Gjilan, 24 dhjetor 2019 / Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje (MKKDHF) e ka përmbyllur aktivitetin e këtij viti, me konstatimin se dhuna në familje ka shënuar rritje në këndvështrimin statistikor, por besohet se kjo gjendje është më tepër tregues i vetëdijesimit të viktimave për të raportuar rastet, se sa që mund të jetë përshkallëzim i raporteve brenda familjes.
Lindita Salihu, koordinatore e këtij Mekanizmi u shpreh e bindur se ky mekanizëm ka funksionuar mirë në aspektin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e ka arsyetuar qëllimin pse është themeluar.
“Qëllimi i Mekanizimit është parandalimi i rasteve të dhunës si dhe përkujdesja për trajtimin sa më të mirë të viktimave të dhunës”, ka thënë Salihu.
Zyrtari për mbrojtje dhe ndihmë viktimave, Driton Hashani ka thënë se në periudhën janar-dhjetor të këtij viti janë regjistruar 118 raste të dhunës në familje, ku në 98 raste, viktima kanë qenë femrat, ndërsa në 20 raste – meshkujt. Në 6 raste viktima kanë qenë personat e mitur.
Nga aspekti gjyqësor, të dhënat mbi rastet e dhunës në familje, i ka paraqitur Ramiz Azizi, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, duke thënë se në sferën penale janë trajtuar 55 lëndë dhe 29 prej tyre janë kryer, ndërsa 26 të tjerat janë në procedurë e sipër. Ndërkaq, në sferën civile janë trajtuar 36 raste.
“Brengë e jona është mungesa e një institucioni për trajtimin e detyrueshëm të personave me probleme psikike, meqë kapacitetet në QKUK janë të kufizuara, ndërsa vetëm në Gjilan i kemi pasur 7 raste ku është dashur të shqiptohet kjo masë”, ka thënë Azizi.
Mungesën e kushteve për trajtimin e personave me probleme psikike, Azizi e nënvizoi si një nga shqetësimet më serioze.
Sipas ombduspersonit Shemsedin Mustafa, ka pasur raste kur persona të tillë janë mbajtur në qendrën e paraburgimit, ndërsa sipas ligjit, personat me probleme mendore duhet të dërgohen në qendra të veçanta.
Shifrat për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, nga aspekti Qendrës për Punës Sociale, i ka paraqitur drejtori Mursel Zymberi, ndërsa Shemsedin Elezi, anëtar i këtij Mekanizmi, duke i analizuar shifrat, ka thënë se nuk bëhet fjalë për rritje të dhunës, por për raste që kryesisht janë të përhershme.
Nga diskutimi i përgjithshëm doli konstatimi se Kosova ka ligje të mira sa i përket mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje, por për zbatimin e plotë të tyre duhet krijuar edhe mekanizma përcjellës, si janë institucionet për mbajtjen e personave me probleme shëndetësore, një strehimore për meshkuj, sikurse nevojiten edhe mjete buxhetore për trajtimin e rasteve.
Të vetëdijshëm se brenda një familje mund të ketë edhe mosmarrëveshje të momentit ndonjëherë, siç mund të jenë sherret me kontrollimin e telefonit të njëri-tjetrit, pjesëmarrësit në debat sugjeruan që rastet e tilla banale të mos përdoren si shkas për shkatërrimin e familjes, sepse fëmijët janë ata që do të pësojnë më së shumti.