Gjilan

Komuna e Gjilanit organizon sesion informues për thirrjen publike “Fondi për subvencionimin e bizneseve Start-Up dhe bizneset e grave”

Gjilan, 1 gusht 2023 – Drejtoria për Zhvillim Ekonomik (DZHE) në Gjilan ka organizuar të martën sesion informues lidhur me thirrjen publike “Fondi për Subvencionimin e bizneseve Start-up dhe Bizneset e Grave 2023”.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Enver Shabani, pasi u ka uruar mirëseardhje të pranishmëve, ka thënë se është hera e parë që Komuna e Gjilanit ndan mjete nga buxheti komunal me synim mbështetjen ndaj bizneseve të reja dhe për gratë ndërmarrëse.

“Kjo thirrje publike ka për synim kryesor zhvillimin e ekonomisë lokale përmes mbështetjes për bizneset ekzistuese dhe krijimin e bizneseve të reja duke ofruar mbështetje në ngritjen e kapaciteteve për bizneset ekzistuese dhe avancime të reja teknologjike në pajisje dhe makineri të nevojshme në procesin e punës. Po ashtu, përmes mbështetjes publike dhe krijimit të bizneseve start-up synohet zvogëlimi i papunësisë”, ka thënë, ndër të tjera, drejtori i DZHE-së, Enver Shabani.

“Komuna e Gjilanit dhe Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, ka për objektiv të mbështes këto kategori: prodhimin, përpunimin dhe shërbimet. Nga segmenti i prodhimit veçohen (por nuk kufizohet) produktet nga plastika, druri, llamarina, lëkura, prodhimi i ushqimit, artizanalet, pije etj. Nga veprimtaria përpunuese veçohen (por nuk kufizohet): përpunimi i frutave, përpunimi i perimeve, etj. Ndërsa në kuadër të veprimtarisë së shërbimeve do të përkrahen bizneset si: gastronomia, studiot e marketingut digjital dhe të fotografisë, shërbime filmike dhe të produksionit, riparim të pajisjeve elektrike, shërbimet e arkitekturës, shërbime të parukerisë, shërbime të programimit (softver), etj”, ka shtuar Shabani.

Gjithashtu, ky fond inkurajon aplikime me projekte inovative nga gratë dhe të rinjtë sikur që u bënë thirrje komuniteteve jo shumicë të aplikojnë në kuadër të kësaj thirrje.

Për më shumë detaje për thirrjen publike:

https://kk.rks-gov.net/gjilan/category/konkurset-njoftimet/aplikacione/?fbclid=IwAR2gd4SYGdyEQMpWR7F_6fJyB2tjwdO_ZsRe10_NA8WUfhdLzInqZhccUzU

https://kk.rks-gov.net/gjilan/sr/category/konkursi-i-objavljivanja/aplikacije/?fbclid=IwAR2GC4JuzGv42Tg72-JhB7S9He2AvmFUYOLLFL7mSUk6YjMuJO7T6pgRuWk

You Might Also Like