Gjilan, 19 korrik 2022 / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, e cila u mbajt nën drejtimin e Arianit Sadikut, kryesues i Kuvendit, e ka rekomanduar për Kuvend raportin e punës së Kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2022.
Kryetari Alban Hyseni ka thënë se raporti është pasqyrim i punës 6-mujore të kësaj qeverisje, i cili më gjerësisht do të prezantohet e diskutohet në Kuvend.
KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe raportin financiar për periudhën janar-qershor 2022, të cilin në pika të shkurta e ka prezantuar drejtori Riad Rashiti si dhe raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2021.
Po ashtu u rekomanduan edhe propozim vendimi për themelimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Komisionit vlerësues të ofertave si dhe propozim vendimi për anulimin e vendimit 01.Nr.016-46976, dt.28.04.2022 mbi dhënien e pronës komunale në shfrytëzim me kohë të caktuar për raste të veçanta.
KPF rekomandoi për Kuvend edhe raportet e punës për vitin 2021 të Komisioneve Komunale të aksionarëve në KRM ‘Higjiena’, ‘Stacioni i Autobusëve’ dhe ‘Tregu’ në Gjilan, përkatësisht propozim vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL ‘Stacioni i Autobusëve’, ‘Tregu’ dhe KRM ‘Ecohigjiena’ në Gjilan.
Ndërkaq, nuk kaloi për Kuvend propozim vendimi për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë për hapjen e varrezës për groposjen e kafshëve të ngordhura, pasi opozita (LDK e AAK) votuan kundër, me arsyetim se varreza duhet të mbetet aty ku është, ndërkohë që procesverbali i Komisionit për ndarjen e bursave u shty për një seancë tjetër, për t`u shqyrtuar bashkë me raportin.
Gjithashtu, opozita votoi kundër propozimit për anulimin e vendimit për dy plane rregulluese – ‘Fidanishte 2’ dhe ‘Qendra 4’, të cilin e arsyetoi drejtori i Gjeodezisë, Kadastrës dhe Pronës, Ali Arifi, duke thënë se planet janë vlerësuar të kundërligjshme nga Ministria përkatëse dhe si të tilla nuk mund të zbatohen.
Opozita këmbënguli se të dyja këto plane janë miratuar në Kuvend, janë legale dhe të zbatueshme.
Për sa i përket kërkesës së këshilltarit Kushtrim Kadriu (Vatra) për diskutim të çështjes së përdorimit të trotineteve elektrikë, kryesuesi Arianit Sadiku tha se ky problem mund të diskutohet në Kuvend në pikën nën të ndryshme.