Klubi i volejbollit Drita, e ka marrë dritën e gjelbërt nga asociacioni ballkanik i volejbollit, për organizimin e Kupës së Ballkanit për klube.
Lajmin e kanë mirëpritur drejtuesit e klubit, por edhe përfaqësuesit e Komunës, sepse ardhja e ekipeve nga mbarë Ballkani pritet t’a ri-sjellë vëmendjen e sportdashësve në qytetin e Gjilanit
Ish-volejbollistja, e tashmë anëtarja e Kryesisë që është pjesë e KV Drita, Vlora Berisha, ka folur për përgatitjet rreth organizimit të Kupës Ballkanike për klube në Gjilan.
“Jemi të kënaqur që për herë të dytë, na është besuar organizimi i Kupës Ballkanike për klube të volejbollit. Ky është një lajm i madh, i cili na obligon të bëjmë më të mirën, që të dëshmojmë nivelin tonë garues dhe organizativ. Pjesë e kësaj gare, përveç Dritës do të jenë edhe Galatasaray HDI Sigorta nga Turqia, AO Markopoulo nga Greqia dhe KS Skënderbeu nga Shqipëria” – është shprehur Vlora Berisha.
Kryetrajneri i KV Drita, Lorik Ilazi, ka thënë se jo vetëm në aspektin organizativ, por edhe në atë të rezultateve, kemi synime të larta.
“KV Drita synon ta rrëmbejë një nga medaljet e këtij ballkaniku dhe ky është synimi ynë serioz, marrë parasysh ngritjen e nivelit të volejbollit tonë.” – ka thënë Ilazi.
Sipas tij, Drita akoma nuk i ka mbyllur të gjitha transferet, duke lënë të kuptohet se mund të ketë edhe ardhje të tjera, që klubit “bardh e kaltër” mund t’i shërbejnë edhe për garën ballkanike, por edhe në misionin për mbrojtjen e titujve.
mbyllur të gjitha
Lajmin për marrjen e së drejtës për të organizuar Kupën Ballkanike për klube në Gjilan, e ka pritur edhe drejtori për sport në këtë komunë, Kushtrim Zeqiri.
“Është kënaqësi që të kemi në Gjilan, ekipet më të mira të Ballkanit, e ne si Komunë, e kemi bërë më të mirën për ta mbështetur klubin më të trofeshëm KV Drita, në realizimin e kësaj gare” – ka thënë mes tjerash drejtori për sport në Gjilan, Kushtrim Zeqiri
Kupa Ballkanike për klubet e volejbollit, do të zhvillohet në Gjilan nga 15-20 shtator 2023.
Rikujtojmë se kjo është hera e dytë që Drita e fiton të drejtën e organizimit të Kupës Ballkanike, pasi më herët në vitin 2018, e kishte pritur edhe gjigantin evropian Besiktas dhe skuadrën rumune CSM Lugoj.