

“Kur jam me ty, nuk ka rëndësi a është moti me diell apo me shi, sepse unë e di, që ti mua më mbron nga çdo stuhi!”
Duket se urtia e këtillë përshkohet nga ndjeshmëria e një romantike të idealizuar. Kështu flet ndjenja dhe jo urtësia për ndjenjën e dashurisë. Tashmë është dëshmuar nga shtytjet e lakmisë së pashërueshme, se këso përkushtimesh kanë rrëshqitur në pakënaqësi. Sidoqoftë Emira si autore urtish, ndjek edhe diskursin për rimëkëmbjen e besimit aty ku të kanë harruar: “dije se ekziston dikush, që do ta hapte çdo derë për ty!”
Nëpërmjet këtyre urtësive, Emirën si autore, e fisnikërojnë përpjekjet për kultivimin e marrëdhënieve të çiltra në gjininë njerëzore. Meqë në këto shkrime nuk kemi dialog dramatik, ndjejmë vetëm monologun e rrudhur autorial, që ngre konceptime për sinqeritetin, për disa trajta të egoizmit, si dhe ngrehje për veshi gjithsecilin subjekt të përgjumur, që shikon, por nuk sheh, që dëgjon, por nuk ndjenë se jeta kërkon syçeltësi, durim, gëzime dhe lumturi të përbashkëta…

AKT I PËRMBYLLJES

Mendoj se Emire Bilalli-Dërmaku si autore e shkrimeve të tilla, ka ndjeshmëri për t`i piketuar e spikatur dukuritë e kamufluara në jetën tonë urbane.
Shëndet e të mbara për autoren!

Gjilan, më 28 qershor 2024

You Might Also Like