Trashëgimi

Monumentet e kulturës islame në Gjilan

????????????????????????????????????

aliriza  Shkruan: Mr. Aliriza Selmani

Islami si besim që nga depërtimi në trojet shqiptare i frymëzoi besimtarët me artin oriental islamik, ku arkitektura është mjet kryesor i shprehjes. Lidhja e këtyre trojeve me lindjen bëri që të depërtojnë elemente të artit dhe të kulturës materiale islame në trojet shqiptare, por duke u sintetizuar dhe duke u modifikuar me motive etnike nga mjeshtrit shqiptar.

Gjatë sundimit osman, si çdokund tjetër në viset shqiptare edhe në Gjilan e rrethinë u ndërtuan vepra arkitektonike si sakrale ashtu edhe profane të karakterit publik dhe individual, siç janë Xhamitë, teket, tyrbet, hamamet, kulla e sahatit, hanet, kompleksi urbano-arkitektonike i çarshisë, (dyqaneve zejtare) shtëpitë banimi etj.

XHAMITË – Nga monumentet e kulturës islame veçohen xhamitë:

Xhamia “Atik” (Xhamia e Vjetër). Është vepër e parë arkitektonike e ndërtuar në Gjilan për të cilën dihet. Nga të dhënat e pakta dokumentare të plotësuara me të dhëna memoriale, ndërtimi i kësaj xhamie mund të lidhet me kohën e themelimit të vendbanimit të ri apo qytetit të Gjilanit nga ana e familjes feudale Gjinolli. Xhamia “Atik”, është faltorja më e vjetër islame dhe njëherit i vetmi objekt islam në Gjilan, i cili për momentin që është nën mbrojtjen e shtetit. Mirëpo kjo nuk do të thotë se në Gjilan nuk mund të ketë pasur edhe më parë ndonjë faltore tjetër islame, derisa Gjilani ishte fshat, me që të dhënat dokumentare të kohës dëshmojnë se edhe në vendbanimin e mëparshëm kishte pasur shqiptarë të islamizuar. Viti i ndërtimit të Atik Xhamisë, sipas një shënimi në pjesën e brendshme të kupolës është viti 1792, por në bazë të dhënave memoriale, në atë vit është ndërtuar kupola dhe minarja, kurse godina e sajë ishte ndërtuar 20 vjet më parë, që mund të përputhet me kohën e themelimit të Gjilanit si qytezë apo qendër urbane. Më 1830, Gjilanin e kishte përfshirë zjarri, i cili e kishte dëmtuar shumë qytetin dhe me atë rast ishte djegur edhe xhamia, të cilën e kishte rindërtuar Maliq Pash Gjinolli në stilin e mëparshëm.

Xhamia është e ndërtuar me gurë, sipas disave të sjellw nga Novobërda, kupolën e ka të mbuluar me tjegulla, kurse minarja është e ndërtuar me tulla. Brendia e sajë është e dekoruar me ornamente bimore q kryesisht i takojnë stilit persian apo turk me pak arabeska. Për shkak të nevojave për xhami, me iniciativën e këshillit të kësaj xhamie dhe me përkrahjen e Këshillit të BI të qytetit, më 1994, u hoq hajati i mëparshëm dhe iu bë një aneks kësaj xhamie, me 6 kube të vogla, me ç’ rast iu ndërrua pamja e pjesërishme e xhamisë. Në të njëjtën kohë është bërë restaurimi i dekoracioneve të vjetra, me ç’rast rreth 90 % është  ripikturuar. Në oborrin e kësaj xhamie ishin katër varre, që gjatë punimeve ndërtimore ,tre varret e shënuara me gurë, të Adem ef. Tërnovcit , Abdyrrahim ef. Llashticës dhe i treti që nuk është i shënuar me emër, por sipas disa të dhënave mund të jetë i Arapollit, imamit mbase të parë, apo myftiut i Ibrahim Dindarit, u çvendosën në pjesën e djathtë të oborrit të xhamisë, kurse i katërti mbeti aty ku ishte, dhe tani i rrafshuar. Në oborrin e kësaj xhamie me kohë qëndrojnë Shadërvani dhe Medreseja , që në popull shpesh përdoret termi “Xhamia e Medresesë “.

Në bazë të disa të dhënave, si imam apo myderriz i parë ose ndër të parët në Xhaminë “Atik” të cilin e kishin sjellë Gjinollët ishte Hasan Arapogllu i cili me pasardhësit e tij Seidin, Emërllahun dhe Aliun e kishin udhëhequr këtë xhami për një kohë të gjatë dhe pas tyre vijnë Mulla Xhema , Jusuf Muezini, Abdyrrahim ef. Llashtica një kohë më të gjatë deri më 1937, Mulla Sylejman Jakupi nga Smira 1938-1944, Hafëz Ilaz Selmani nga Gjilani 1945-1971 dhe nga viti 1972 Avni Aliu nga Tërnovci i cili është edhe tani.

Xhamia e Madhe apo e “Çarshisë” në Gjilan  është objekti më i madh fetarë islam në Anamoravë e ndoshta edhe në Kosovë, me dimensione 20 X 20 dhe 18 X18. Kjo xhami nuk ka ndonjë emër të veçantë, por me që gjendet në qendër i thonë  “Xhamia e Çarshisë“, (qendrës) dhe është ndërtuar për shërbimet fetare të banorëve të qendrës, të Lagjes së Bejlerëve nga e cila i ndante vetëm rruga kryesore dhe kompleksit të dyqaneve zejtare e tregtare në qytet. Kjo xhami është objekt i dytë i këtij lloji në Gjilan  pas asaj të “Atik Xhamisë”.

Rritja e shpejtë e numrit të banorëve të qytetit të Gjilanit, kompleksit të dyqaneve zejtare skaj xhamisë dhe dyqaneve tregtare, pas formimit të Vilajetit të Kosovës (1877), në kuadër të cilës hynte edhe Kazaja e madhe e Gjilanit, shtroi nevojën që në vend të xhamisë së përparshme të ngritej një xhami me dimensione më të mëdha.

Të dhënat dokumentare për themelimin e kësaj xhamie relativisht të re  nuk janë të mjaftueshme, prandaj për të dhënë një pasqyrë më të plotë jemi shërbyer  edhe me të dhëna memoriale. Në pllakën e vendosur në pjesën e brendshme të murit të përparshëm të xhamisë shkruan: “Ndërtimin e kësaj xhamie e ka financuar e bija e Mehmet Tahir Pashës së Prizrenit Shihraz  Dirhane (në popull Shehzade Hanmi), më (1251 H). (1830)”, e cila kishte qenë e martuar në Gjilan. Kjo e dhen dokumentare nuk ka të bëjë me xhaminë e tanishme, por kjo dëshmon se në këtë vend edhe më parë ka qëndruar një xhami, kurse xhamia e tanishme është ndërtuar në fillim të shek XX.

Ndërtimi i kësaj xhamie ka filluar në vitet e fundit të sundimit osman, përkatësisht më 1908-9, me mjeshtër nga Dibra dhe rrethina e Gjilanit, kur i janë ngritur muret e jashtme dhe fundamenti i minares. Mirëpo fillimi i Luftërave Ballkanike  në tetor 1912,  dhe largimi i sundimit osman nga këto troje, kishte shkaktuar ndërprerjen e punimeve, kjo dëshmohet edhe nga fotografitë e kohës. Pas një kohe i është vënë një mbulojë provizore, me të cilën ka qëndruar deri kah viti 1922, kur i është vënë kulmi dhe pas peripecive të shumta me përpjekjet vetëmohuese të  banorëve të qytetit dhe rrethinës ka përfunduar pas 30 vitesh me ngritjen e minares  më 1939. Si xhamia ashtu edhe minarja janë të ndërtuara kryesisht prej tullave të suvatuara, kurse qoshet e objektit me pjesën e përparme dhe fundameti i minares deri te kulmi janë të ndërtuara nga gurët e gdhendur.

Xhamia e Madhe e Gjilanit ka paraqitur një arkitekturë të veçantë të kulturës materiale islame, qëndronte në një vend të dukshëm dhe më të ngritur në qendër të qytetit, kjo bënë që xhami atë ketë pamje edhe më të bukur. Dimensionet saj të brendshëm ishin 20X20, me mure të trasha  rreth një metër, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 400 m.2 Kulmi qëndronte mbi dy shtylla të mëdha. Brendia e sajën edhe pse nuk ka ndonjë ornamtikë të pasur len përshtypje të posaçme. Dritaret e mëdha, nga të gjitha anët (nga tri në muret anësore dhe nga dy në hyrje dhe në murin e përparshëm), i sjell dritë të bollshme xhamisë dhe është rasti i rrallë për xhami. Minarja është shumë e lartë (më e larta në Kosovë) dhe mjaft elegante, nga e cila shihej tërë qyteti. Thuhet se derisa nuk kishte komunikacion të zhvilluar, ezani nga kjo minare dëgjohej edhe në fshatrat e afërta. Xhami që nga fillimi në oborrin e sajë ka pasur edhe shadërvanin me ujë të bollshëm dhe të shijshëm.

Pas Luftës së Dytë Botërore me vendosjes së pushtetit okupues komunist, si shumë objekte fetare islame edhe kjo xhami ishte mbyllur dhe për një kohë ishte shëndrruar në depo për  grumbullimin e duhanit etj., por pas protestave të shumta dhe pas ndërtimit të Kombinatit të Duhanit më 1947, xhamia ishte liruar.

Në bazë të dhënave memoriale shihet se si imam të kësaj xhamie kanë shërbyer: Molla Jakup Shkodra; Molla Jusufi të dy nga fshati Desivojca; Molla Ismajl Ramushi nga Llashtica 1935-1944 ; Molla Isak Selmani nga Cërrnica 1948-1951 ; Molla Adem Agushi nga Presheva (një vit); Molla Mustaf Neziri nga Cërrnica (një vit); Hafëz Hysen Latifi nga Bukoviku (tri vjet); Molla Shaip Begraca (katër vjet); Molla Jetish Bajrami 1960-1969; Molla Halim Shabani nga Budrika 1970-1988 dhe tani Molla Sylejman Osmani nga Lisocka .

Nga tërmeti i cili e goditi Gjilanin më 24 prill 2002, pësuan edhe xhamitë e qytetit dhe rrethinës, por më së shumti ka pësuar Xhamia e Madhe, të cilës i është rrënuar pjesa e epërme e minares dhe është qarë në disa vende kulmi mbi të cilin ka rënë minarja si dhe i janë dëmtuar edhe muret anësore. Kjo xhami qysh më  1980, është vendosur, n listën e monumenteve të Kosovës, për arsye të vlerave arkitektonike dhe kulturo historike kurse në vendimin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës pos tjerash thuhet: “Ky objekt është i evidentuar ë listën e monumenteve të  IMMK së, objekti paraqet një ndërtim sintezë (EKLAKTIK) ku gërshetohen elemente vendore orientale dhe perëndimore dhe paraqet një objekt me karakter të veçantë, të cilin nuk e hasim gjëkundi në Kosovë.”Andaj përkundër dëmtimit nga tërmeti, IMMK bazuar në ligjin e aplikueshëm  në Kosovë, në dokumentet si dhe në normat ndërkombëtare, nxjerr vendimin se  “Xhamia e Çarshisë (e madhe( e Gjilanit, e dëmtuar nga tërmeti nuk duhet rrënuar por duhet konservuar dhe restauruar sipas kritereve profesionale, duke i ruajtur vlerat e lartë cekura”. Pas shumë peripecive Kuvendi i komunës së Gjilanit, më në fund lëshoi pe para presionit të vazhdueshëm të BI, lëshoi lejen për shembjen e xhamisë, me kusht që ajo të  rindërtohej në stilin e mëparshëm. Siç dihet xhamia u rrënua dhe në vend të sajë më 2007, dhe në vend të sajë është ngritur xhamia tjetër me dimensione të njëjta, por me minare për 7-8 metra më të ulët.

Xhamia e Balecit, (emrin e mori sipas lagjes), është ndërtuar si mezgjid aty kah viti 1890, nga Hysen Pasha, afër saj ishte mejtepi i quajtur mejtepi i Gani Qaushit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kjo xhami shërbeu si mejtep për djem e vajza. Më 1973/74 u bë renovimi i objektit dhe iu ngrit minarja me vetë kontributin e banorëve të lagjes. Pas luftës si imam të kësaj Xhamie (Mezgjid) kanë shërbyer: Salih Llashtica, deri më 1958; Molla Hajdini emigrant nga Shqipëria deri më 1970 dhe pas tij Molla Alushi i Llovcës.

Në afërsi të kësaj xhamie qëndron çeshmja (kroi) e njohur e Balecit me ujë të bollshëm e të shijshëm .

Xhamia e Deremëhallës, (Xhamia e Vogël), është ndërtuar më 1905, me vet kontributin e banorëve të lagjes dhe ishte 50/60 metra afër varrezave të atëhershme myslimane të qytetit. Ishte e ndërtuar prej tullave dhe guri, me dimensione të vogla dhe minare të ulët. Në afërsi të saj ka punuar një mejtep. Si imam të kësaj xhamie kanë shërbyer: Mulla Bajram Rashiti nga Llashtica deri më 1924, pastaj i biri Mulla Ymer Berisha; Mulla Mustaf Selmani nga Gjilani nga viti 1945-1972 dhe nga ky vit shërben Mulla Enver Regjepi i Malishevës.

Pos xhamive të përmendura, në lagjen Çenarqeshme para disa vitesh filloi ndërtimi i një xhamie por për një kohë është penguar nga ana e organeve urbanistike të komunës. Në këtë xhami si imam i parë shërbeu Mulla Mustaf Bilalli i Llocës kurse tani shërben Mulla Ilaz…

TEQET, Një vend të veçantë nga monumentet e kulturës islame e zënë edhe teket dhe tyrbet. Teket janë faltore për kryerjen e ceremonive fetare-islame të dervishëve. Në Sallnamet e Vilajetit të Kosovës, për vitin 1900/1, në Gjilan përmenden dy xhami dhe një teqe. Kjo teqe sipas disa të dhënave është themeluar më 1881, KVS, 1900 1, që funksionon edhe tani dhe i takon tarikatit Rufai (kolli- Sadi). Ka një oborr me 22 ari truall, ku gjendet edhe tyrbja.

TYRBET, me që në Gjilan kishte  disa tarikate (drejtime), kanë ekzistuar edhe disa tyrbe si monumente mbivarrore, disa nga të cilat deri para një kohe kanë qenë të ruajtura. Tyrbja e tarikatit halveti gjendej në anën e djathtë të rrugës përball shkollës teknike Kjo tyrbe sipas disa të dhënave memoriale është e vjetër mbi 200 vjet dhe pranë sajë më parë ishte edhe tekja. Një tyrbe gjendej skaj rrugës  në të hyrë të lagjes  “Dardania”, dhe një tyrbe e tarikatit Rufai gjendej në Konaqet e Gjinollëve.

MEDRESET DHE MEJTEPET, po ashtu zinin një vend të rëndësishëm në arsimin dhe kulturën islame. Në Gjilan mejtepet kanë ekzistuar pranë çdo xhamie e më parë edhe në çdo lagje të qytetit, SVK, 1900-1,72 kurse medreseja vazhdimisht ka vepruar në oborrin e Xhamisë Atik. Një medrese që nga gjysma e shek. XIX ka punuar edhe në fshatin Dobërçan (Miresh) e cila është mbyllur me 1912. Pos këtyre në Gjilan ka vepruar edhe shkolla Ruzhdije (progjimnaz), e cila kishte filluar punën në një objekt jo të përshtatshëm në qendër të qytetit, kurse nga viti 1907, në objekt të ri, i cili më vonë ka shërbyer për nevoja të tjera dhe si gjimnaz. Ky objekt me vlerë i tipit orjentslo-islamik,  është djegur gjatë natës së 28 nëntorit të vitit 1976.

HAMAMI, Një nga objektet e kulturës orientale me vlerë arkitektonike ishte edhe Hamami i Gjilanit (banjo publike), i cili përmendet nga gjysma e dytë e shek. XIX, në Sallnamet e Vilajetit të Prizrenit, kurse është rrënuar më 1950. Ishte ngritur në afër mëhallës së Bejlerëve, në pjesën e majtë të lumit të banjës. Godina ishte e ndërtuar  prej guri dhe tullave, me kube të mbuluar me tjegulla. Sipas të dhënave memoriale, hamami brenda  kishte 5 lokale për larje, terje, për pushim etj.

SAHAT KULLA, Nga gjysma e dytë e shek. XIX në Gjilan ekzistonte edhe Sahat Kulla, afër konakut të Gjinollëve, në vendin ku tani gjendet hyrja e shtëpisë së mallrave. Qëndronte  në një vend të ngritur, dhe më tepër i ngjante një pyrgu observimi (vëzhgimi), apo kullë mbrtojtëse, e ndërtuar ndoshta edhe për këtë qëllim, kishte dritare në të katër anët, me ogjak dhe pyrgun me orën e vendosur, e cila shënonte kohën e sakët dhe shërbente për orientimin e njerëzve në qytet dhe kalimtarët e rastit. Është rrënuar rreth vitit 1922, kurse ora e sajë është vendosur në kumbonaren e kishës ortodokse serbe të qytetit, të ndërtuar po në atë vit, ku gjendet edhe tani.

DYQANET, Historia e zejtarisë së Gjilanit është e vjetër sa edhe vet qyteti. Që nga themelimi i tij, në Gjilan filluan të zbresin zejtarët e Novobërdës, e pastaj filluan të vinin zejtar e tregtar nga qytetet tjera dhe nga fshatrat e rrethinës. Pas luftës ruso-osmane (1877-78), në numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare të vendosura në Gjilan, të cilat edhe më parë kishin ushtruar profesionin e zejtarëve dhe të tregtarëve. Me vendosjen  e tyre në Gjilan u shtua numri i dyqaneve zejtare e tregtare dhe lloji i zejeve. Këtë kohë Gjilani si qendër e Kazasë ( Rrethit), kishte një zejtari e tregti të zhvilluar, si pak qytete të Kosovës. Kështu në Sallnamen (Vjetarin) e Vilajetit të Prizrenit të gjysmës së dytë të shek. XIX, thuhet se në Gjilan kishte 160 dyqane, kurse në ato të periudhës së fundit të sundimit osman, flitet për 242 dyqane zejtare e tregtare me rreth 100 lloj zeje të ndryshme. Ndërkaq sipas në veprën e autorit M. Saviq të botuar më 1914, ku bëhet fjalë për zejet e Gjilanit dhe të viseve tjera të Kosovës, pas përfundimit të Luftërave Ballkanike, atëbotë në Gjilan kishte 151 punëtori të ndryshme zejtare. Autori pohon se numri i zejeve dhe dyqaneve zejtare ishte pakësuar, një numër madje ishte zhdukur në krahasim me periodën e sundimit osman. Rënia e numrit të dyqaneve zejtare dhe tregtare ishte pasojë e shpërnguljes së një numri të familjeve zejtare e tregtare për Turqi e vend tjera pas okupimit serb të këtyre trojeve. Ishte mjaft karakteristik qendra zejtare e Gjilanit, e cila shtrihej prej Xhamisë së Madhe deri te lumi Dobrusha, duke krijuar një kompleks të me shumë dyqane të vogla e të dendura, me qepena përpara për ekspozimin e mallit, me rrugët e ngushta e të shtruara me kalldrëm. Sipas të dhënave të kohës në këtë pjesë të qytetit ishte edhe një Bezistan apo çarshi e mbyllur me 60 dyqane.

OBJEKTET BANIMI, Nga tipet e shtëpive për banim dalloheshin sarajet dykatëshe të bejlerëve në Begler Mëhallë. Dritaret e katit të epërm zakonisht ishin të mbuluara me parmakë. Tip i dalluar i shtëpive për banim në Gjilan ishin shtëpitë “Dollma”, të ndërtuara nga materiali i dobët, me dy dhoma, korridor (gezenti) dhe ballkon (Krevet) të mbuluar. Pos tyre kishte edhe dykatëshe të tipit “Vardar”.

Objekt unikat në Gjilan, i cili për nga arkitektura e dekori i brendshëm dhe i vetmi objekt i llojit të tillë në Kosovë, ka qenë “Konaku i Pashës”, trashëgimi e familjes feudale Gjinolli, të ndërtuar pas vendosjes së tyre në Gjilan në lagjen e bejlerëve. Konaku ishte ndër objektet e para, sipas disa të dhënave i ndërtuar më 1754, në një vend të rrafshët pak të ngritur në mes dy lumenjve të vegjël, rreth 200 metra në jug-lindje të Xhamisë së Madhe, në vendin ku tani qëndron vetëshërbimi i ndërmarrjes publike 28 nëntori. Ishte ndërtesë e madhe dykatëshe me shumë kthina e ndërtuar prej guri lëndëve bungu. Ky objekt ka pasur edhe objekte shtesë për rreth, por të rrënuara më parë. Para hyrjes kishte një krue (çeshme). Ndërmjet konakut e ndërtesës së haremit ekzistonte një urë e mbuluar qe lidhte këto dy objekte dhe nuk shihej nga jashtë. Ky objekt është rrënuar më 1950, me moton“ ta rrënojmë të vjetrën për ta ndërtuar të renë”. Materiali i tij është përdorur pjesërisht, për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në Gjilan.

Për një objekt banimi me rëndësi arkitektonike të Gjinollëve në Gjilan, bën fjalë Kryepeshkopi i Shkupit Dario Bucciareli, më 1872, i cili gjatë udhëtimit të tij nga Janjeva për Letnicë e Shkup, kishte kthyer në Gjilan, si thotë, “për disa punë zyrtare”, bënë fjalë për këtë objekt me rëndësi, të shkatërruar kohë më parë nga të bijtë Maliq Beut, pas vdekjes së të atit, (1848 AS.) për të cilin thotë: ”…E tërë ajo gërmadhë, dikur pallat madhështorë, podrumi i të cilit ka shërbyer si burg, ishte rrënuar, kurse materiali i kishte shkuar në shitje. Tullat e këtij pallati ishin shitur për kulmin e një kishe dhe të një bujtine, edhe gurët ishin nxjerrë nga themeli dhe ishin shitur…”

Nga objektet e ruajtura gjerë më tani të arkitekturës orientale në Gjilan janë: Saraji osman, (tani ndërtesa e Kuvendit të Komunës), i ndrëtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX, si zyre e Kajmekamit (kryetarit të Rrethit); Konaku i Hysen Pashes, (tani shkolla e muzikës); Deboji – depo të municioni (Objekti i LDK-së e LDD-se) i ndërtuara kah gjysma e shek. XIX, si dhe disa shtëpi të ruajtura akoma, në mesin  e të cilave ajo e Zekirja Abdullahut.

ÇESHMET, Si objekt të traditës orientale dhe islame, janë padyshim edhe çeshmet  (krojet ) publike. Në bazë të Sallnameve të Vil të Prizrenit, shihet se në gjysmën e dytë të shëk. XIX më (1867), në Gjilan kishte 11 çeshme publike, kurse Sallnama e Vil.të Kosovës për vitin 1896/7, thotë se Gjilani ka ujë të bollshëm dhe shumë të shijshëm  i cili vjen nga fshati Koretishtë. Sipas udhëpërshkruesi Todor P. Stankoviç, në lagjen serbe të Varoshit  Hysen Pasha kishte ndërtuar disa çeshme dhe një në oborr të kishës. Ndërkaq sipas disa të dhënave të tjera deri para Luftës së Dytë Botërore, në Gjilan kishte 22 çeshme pjesa më e madhe e të cilave kanë funksionuar për një kohë edhe pas luftës.

VARREZAT, Në vijim pak fjalë edhe për varrezat myslimane të Gjilanit. Varrezat e para myslimane ishin afër shkollës ruzhdije–gjimnazit të më vonshëm. Gjatë mihjes së podrumit të shkollës normale dilnin varreza myslimane ku sipas disa të dhënave varrimi në këtë vend është bërë deri kah viti 1880 90, dhe pastaj varrimi fillon të bëhet skaj qendrës së sotme, dhe shtriheshin prej objektit të gjyqit dhe SHPK-së dhe deri afër stacionit të autobusëve. Pas Luftës së Parë Botërore dhe formimit të Mbretërisë SKS, me kërkesën e serbëve të qytetit, ndërpritet varrimi në këtë vend dhe bëhet transferimi në një lokacion të ngushtë mes dy rrugëve për në Çenarçeshme, në vendin  ku tani gjendet parku i fëmijëve afër shkollës fillore “Abaz Ajeti“). Pas plotësimit të këtij vendi, diku para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, varrimi fillon të bëhet në lokacionin e  varrezave të tanishme. Në hyrje të këtyre varreve gjenden dy gurë mermeri të gdhendur bukur, të bartur nga varret e qendrës, njëri është i Ahmet Bahtjar be Gjinollit biri i Husret beut, viti 1215 H (1800) , dhe tjetri i Mustaf be Gjinollit , viti 1226 H  (1811) .

Pos objekteve të përmendura më lartë dihet se kohët e fundit të sundimit osman, Gjilani ka pasur edhe 20 hane, kazermën, me kapacitet prej 3/deri 4.000 ushtarësh, pastaj spitalin shtëpi me tri dhoma në mes të qytetit, konakun e hyqymetit, konakun e redifëve rezervistëve komanda e të cilëve ishte e vendosur në periferi të qytetit, hambaret e yshyit të shtetit (10 hambare) dhe debojin depon e municionit, nga viti 1912 kishte dy depo të municionit, gazhanen në pjesën veri-lindore të qytetit e të tjera, mirëpo për të gjitha këto e të tjera na mungojnë të dhëna të mjaftueshme.

Gjilani kishte një fond të begatshëm të trashëgimisë  kulturore të stilit orientalo –islamik, me rëndësi të madhe kulturo-historike për tërë rajonin. Fatkeqësisht mumri më i madh i këtyre objekteve  janë rrënuar, një pjesë e tyre nga pakujdesi, ndërsa pjesa më e madhe  dhe më e rëndësishme është rrënuar qëllimisht, pas vitit 1912, respektivisht me vendosjen e okupimit serb në këto troje gjatë realizimit të planit urbanistik të qytetit me moton “Ta zhdukim të vjetrën për ta ndërtuar të renë”, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të kulturës shqiptare të proviniencës islame.

 

You Might Also Like