Trashëgimi

Manastiri i Shën Mëhillit, Buzovik, Viti

dini

Shkruan: Sherafedin Kadriu, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Gjilan

Manastiri i Shën Mëhillit i takon shekullit të XIV, sipas IKMMK Prishtinë, nr.: E.K. 02-175/63. Manastiri me të drejtë mund të konsiderohet edhe më i vjetër se ç’e ka datuar ish IKMMK, si të shek. XIV. Informacionet flasin se manastiri ka qenë vendbanim i peshkopit bizantin në kohën e perandorit Bazili II.  Bazili II i njohur si “Bullgarovrasësi”, në vitin 1018 kishte mundur bullgarët duke shtrirë pushtetin bizantin në Ballkan. Në këtë periudhë kohore ishin edhe shqiptarët ata që e ndihmuan Bazilin II në luftë kundër bullgarëve. Po të kihet parasysh fakti se Bazili II jetoi gjatë viteve 976-1025, atëherë i bie se Manastiri i Buzovikut mund t’i përkasë shek. X së paku.

Manastiri përbëhej nga objekti i kishës dhe i konakut, kambanorja, sikundër edhe rrethoja prej muri, tashmë është shkatërruar. Kisha shtrihet nga perëndimi në lindje. Përmasat e saja janë të një kishe paleokristiane të vogël, përkatësisht 3.70 x 6.40 m. Baza e kishës është e dukshme, ndërsa handraku i mureve anësore është shtrirë prapa bazës.

Lartësia më e madhe e mureve të mbetura nuk është më shumë se 80 cm. Në lindje të kishës ende ruhet një pjesë e absidës, ndërsa pranë saj ndodhet altari. Dyshemeja është e shtruar me gurë të punuar, ndërsa në mes të dyshemesë ndodhet një dekorim i posaçëm- është fjala për rrethin, një simbol astral ilir,  që simbolizon diellin. Ilirët, përkatësisht fisi ilir – dardanët, besuan në dy kulte ilire: në gjarprin dhe në diellin, dhe si duket këto dy besime u takuan dhe bashkëjetuan në Dardani.

Muret e kishës kanë një gjerësi prej 80 cm. Nga mbetjet, përkatësisht rrënojat, vërehet se kisha është ndërtuar prej gurëve, tullave dhe llaçit prej gëlqeres. Hyrja e kishës ndodhet në perëndim. Kisha është njëanijatëshe e cila përfundon në anën lindore me absidën gjysmëharkore. Në anën perëndimore mund të ketë ekzistuar edhe narteksi, për të cilin flet baza e tij e dukshme, por nga materiali i ndërtimit (beton), narteksi mund të ishte një aneks i mëvonshëm.  Mësohet nga dëshmitarët se në muret e kishës kishte  freska, për të cilat nuk mund të thuhet më shumë pas prishjes së mureve.

Në veri të kishës, rreth 12 m, ndodhet konaku i Manastirit, i cili është i ndërtuar nga gurët, hatullat si element konstruktiv, llaçi prej balte dhe qerpiçët, me të cilët është ndërtuar kati mbi përdhese. Edhe konaku është prishur. Nga ai janë ruajtur muret me gurë të përdhesit dhe mure të katit me qerpiçë, po në lartësi të vogël. Konaku ka përmasat 10 x 17 m. Një trakt i murit rrethues të këtyre objekteve ndodhet më në veri të konakut, rreth 15 m larg. Manastiri ka pasur edhe kambanore, por as ajo nuk ekziston më.

Nga mbetjet e manastirit, e vetmja punë që mund të realizohet në mbrojtjet të këtij monumenti, do të ishte ndërmarrja për konservimin e pjesëve të mbetura. Sipas Ligjit  Nr. 03/L-039, ndryshe Ligjit për Zonat e Veçanta, në nenin 7.4 është paraparë kufizimi i hapësirës prej 100 metrash rreth perimetrit të Manastirit të Shën Mëhillit në Buzovik, njëkohësisht identifikuar nga Agjencioni Kadastral i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me komunën përkatëse.

You Might Also Like