Futboll

Kjo është treshja e shkëlqyeshme e futbollit gjilanas

Dy futbolliste të Klubit të Futbollit të Femrave Intelektualet prijnë në listën e golashënuesve më të mira në Kosovë. Antigona Behluli dhe Kaltrina Biçkaj kanë qenë të pamëshirshme për portat kundërshtare, por këto lojtare nuk do të kishin sukses kaq të madh pa trurin e ekipit e kjo është mesfushorja e talentuar Blerta Shala, pasimet e së cilës kanë një saktësi milimetrike.

Antigona Behluli ka realizuar 28 gola vetëm gjatë stinorit vjeshtor, derisa Kaltrina Biçkaj ka shënuar 17 të tjerë, kurse Blerta Shala ka mahnitur futbolldashësit me teknikën që posedon. Nuk është rastësi që këto tri lojtare me të madhe po kërkohen nga klubet vendore dhe ato jashtë vendit.

Antigona, Kaltrina e Blerta, luajnë si të jenë një, njihen shumë mirë në mes veti, ngase që nga fëmijëria ishin pjesë e këtij klubi, andaj meritat e tyre për sukseset e KFF Intelektualet janë të mëdha. Këtë e pohon edhe kryetrajneri Afrim Mehmeti, sipas të cilit me Blerta Shalën në mesfushë, Antigona Behluli dhe Kaltrina Biçkaj shumë shpesh kanë arritur në pozitë që të shënojnë, gjë të cilën edhe e bënë.

“Unë shumë jam i kënaqur me angazhimin dhe bashkëpunimin e këtyre lojtareve, të cilat në fushë dhe jashtë saj nuk kanë xhelozi ndërmjet veti, por bashkëpunojnë në të mirë të ekipit dhe për to rezultatet e ekipit janë në plan të parë”, thotë kryetrajneri Afrim Mehmeti.

Mehmeti pohon se kushtet në klub nuk janë edhe aq të mira, por krejt këto po kompensohen falë punës së palodhshme të futbollisteve, të cilat punojnë pesë ditë në javë, andaj ato janë të përgatitura mirë. Mehmeti pohon se tashti në klub ka një numër të mirë të lojtareve me përvojë, por edhe kanë futbolliste të reja, me një të ardhme të ndritur.

Cilësitë e tyre, Antigona Behluli e Kaltrina Biçkaj i kanë dëshmuar edhe në arenën ndërkombëtare, andaj ato shumë shpejt do të jenë pjesë e futbollit evropian, kurse me hapa të sigurt në këtë rrugë është nisur edhe Blerta Shala, e cila po shkëlqen çdo ditë e më shumë dhe tashti që të tria janë pjesë e kombëtares dhe se edhe ajo besohet se shumë shpejt do të testohet në futbollin zviceran, gjë të cilën më herët e kishin bërë dy shoqet e saja.

Afrim Mehmeti është i bindur se jo vetëm këto tri lojtare, por edhe lojtare të tjera të klubit që e drejton shumë shpejt do të dalin në arenën ndërkombëtare, ngase pikërisht nga ky klub katër lojtare luajnë në Kombëtaren e Shqipërisë e tri të tjera në atë të Kosovës.

“Jemi një fidanishte e futbollisteve të reja dhe kjo po dëshmohet për çdo ditë”, thotë Afrim Mehmeti, kryetrajner.

You Might Also Like