Trashëgimi

Nekropoli tumular i Llashticës

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Gjilan

Tumat janë monumente mbivarrore karakteristike për kulturën dardane, përkatësisht ilire. Në to, zakonisht është varrosur paria fisnore. Përgjithësisht tumat hasen në grupe, ose edhe të vetmuara. Në Kosovë, për herë të parë, shfaqen në periudhën e bronzit të hershëm. Nga kjo periudhë kohore dihet për dy nekropole tumulare, për tumën e Banjicës së Pejës dhe Lubozhdën e Istogut. Tumat vazhdojnë të përdoren pandërprerje gjatë tërë epokës së bronzit (2100-1200), një periudhë kjo e cila flet veç të tjerash për krijimin e një tërësie etnokulturore  gjeografike, që shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës. Por, përdorim më të gjerë tumat gjejnë gjatë epokës së hekurit, të cilës epokë i takon edhe nekropoli tumular i Llashticës.

Nekropoli ndodhet në arat bukanike të fshatit Llashticë, pakëz pa mbërri në fshat (1.5 km.), në anën e djathtë të rrugës Gjilan – Llashticë. Nekropoli është zbuluar pas një ekspedite përnjohëse arkeologjike që kishte organizuar Muzeu i Kosovës në vitin 1979. Në atë areal janë evidentuar 7 tumula, prej tyre 5 janë hulumtuar.

Në vitin 1980, në kuadër të bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës  dhe Universitetit të Prishtinës, ndërmerren gërmime të përbashkëta midis Sektorit të Arkeologjisë të Institutit të Historisë të Tiranës dhe Muzeut të Kosovës. Stafi i arkeologëve përbëhej nga arkeologët: prof. S. Islami, prof. S. Anamali, prof. M. Korkuti, K. Luci dhe D. Paloka, ndërsa konsulent shkencor ishte prof. Zef Mirdita.  historisë

 

Gërmimet kanë vazhduar edhe gjatë vitit 1981 dhe 1982, por pa ekipin e arkeologëve nga Tirana, sepse pas demonstratave studentore të vitit 1981, siç dihet u prishën marrëdhëniet ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, sepse kjo e dyta përkrahu demonstratat e studentëve shqiptarë të asaj pranvere të përgjakshme. Kemjal Luci do të rikthehet pas 31 vitesh në Llashticë, më saktë në vitin 2011, kësaj here për të hulumtuar tumën VIII të këtij nekropoli. Gërmimet e ndërprera më 21 tetor të vitit 2011 (fig. 2) do të vazhdojnë në vitin 2013.

Pse përqendrimi dhe këmbëngulja për hulumtim arkeologjik pikërisht në Llashticë?

Shkakun e sqaron më së miri arkeologu ynë Muzafer Korkuti. Sipas tij insistimi për të gërmuar në nekropolin tumular të Llashticës kishte synim të qartë që nëpërmjet gërmimeve të silleshin prova në mbështetje të tezës se edhe Rrafshi i Kosovës në epokën e hekurit nuk kishte ndryshime etnike me Rrafshin e Dukagjinit, – siç konstatonte të kundërtën J. Glishiq, drejtor i Muzeut të Kosovës. Për 12 ditë me radhë nuk kishin zbuluar as edhe një varr, po prandaj shqetësimi “profesional”, siç shprehet M. Korkuti, rritej bashkë me ankthin për të fshehtat që ruan toka kur gërmon arkeologu. Ditën e 12 zbulohet një varr që kishte si inventar një enë dyvegjake të zbuluar edhe në tumat e Romajës, të Kukësit dhe të kulturës së Matit. Dëshmia e parë bindëse se tuma e Llashticës i takonte të njëjtës kulturë ilire të Dardanisë.

Ç’është e vërteta, për 33 vjet me radhë nuk janë bërë publike rezultatet e gërmimeve të tumës I të Llashticës, sikundër edhe tumave tjera. Vetëm në vitin 2013, në revistën arkeologjike Iliria të QSA, IA, Tiranë, botohet shkrimi Tuma I e Llashticës (Gjilan), f. 47-55, nga Selim Islami dhe Kemajl Luci. Për tumën II dhe për ndonjë karakteristikë të këtij nekropoli, sjellin informacione Nikolla Tasiqi, Rastko Vasiqi etj.

Tumat e Llashticës janë me përmasa të ndryshme: lartësia e tyre shkon prej 0,70 cm deri në 2,20 m, ndërsa diametri prej 7-28 m. Në Kosovë është e njohur tuma e Gjinocit, një rast i rrallë i një tume me përmasa gjigante me diametër 84 metra në drejtimin lindje-perëndim dhe 73 metra në orientimin veri-jug. Përmasa monumentale ka edhe tuma e Pogragjës së Gjilanit, të cilën arkeologia Edi Shukriu e konsideron si vendbanim të mbrojtur, pra jo si një nekropol, sikundër nënkupton vetë toponimi. Tuma ka një lartësi prej 7 metrash. Sipërfaqja e rrafshinës ka trajtë rrethi të çrregullt, me gjatësi prej rreth 75 m dhe gjerësi prej rreth 50 m.

Sipas materialit ndërtimor tumat ndahen në tri tipe:

  • Tuma vetëm prej dheu
  • Tuma prej dheu me mbulesë gurësh, pa unazë të jashtme
  • Tuma prej dheu, me mbulesë gurësh dhe me unazë të jashtme prej guri ose pllakash guri.

Në vendet karstike, si në Mal të Zi shfaqen tuma kryesisht me përbërje gurin. Tumulat e Llashticës i përkasin tipit të tretë, pra tumave të ndërtuara prej dheu me mbulesë gurësh, si dhe me unazë të jashtme prej guri ose pllakash guri. Konstruksioni qendror prej guri, ndryshe i njohur si murana e tumës paraqet nismën e ndërtimit të tumës, ndërsa unaza përcakton kufirin e tumës brenda së cilës është bërë varrimi (fig. 3). Murana pastaj mbulohet me dhe.

Në nekropolin e Llashticës, në asnjërën prej tumulave nuk janë gjetur skelete, as edhe gjurmë djegiesh.  Është kjo arsyeja që arkeologët të konsiderojnë me të drejtë se tumulat e tilla janë kenotafe. Tumat e tilla zakonisht u  përkushtohen luftëtarëve të rënë larg vendlindjes. Një dukuri e këtillë është e njohur në shumë nekropole ilire. Po prandaj, mbeten të rëndësishme gjetjet arkeologjike të cilat i përkasin prehistorisë. Gjetjet e tilla kanë qenë të vendosura në konstruktin prej guri, por gjithsesi që na është bërë me dije se në tumulën I ka pasur gjetje prehistorike edhe jashtë varreve. Shtresa që ka të bëjë me prehistorinë është e para (e poshtmja), ndërsa shtresa e dytë (e sipërmja) ka të bëjë me mesjetën; për të përfunduar se tumula I dhe II, për aq sa kemi informacione kanë gjithsej dy shtresa kulturore.

Gjetjet në tumën e parë, në konstruktin  prej guri janë: dy fibula bronzi, rruaza bronzi dhe një enë balte dyvegjake. Nga dy fibulat, ajo më e madhja (për lartësinë e harkut dhe diametrit të diskut) ka trup të harkuar e të përdredhur, ndërsa ajo më e vogla ka  trup të harkuar e të zbukuruar me rruaza bikonike (Tab. I, 1,2). Gjetja tjetër, rruaza e bronzit, ka trup bikonik me vrimë në mes. Ndërsa, ena dyvegjake ka trup konik me fund të sheshtë. Supet e enës janë të zbukuruara me trekëndësha të incizuar, të vendosur në mënyrë të vargëzuar. Pastaj fusha e trekëndëshave të parë është  brendashkruar me trekëndësha më të vegjël. Me motivin e  trekëndëshave në linjë janë stilizuar edhe disa enë që janë gjetur jashtë varreve. Teknika e punimit të ornamenteve të enëve është incizimi, – një karakteristikë kjo për enët e gjetura edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Dëshmi e sigurt për të konstatuar se bartësit e kulturës varrezore të Llashticës i përkisnin grupit kulturor Gllasinac – Mat.

Përpos tumulave të Llashticës, që i përkasin epokës së hekurit, në Anamoravë janë të njohura edhe disa lokalitete tjera të kësaj periudhe, si: Cernica, Pidiqi, Tuma e Pogragjës, Kalaja e Kamenicës, Kodërvarret ilire në Zajçec,  Fusha e Madhe dhe Tuma në Sadovinë të Jerlive, Gradina e Kishnapoles,  vendbanimi rrafshinor i periudhës së hekurit që gjendet rreth 1.5 km në veri të tumulave të Llashticës, që është konstatuar nga sondazhet e zhvilluara në tetor të vitit 2011 etj.

Disa nga gjetjet arkeologjike në Llashticë kanë ngjashmëri me gjetje të nekropoleve tjera, brenda dhe jashtë Kosovës. Si të tilla, ato shpërfaqin kulturën e përbashkët protodardane, ose ndikimet e mundshme nga rajonet përkatëse.  Ndër gjetjet më të rëndësishme të prehistorisë është fibula gjyslikore pa motivin e tetës, gjithashtu e gjetur edhe në Shirokë. Këto fibula janë të përhapura në tërë zonën. Fibulat me tri ose katër rrathë në hark,  përpos në Llashticë janë gjetur në Serbi dhe Transilvani, ndërsa fibulat me hark të përdredhur janë karakteristike për Bullgarinë Jugore, megjithatë ato shfaqen në Llashticë, Janjevë, Volkov dhe Viniç të Maqedonisë Lindore. Fibula me hark të përdredhur kronologjikisht është më e vonshme se fibula me këmbë në formë të mburojës Beotike, e përhapur në tërë Ballakanin Qendror, ndoshta një formë të veçantë në këtë zonë paraqesin fibulat me hark të përdredhur dhe këmbë rrethore, të gjetura edhe në Llashticë. Torkvesi me skaje në formë të T-së është gjetur në Llashticë, ndërsa në Shirokë dhe Janjevë  torkvesi me skaje të lakuara. Të rëndësishëm janë edhe byzylykët,  objektet në formë boshtesh me disqe anash dhe në mes, urna që i përket kronologjikisht fazës Bellaçevc I, si dhe   objekte kulti me figura të zogjve të punuara nga bronzi  etj.

Studimet arkeologjike, sidomos rezultatet nga gërmimi i tumulave të Llashticës  kanë dëshmuar se grupi kulturor Glasinac-Mat, më saktë varianti i tij i njohur me emrin Drilon, është shtrirë edhe në Rrafshin e Kosovës, përpos në Rrafshin e Dukagjinit. Ky grup i veçantë historikisht është  formuar në hapësirat e sotme të Kosovës, Maqedonisë veriore, Shqipërisë verilindore dhe Serbisë jugore. Ketë përcaktim të njëjtë kulturor e shohim në unitetin e tipareve kryesore të kulturës së tyre, si në ritin e njëjtë të varrimit tumular, në identitetin e formave dhe te dekorit të poçerisë, në ngjashmërinë e disa formave të objekteve metalike etj. Në këtë kontekst, ndryshimet që mund të vihen re midis elementeve sekondare e terciare të kulturës së këtyre dy zonave në epokën e hekurit, nuk duhen konsideruar si ndryshime të karakterit etnik, siç është menduar në ndonjë rast me parë, por si shfaqje të diversitetit të disa formave kulturore të tyre, të kushtëzuara nga pozicioni gjeografik, raportet e diferencuara kulturore me rajonet fqinje, si dhe me ndryshime të natyrës thjesht  kronologjike të subjekteve të krahasuara.

Nekropoli është datuar në shek. VIII-VII p.Kr në revistën arkeologjike Iliria (2013) të Tiranës, ndërsa në shek. VII-VI p.Kr. në Arheolosko Blago Kosovo i Metohije (1998) të Beogradit.

 

You Might Also Like