Marrëveshja e Ohrit do t’i përngjajë marrëveshjes se Prespës për Maqedoninë Veriore, e cila në substancë ka debllokuar një proces, por në implementim pritet të dalin vështirësi serioze. Tashmë është një akt i kryer. Kjo do të mbahet në mend si marrëveshja e parë e kryeministrit Kurti me katër probleme serioze brenda saj.
U deshën më shumë se dhjetë vjet të kuptohet se marrëveshja e vitit 2013 është marrëveshja më e mirë e mundshme apo e keqja më e vogël për Kosovën sa i përket akomodimit të pakicës serbe në nivel të pushtit lokal, në kuadër të Republikës së Kosovës.
Z. Kurti, përpos shpjegimeve të domosdoshme se pse i humbi këto vite të mëdha në këtë proces, duhet të dëshmojë që në implementim nuk lejon humbje dhe deformim në ndërtimin e ‘pushtetit të tretë’, eventualisht në kuadër të Asociacionit që ai e emëroi si Zajednicë.
Tashmë procesi si i tillë e ka kërkesën dhe presionin edhe më të madh për implementim dhe cdo tendencë që kjo marrëveshje të kalojë në forume tjera, është tendencë që ta ndajë apo përpjestojë përgjegjësinë me ata që nuk kanë marrë pjesë në mënyrë aktive apo pasive në kuadër të dialogut ‘one man show’ që kryeministri këto dy vite e krijoi.
Viti 2022 ishte vit i humbur për të pasur në qendër një njohje te nxjerrë nga Republika e Serbisë për Republikën tonë, ndërsa vitit 2023 do të jetë me marrëveshje të përkohshme, me status të paragjykuar për Republikën e Kosovës, me injorim të të kaluar së afërt dhe me krijim të Zajednicës plus.
Lutfi Haziri