Gjilan

Lamtumirë profesor Tefik Selimi

Në fshatin e tij të lindjes, në Nasalë të Gjilanit, iu është dhënë lamtumira e fundit, profesorit e gazetarit Tefik Selimi, i cili ndërroi jetë, të enjten në moshën 71- vjeçare, pas një sëmundje të rëndë disamujore.

Në varrimin e të ndjerit morën pjesë, familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë e të tjerë, e ku njëri ndër ta Sami Hoxha, drejtor i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, në Gjilan, ku ka punuar i ndjeri deri në pensionim, ka thënë se kjo është një ditë jo e zakontë, ditë dhimbjeje sepse po ndahemi me profesorin Tefik, por edhe ditë krenarie për punën që ai ka bërë. Ai i ka shprehur ngushëllime familjes e kolegëve, ngase ai përjetësisht ishte i lidhur me gjimnazin, bile edhe pas kohës kur ai shkoi në pension.

“Tefik Selimi ishte mësues i gjeneratave të reja, gazetar, poet, biografishkrues e historiograf e mbi të gjitha njeri e mik i mirë, si dhe një punëtor i madh, që ia la një vepër të madhe e të rëndësishme gjimnazit – biografinë. Ai la një familje të mrekullueshme e veprat e tija na e rikthejnë kujtesën”, tha Sami Hoxha, drejtor.

Ndërsa, Ilmi Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit ka shpalosur biografinë e të ndjerit.

Pasi kishte kryer shkollimin fillor në vendlindje dhe atë të mesëm në Gjilan, Tefik Selimi kishte regjistruar studimet për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Si student nisi të merrej me shkrime, kurse gjatë kohës së studimeve nisi të punojë në Shkollën Fillore në Zhegër e më pas edhe profesor në Gjimnazin “Zenel Hajdini” që nga viti 1972 e deri në pensionim.

Për disa vite ai ishte përgjegjës i paraleleve të Gjimnazit në Zhegër, mbajti bibliotekën e shkollës, sikurse që ishte redaktor i revistës “Gjimnazisti” që dilte në gjimnaz.

Gjatë kësaj kohe, por edhe më herët, ka bashkëpunuar me revista e gazeta shqipe në Kosovë e Maqedoni, si gazetën “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkëndija”, “Bota sot”, “Zëri”, “24 orë”, “Gazeta e pionierëve”, “Bota e re”, “Kosovarja”, “Jeta” etj.

Selimi ka botuar një numër të madh të shkrimeve dokumentare, publicistike, recensione e vështrime për librat e autorëve të ndryshëm, sikundër edhe polemika, shkrime nga metodika e gjuhës shqipe, fejtone e reportazhe.

Ai ka botuar veprat “Gjaku i pragjeve” (2002), “Flijimtarët e plëngjeve” (2010), “Bota e yjeve” (2011), “Lule prilli” – vepër poetike (2012), Monografia “Gjimnazi i Gjilanit” (1945-2013) dhe veprën e gjashtë publicistike dokumentare “Pragjet e përgjakura” (2014).

Përndryshe, sot paradite në Sallën e Profesorëve të Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini” është mbajtur mbledhje komemorative për profesorin e ndjerë.

Përveç, Sami Hoxhës, drejtorit të Gjimnazit, që ka thënë se Tefik Selimi ka dhënë kontribut të çmuar në mësimdhënie e në gazetari, folën edhe Mehmetali Rexhepi, ish- drejtor i Gjimnazit dhe letrar. Ai ka folur për jetën dhe veprën e Tefik Selimit nga disa këndvështrime, ato prej mësimdhënësi e prej letrari e gazetari, duke thënë se Tefiku nuk la ngjarje pa përcjellë, shkroi vepra letrare, shkroi për dukuri e për personalitete letrare, kurse ishte veprues edhe pas pensionimit, sikurse që ishte i pandalshëm edhe nëpër veprimtari letrare e kulturore.

“Do të na mungojë, do të na mungoj qasja e tij, ai e donte gjimnazin dhe i çmonte kolegët”, tha Rexhepi.

Nazim Gagica, drejtor i Arsimit në Gjilan, në emër të kryetarit Lutfi Haziri dhe të DKA-së, tha se i preku vdekja e profesorit Tefik Selimi.

Ai tha se kanë konsideratë të madhe për punën mbi 40- vjeçare të Tefik Selimit e atë e konsideroi si një intelektual të gjithanshëm, i cili e përmbushi misionin e tij.

Në emër të familjes, i biri i Tefik Selimit, Armendi, tha se babai i tyre i la fizikisht, por se ai gjithmonë do të mbetet në kujtesë.

“Babai para vdekjes ishte në përfundim të një vepre të tij, andaj ta çojmë deri në fund veprën e tij”, tha Armend Selimi, që ka falënderuar pjesëmarrësit dhe organizatorët edhe të mbledhjes komemorative, por edhe të ceremonisë së varrimit.

You Might Also Like