Gjilan

Haziri: Fatkeqësisht, në javën e fundit kemi regjistruar 11 të vdekur si pasojë e COVID-19

Gjilan, 13 nëntor 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se në javën e fundit janë shënuar 11 vdekje si pasojë e COVID-19.

 

“Fatkeqësisht, në javën e fundit kemi regjistruar 11 të vdekur. Gjendja në Spital dhe QKMF është e rënduar. QKMF tashmë po funksionon me tri ekipe në terren, ku gjatë të enjtes janë realizuar 86 vizita në shtëpi”, ka thënë Haziri në konferencën për media pas takimit me Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

 

Haziri theksoi se Spitali i Përgjithshëm ka nevojë emergjente të furnizimit me oksigjen, duke shtuar se po bëhet përpjekje maksimale me Ministrinë e Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë problem.

 

Ai theksoi se nga sot në mbrëmje, Gjilani hyn në kategorinë e komunave që është në zonën e kuqe, ku për dy javë e ardhshme do të jetë ‘lock down’, për ta parandaluar me cdo kusht përhapjen e sëmundje.

 

“Por, nuk mbyllen shkollat, objektet fetare, institucionet dhe jeta e përditshme. Kufizimi vlen prej orës 19:00, ku ndalohet qarkullimi i qytetarëve, pa arsye të fortë. Besoj që me solidaritet duhet ta përballojmë”, tha Haziri.

 

Në këtë konferencë, pos Hazirit, ka folur edhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, dr. Ukshin Ismaili dhe drejtoresha e QKMF’së, Dr. Arbenita Hajdari, të cilët kanë kërkuar nga qytetarët që t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër përhapjes së virusit.

 

Pasqyra e përgjithshme në Gjilan është si vijon: 5773 teste të realizuara, 1909 të infektuar në total, 1357 të shëruar, 493 raste aktive, 60 të vdekur, 59 në hospitalizim dhe 285 mostra në pritje për rezultat.

 

You Might Also Like