Viti

Musli dhe Selim Pira, babë e bir atdhetarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare

Shfletime të historisë së lavdishme

 

Musli dhe Selim Pira, babë e bir atdhetar dhe veprimtarë të çështjes kombëtare

 Selim /Musli/ Pira, si i përndjekur politik pasi që i takonte qetave balliste që udhëhiqeshin nga babai i tij Musli Pira dhe Hysen Tërpeza,  rezistoi kundër regjimit të atëhershëm sllavo-komunist  dhe për këtë u arrestua dhe u dënua me 5 vjet burg të rëndë të cilin e vuajti në burgun famëkeq të Nishit.

 

 

  SHKRUAN : AZIZ ZUKA

 

Në rajonet e ndryshme të Kosovës, në etapa të ndryshme historike serbet kryen dhe realizuan një varg masakrash ndër vite si në të kaluarën, ashtu edhe në luftën e fundit në Kosovë. Mbahen mend dhe evokohen edhe sot me dhembje nga më të moçmit që përjetuan masakrat e sidomos atë fundvitit 1944 / 27 dhjetor/ dhe të fillimvitit 1945 në Pozharan të Vitisë. Ndër masakrat e tilla me të cilat serbet nuk ngopeshin me gjakun e shqiptarëve me synim për të shporrur dhe çrrënjosur tërë qenjën shqiptare e ajo ndodhi në Pozharan të Vitisë më 7 janar të vitit 1945 në ditën e Bozhqit serbë. Ajo çka ndodhi ishte një dramë rrënëqethëse me personazhe shumë të ndryshme dhe një ngjarje që ka tronditur tërë popullatën shqiptare të pafajshme të Anamoravës dhe KARADAKUT.Në këtë shkrim do të ndriçojmë disa rrëfime dhe të vërteta ende të pandriçuara sa duhet për dy protagonist të këtij shkrimi Babë dhe birë, dy veprimtarë e atdhetar  dhe luftëtarë  të cilët luftuan për një Shqipëri etnike e ata janë Musli/Zeqë/ Pira dhe djali i tij, Selim /Musli/ Pira  nga Pozharani.

 

Pak biografi për veprimtarin dhe atdhetarin e çështjës kombëtare Musli /Zeqë/ Pira

Musli Pira

  

Musli Pira u lind në Pozharan në vitin 1888 kishte 8 vllezer dhe dy motra. Ishte pjesëmarrës i luftave ballkanike dhe si i mobilizuar me dhunë nga pushteti i atëhershëm serb  ishte dërguar në frontin e luftës në Beograd për të luftuar kundër ushtrisë Austo-hungareze dhe ishte vendosur në Kalamegdan . Musliu si  fëmija më  ri i babait Zeqës, ishte gjithnjë afër babait të tij, dhe rregullisht e ushtronte të kalëronte mbi kuaj dhe tregohej si më i shkathmi nga vëllezërit e tjerë. Musliu ishte shumë i shkathët dhe në oda ku qendronin paria e fshatit Pozharan si Mulla Ibrahim Kurteshi, Hamdi Kurteshi, Islam Pira , Ramë Avdyli, e shumë të tjerë, dëgjonte rrëfimet e këtyre bashkëfshatarëve  dhe dëgjonte nga ata për luftërat çlirimtare dhe për autonomi dhe pavarësi të shqiptuarve nga okupatorët, për aspiratat e tyre për  Bashkim kombëtarë.

Pas kthimit nga fronti i luftës nga Beogradi ai vazhdoi të punoj dhe u angazhuar në veprimtarinë atdhetare dhe patriotike  për krijim e një Shqipërie etnike.

Duke u angazhuar si atdhetar dhe veprimtarë ai edhe nga bashkëfshatarët ishte i respektuar dhe për këtë  u zgjodh edhe kryetar i komunës së Pozharanit, ku në këtë post qëndroi deri në fund të vitit 1943 kur u pasua nga Hysen Tërpeza me dekretin që ishte dhënë nga Tirana, pasi Musliu paraprakisht, kishte dhenë dorëheqje nga posti me arsyetim se duhej që aty të punonte ndonjë burr në moshë më të re se ai dhe kishte propozuar që atë ta zëvendësonte një Hysen Cakiqi /Tërpeza/nga fshati i afërt me Pozharanin.

 

E vlen të theksohet se gjatë ceremonisë së dorëzim- pranimit të detyrës nga ai tek Hysen Tërpeza  i kishte thënë atij  ”Eja vëlla mos të vije keq se po shkon vëllai i madh e po ia dorëzon postin vëllait të vogël e jo shkaut”.

 

Musli Pira më pastaj pasi ishte i përndjekur nga pushteti që tashmë shihej se do të vije nga sllavo-komunistët e  për të mos u ra në dorë atyre, doli në mal për të rezistuar këtij pushteti  gjakatar ku formoi  qetat balliste dhe aty qëndroi së bashku pastaj edhe me njësitet e Hysen Terpezës deri në vitin 1946 kur njësitet e këtij të fundit në pamundësi që të rezistojnë më shumë, pasi që u mungonte përkrahja, me disa ballist të tjerë kaluan kufirin  Kosovës dhe të Maqedonisë ku kaluan në Greqi, kurse Musli Pira qëndroi në Kosovë së bashku me Hasan Aliun-Remnikun dhe bashkëluftëtarët e tij deri në fund të vitit 1946 kur edhe u dorëzua pushtetit.

 

 

Familja e Musli Pirës u shpall armike e pushtetit serbosllav dhe iu konfiskua e tërë pasuria e tundëshme dhe e patundëshme

 

 

Familja e Musli Pirës  nga pushteti i ri okupator serbo-sllavo-komunist  u shpallë armike e pushtetit dhe të njetit edhe pse ishte i liruar si i pafajshëm me një akt amnistie  iu konfiskua e tërë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme.

Bazuar në një vendim të gjykatës së Qarkut në Ferizaj, të mbajtur në muajin Janar, gjykata e atëhershme serbo-sllave me aktakuzë të zëvendës prokurorit të shtetit  në një seancë gjyqësore ta mbyllur për publikun, Musli Pirës ia konfiskoi tërë pasurinë . Kjo dokumentohet edhe në Aktvendimin e Gjykatës së ashtuquajtur të Qarkut në Ferizaj të datës 26 janar 1946,  që  dëshmon se i njëjti shpallet armik i shtetit dhe mënyra dhe gjërat që i janë konfiskuar, ku ndër të tjerat në aktvendimin e shkruar me shkronja cirilike i konfiskohet e tërë pasuria e patundshme arat, livadhet etj,pastaj hambari me grurë, koshi me misër 14 dele si dhe kafshët e imta dhe të trash.

Familja e Musliut më vonë  i ri blejnë pronat e tyre  nga ata të cilëve u ishin  dhënë si kompensim nga pushteti lokal i komunës për eksproprim.

E sipas fjalëve të trashëgimtarëve të kësaj familje edhe tash ata nuk kanë qasje në pronën e tyre prej 70 ari toke pjellore e cila nga AKP-ja, kohë më parë i është shitur një blerësi duke i dëmtuar kështu edhe tani familjarët e këtij atdhetari të cilët nuk po mundë të rikthjnë pronën e tyre edhe përkundër kërkesave dhe ankesave që kanë bërë dhe po bëjnë edhe tani në shtetin e Pavarur të Kosovës. Musli Pira  vdiq në vitin 1985 në moshë  96 vjeçare.

 

Po kush ishte veprimtari dhe atdhetari e i burgosuri politik Selim /Musli/ Pira

 

Njëri nga ballistët e fundit të Anamoravës dhe Karadakut Selim /Musli/ Pira,  u lind  në Pozharan në vitin 1922 ishte njeri nga bashkëpunëtorët ngushtë dhe bashkëluftëtarët e komandantit të qetave balliste Hysen Tërpeza së bashku edhe me babin e tij Musliun.

 

Selim Pira, në njësitet balliste ishte aktivizuar  duke iu bashkëngjitë  qetës së babait Musliut, i cili si ballist kishte rezistuar që nga viti 1944 pra që nga ditët e para të vitit 1944 për të rezistuar një regjimi totalitar sllavo-komunist që ishte instaluar menjëherë  pak para mbarimit të luftës së  luftës së Dytë botërore dhe kishte pushtuar tokat shqiptare.

 

Veprimtari dhe atdhetari e i burgosuri politik, Selim Pira, Ishte njëri ndër të paktët që i kishte shpëtuar masakrës së njohur serbe mbi popullatën  e pa mbrojtur shqiptare në xhaminë e Pozharanit, plojë kjo që kishte nisë dhe ishte realizuar nga serbet lokal të Pozharanit me në krye  Vukashin Kovaqeviqin një gjakpirës i shqiptarëve më  27 dhjetor dhe kishte zgjatur deri më 7 janar të vitit 1945, ku ky veprimtar dhe atdhetar ishte rrahur dhe dërmuar nga serbet, sepse ishte biri i ballistit tashmë të njohur në atë kohë Musli Pira.

Selim Pira

 

 

Selim Pira, pasi ishte rrahur dhe dërmuar  ai më nuk u kthye në shtëpi, por së bashku edhe me një kushëri të tij, iu bashkëngjit /edhe ashtu i rrahur dhe i dërmuar veshur në lëkurë delesh / njësiteve balliste, ku ishte edhe babai Musliu në malet e fshatit Tërpezë te vendi i quajtur ”Kryqi”.

Pasi kishte qëndruar në male si ballist  më shumë se një vit e pasi që regjimi i atëhershëm jugosllav kishte shpallur njëfarë amnistie  për ata të cilët dëshirojnë të dorëzohen pushtetit të atëhershëm i njëjti është dorëzuar dhe nga pushteti serbo-sllav  pas dorëzimit  fillimisht ishte mbajtur në paraburgim  15 ditë në Ferizaj në një barakë të vjetruar bashkë edhe me disa shqiptarë të tjerë, ku u maltretuan fizikisht dhe psiqikisht e pas 15 dite u dërgua në Prishtinë në burgun e atjeshëm dhe më procedurë të shkurtuar si armik  u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 5  vjet burg të cilat i vuajti 3 vjet  në burgun famëkeq të Nishit.

Pas vuajtjes së dënimit që i ishte shqiptuar ai  lirohet nga burgu dhe kthehet në Pozharan, pas disa ditë rrugëtimi ashtu i leckosur, i rraskapitur dhe i uritur, ngase siç tregonte nuk kishte para për të blerë bukë por rrëfente atë thënien popullore se “Njeriu ishte më i fortë se guri”, prandaj edhe i gjallë u kthye në shtëpi.Vlenë të thuhet se sipas rëfimit të tij,ai porsa kthehet në shtëpi në Pozharan menjëherë i dërgohet  ftesa për të kryer shërbimin ushtarak dhe menjjëher u dërgu në shërbim ushtarak që dhe e kreu pas 2 vitesh .

Selim Pira u lind  në  vitin 1922 në Pozharan dhe në moshën kur ishte dënuar i kishte 24 vjet.

Ai dinte shkrim lexim dhe kishte të kryer 5 vite shkollë në gjuhen serbe /pasi shkollë shqipe nuk kishte të hapur/.

Autori i këtij shkrimi, pati nderin dhe fatin që të bisedoj shpesh me te në dyqanin që mbante në Pozharan, njëri nga djemtë e tij Shabani, ku shpesh vinte dhe pushonte duke kaluar ditët e pleqërisë  dhe nga rrëfimet e tija rrëqethëse  mësova shumë çka për vuajtjet, torturat dhe masakrat sllavo-komuniste të atëhershme ndaj shqiptarëve.

Autori i këtij shkrimi pati fatin që të bisedojë shpesh me te dhe  pati rastin çka të mësoj  për vuajtjet e popullit shqiptarë  dhe për kohën kur ai jetoi dhe veproi  e luftoi me armë në dorë, si ballist i frymëzuar edhe nga angazhimi  atdhetar i babait  të tij Musliut, i cili një kohë të gjatë ishte edhe kryetar i komunës së Pozharanit.

Atdhetari veprimtari për çështje kombëtare ballisti Selim /Musli/ Pira vdiq nga vdekja natyrore  në muajin Prill të  vitit 2008, por me gëzimin e madhe që kishte fatin që të përjetoj momentet më të gëzuar pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008.

Ai disa ditë para se të ndërronte jetë,  kishte marrë edhe ftesën zyrtare për të marrë pjesë edhe në Simpoziumin që do të mbahej në Prishtinë me rastin e shënimit të 62 vjetorit të shënimit të luftës së Kryekomandantit – ballistit  Shaban Polluzha në të cilin ishte i ftuar edhe i ndjeri Selim Pira, por vdekja e papritur në muajin Prill të vitit 2008 ia pamundësoi pjesëmarrjen në këtë Simpozium. Selim Musliu me nderime nga bashkëqytetarët, shokët, miqtë dhe  pjesëtarët e dënuar politik u varros në varrezat e Pozharanit.

 

Aktvendimi për konfiskim te pasurie

Për fund  në këtë shkrim po shtojmë  edhe këtë  se do të ishte mirë dhe më se e nevojshme që Kuvendi i Kosovës me ligje të rregulloj këtë çështje duke e obliguar AKP-në që tua kthej pronat që u janë konfiskuar nga ish sistemi komunist pronarëve përkatësisht trashëgimtarëve, sepse mosveprimi i institucioneve të Shtetit të Kosovës është rrezik që familjet të hasmohen dhe të vije deri te ndonjë konflikt me pasoja të rënda. Aziz Zuka

 

You Might Also Like