Trashëgimi

Mbyllet me sukses projekti EDUART i Avni Rudakut

Projekti i edukimit mbi trashëgiminë kulturore dhe artin, i emërtuar “Eduart”, nën udhëheqjen e Avni Rudakut, u mbyll me sukses, me realizimin edhe të tri ligjëratave të tjera në Universitetin e Gjilanit dhe me vizitat në zonat rurale të Rajonit të Gjilanit.

Shkodran Ramadani, sociolog, u shpreh mbi rëndësinë e fushatave të ndërgjegjësimit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke theksuar përdorimin e strategjive të ndryshme për mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Ai theksoi mënyrat kreative për të rritur ndërgjegjësimin për trashëgiminë, duke përmendur përdorimin e medieve sociale, platformave televizive, konkurseve kreative, dokumentarëve dhe mjeteve të tjera audio-vizuale që janë të aksesueshme për të gjithë.

Bedrije Shurdhani, artizane me shumë vjet përvojë në trashëgiminë kulturore, shpjegoi mjeshtrinë e kasnakëve dhe qëndisjeve tradicionale me motive kombëtare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, si asaj materiale ashtu edhe shpirtërore. Ajo bëri thirrje për bartjen e kësaj përvoje tek brezat e rinj, duke ndarë me ta sekretet e punës së kasnakëve.

Gëzim Kastrati, ekspert i sigurisë kibernetike dhe IT, vuri në dukje ndikimin e rëndësishëm të inteligjencës artificiale në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore. Ai tregoi se si të rinjtë, mund të përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar dhe ruajtur fotografi të trashëgimisë kulturore, duke sjellë shembuj konkretë dhe praktika inovative.

Pas përfundimit të ligjëratave në Universitetin e Gjilanit, pjesëmarrësit u njoftuan nga guida e zonës rurale dhe bjeshkatari i njohur Agim Kajtazi, për vizitën që do të zhvillohej pas ligjëratave. Pjesëmarrësit udhëtuan falas në dy lokacione të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Gjilanit: Shtëpinë e Muhamer Shabanit dhe Kishën Varvara në Kmetoc.

Në Shtëpinë e Muhamer Shabanit, e ndërtuar në fund të shekullit XIX, guida Kajtazi shpjegoi vlerat historike, arkitektonike dhe artistike të kësaj ndërtese, e cila ka elemente tipike të arkitekturës shqiptare. Shtëpia ishte ndërtuar nga Shaban Aga, një ish-spahi i periudhës osmane, dhe kishte përfshirë mjeshtra nga Vraja në ndërtimin e saj.

Vizita vazhdoi në fshatin Kmetoc, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër rrënojat e Kishës Varvara, e datuar që nga shekulli XIV. Kisha, e njohur për fasadën e saj të dekoruar me tulla dhe gurë të përpunuar, ka patur afreske nga shekulli XIV, të cilat nuk ekzistojnë më. Pas restaurimeve të viteve të ’60-ta të shek. XX, ajo mbetet sot si një rrënojë, e cila përdoret për shërbesa fetare në ditët e veçanta. Guida Kajtazi ndau hollësi të tjera për historinë dhe rëndësinë e këtij objekti të trashëgimisë kulturore, bashkë me Sami e Bardh Shabanin nga familja që kujdeset privatisht për ruajtjen e shtëpisë e pritjen bujare të vizitorëve, pa përkrahje të duhur institucionale, qoftë lokale, apo qendrore.

Projekti EDUART ka pasur impakt të gjerë mbi edukimin dhe fushatat e ndërgjegjësimit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke u organizuar ligjërata, sesione diskutimi dhe vizita në zonat urbane dhe rurale të Rajonit të Gjilanit, me pjesëmarrës të rinj e të reja nga të gjitha komunitetet, nën udhëheqjen e koordinatorit të vullnetarëve, Ardit Jahës, dhe duke u angazhuar në projekt, edhe përkthyesi Enver Sadiku, për gjuhën serbe, dhe Blerina Morina, si përkthyese në gjuhën turke. Shkrepjet fotografike të gjithë projektit EDUART, u realizuan nga studio fotografike e Ylfete Fazliut.

Projekti “Eduart”, ishte nismë e sociologut Avni Rudakut, të përkrahur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës.

You Might Also Like