Tregimi Maria, i vlerësuar nga juria e manifestimi letrar “Lulëkuqet e Prillit” -2021 – Lexim të këndshëm!
Muhamet Halili
MARIA
***
Çdo gjë ndryshoi kur mora vesh se nuk do ta vazhdonte më shkollimin! Mu grumbullua diçka duq në fyt. Mezi merrja frymë.
Ishte edhe një “Pse?!”, e radhës pa përgjigje sepse kjo koka ime e vogël nuk po arrinte dot ta kuptonte se si funksiononte kjo shoqëri.
Ajo donte, por ishte rritur thoshin. I kishte gufuar shtati e iu kishte mbushë gjoksi, nuk i kishte hije më të shkonte në shkollë, ku do të “hahej” nga syri i djemve. Ishte bë për burrë dhe ishte turp të mos i vinte vetit fre!
Familja vendosi se i kishte ardhur koha e përcaktimit të fatit, prandaj duhej të ruhej. Ishte për të mirën e saj, familjes e krejt fisit.
Fshatarja ime me flokët si grunajë e fundkorrikut, nuk do t’i valëvisë më ato lirshëm, që t’i shfrenohen njëherë e mirë në vallëzim me erën, por do t’i strukën nën shami, nga ai rremb marrëzie që vazhdojmë ta kemi e nuk po e zhbëjmë dot në këto anë.
Ndoshta nuk do ta takojë më. Ndoshta nuk do ta shoh më. Ndoshta nuk…!
***
Herën e fundit që u pamë ishte ai moment kur ma dha një mollë të kuqe.
Më tha: – Në fakt t’i i meriton të dyja dhe u skuq all nga ai turp i lezetshëm, por buzëqeshja që iu vesh fytyrës ishte treguese, sa e lumtur ishte.
Ia ktheva: – Unë ta dua krejt pemën!
Nuk u skuqa, ama isha i lumtur në atë masë sa që më duhej t’i shtypja sa mundja shputat e këmbëve për tokë, nga frika se trupi që mu kishte lehtësuar mund të më ngritej përpjetë.
Ia kapa duart.
Më tha, – Mos se po më dridhen gjunjët.
Ngrohtësia e duarve dhe hukama me aromë mente-je që i doli nga goja teksa foli ma dha guximin e paparë.
Ia ngjita për beli, e afrova kah vetja.
Fytyra i farfuriti si hëna e plotë e sytë i cicëruan ëmbëlsisht.
Si ujë burimi, me rënie të lirë, u nisa kah goja e saj krua.
– Më prit të rritem edhe pak, – folën buzët e saja trëndafil, që iu shmangën me hile një kontakti që sigurt do të prodhonte flakë!
U puthëm me sy!
Ca dallgë nxehtësie tani më na kishin pushtuar brendësinë. Po digjeshim që të dy. Ani se, ajo që ndjenim, as nuk mund të përshkruhet me fjalë, po që se nuk je poet, as nuk mund ta ndjejë kush, nëse nuk i ka vuajtur shpirti nga dashuria!
E do mjaltin?! – më tha dikur dhe blindoi me sy.
Lëpi mjaltin, po mos e ha gishtin! – e përdora këtë fjali të urtë, përcjellë me buzëqeshje, si përgjigje në një pyetje të papritur për një moment të tillë!
Qeshi, e qerpiku i bëri ftesë syve të mi.
– Ikim te hija e atij lisi?! – bëri me dorë në drejtim të një livadhi të madh, të fryrë plotë me lule, sikur gjoksi i saj që qëndronte pezull nën atë këmishë, mu si balonë të fryra me helium.
Këmbët po më kërkonin një rrugë livadhi e mendja shtjellonte enigmën që lidhte mjaltin dhe lisin, ndonëse trupi e kishte përgjigjen.
Dora e saj që po e shtrëngonte timen më tërhoqi në brendësi të luleve.
Po qanim livadhi në dysh pa qarë kokën për shteg rruge. E krijonim tonën nga lulet që na përkuleshin deri në palosje përtokë në nderim të ndjenjës sonë.
Hija e asaj kurore lisi, që i meritonte pesë yje, na e mundësoi ta bënim shtratin nën pushtetin e tij.
Gushës së saj i vinte era freski ujëvare.
Lëkura prej qumështi, që iu kishte fshehur syrit të diellit, tani u puq me rreze.
Ia ndjeja rrahjet e zemrës që futeshin brenda dallgëve të zemrës sime.
E kapëm ëndrrën së bashku. E zbërtheva enigmën e mjaltit kur goja që puthte mu mjaltëzua.
Të shtrirë mes luleve, plot afsh dashurie, i hipa sipër. Ofshanim!
Çdo gjë në ato moment shumëfishohej.
Cicërimë zogu, melodi ere, vallëzim lulesh…, vinin shumëfish…!
***
Lindja e një dite të re nuk më gjeti në shtrat, por me kokë në dritare e shikim kah qielli, me mendje të humbur në labirinte teksa kërkohej një dalje!
Kjo shoqëri do ta na servojë një realitet të hidhur.
Vallë, a edhe fati i saj do të hapë diku një dritare të radhës, nga e cila, një dhëndër i harlisur nga shija e mjaltit, do të shtinte me çiften e tij, tri herë në ajër?!
Ëndërroja syhapur e në këmbë. Si një i hipnotizuar mendoja skenare të ndryshme, derisa mendja mu ndal te një moment i caktuar.
Krejt çfarë më dilte parasysh, ishte ai livadh plotë lule, njëra ndër to, ma e bukura, me petale që i kishin dhënë kuptim edhe termit “butësi” dhe me aromën më të këndshme, po valëvitej duke e bërë vendin ku shtrihej lëmë.
Ndërkohë që livadhi po vazhdonte të gjëmonte akoma…!