Gjilan, 8 mars 2024 / Dita Ndërkombëtare e Gruas është shënuar me aktivitete të shumta edhe në Gjilan. Aktivitetet në kuadër të javës së gruas, nën moton ”Ne për ato” kanë filluar qysh më 5 mars, ndërkohë që sot ka mbajtur seancë solemne edhe Kuvendi i Komunës, të cilën e ka udhëhequr anëtarja më e re, Gresa Avdiu.
Në fjalën e saj të rastit, Gresa Avdiu ka rikujtuar se në këtë vend ka shkelje masive të të drejtave të grave.
“Në çdo 8 mars thuhet se gratë në shoqërinë tonë duhet të ndihen e të trajtohen të barabarta, por se sa jemi ne të barabarta me burrat në shoqëri, realiteti e thotë ndryshe”, ka thënë ajo.
Për më tepër, Avdiu kërkoi që dhuna ndaj grave të mos heshtet.
“Ky vend ka parë shkelje masive të të drejtave të grave, ka parë vrasje e dhunime brutale nga burra abuzues. Lufta ka vrarë e ka dhunuar gratë tona, paqja nuk do të duhej njëjtë. Rasti i Liridona Ademjat le të jetë vrasja e fundit, e cila i bëhet një nëne. Sot nuk duhet të heshtin as për 54 gratë e vrara nga burrat e tyre në 13 vitet e tyre”, ka thënë ajo.
Në emër të kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, gratë e pranishme i ka përshëndetur nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, e cila ndër të tjera ka thënë se 8 Marsi është ditë e rëndësishme jo vetëm për të njohur e përshëndetur kontributin e shumë grave në shoqëri, por është edhe një kohë për të reflektuar mbi fuqinë dhe rolin e tyre, duke njohur sfidat dhe arritjet e tyre në rrugën drejt barazisë dhe drejtësisë gjinore.
“Gruaja është një forcë e pashmangshme në shoqëri. Ajo përfaqëson jo vetëm një pjesë të madhe të popullsisë, por edhe një burim të pasur të talentit, inteligjencës dhe vendosmërisë. Në sfera të ndryshme, nga arsimi në biznes, politikë dhe kulturë, gratë japin një kontribut të çmuar që e pasurojnë dhe e përforcojnë shoqërinë tonë.
Në arsim, gratë luajnë një rol kyç në shkollat, universitetet, dhe institucionet e tjera të arsimit. Ata janë pedagoge, profesore, dhe udhëheqëse që ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e të rinjve. Në shkencat, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën, gratë shkëlqejnë me kontributin e tyre të çmuar dhe inovativ.
Në botën e biznesit, gratë janë pjesë e ekipit udhëheqës dhe kreativ. Ato ndërtojnë dhe menaxhojnë kompani, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe inovacionin. Pavarësisht sfidave të diskriminimit gjinor dhe paragjykimet, gratë udhëheqëse dhe sipërmarrëse shpërfaqin një guxim dhe vullnet të jashtëzakonshëm për të arritur sukses.
Në politikë, gratë tregojnë një angazhim të thellë për drejtësi dhe barazi gjinore. Ata luftojnë për të drejtat dhe liritë e tyre dhe për të përfaqësuar interesat e tyre në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Përfaqësueset politike janë frymëzim për gratë e reja dhe shfaqin një model për të luftuar për të drejtat e tyre nëpërmjet politikës”, ka thënë Morina Bunjaku.
Ajo ka shtuar se me gjithë progresin në luftën për barazi gjinore, ende ekzistojnë sfida dhe pengesa për gratë në shoqëri.
“Diskriminimi gjinor, pagat e ulëta, dhe mungesa e përfshirjes së barabartë janë sfida që vazhdojnë të ballafaqohen nga gratë në të gjitha sferat e jetës. Prandaj, është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë së bashku për të adresuar këto çështje dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”, ka thënë ajo.
Fjalë përshëndetëse kanë mbajtur edhe Krenare Latifi Kqiku, shefe e grupit të këshilltarëve të LVV në Kuvend si dhe Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore.
Disa prej grave të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj komune dhe më gjerë, janë nderuar me mirënjohje për kontributin e dhënë në fushat ku ata kanë punuar gjatë karrierës së tyre, si Drita Halimi Statovci, Emine Gashi, Mejreme Brestovci, Binaze Krasniqi Kadriu, Belkije Grabovci, Hyrije Baftiu, Ismete Vata Ahmeti dhe Milica Bucolli.