Donikë DABISHEVCI
NESËR KA ME U BA DITË PRAPË…
( Poezi nga libri më i mirë në poezi i Panairit të Librit, “Prishtina 2024”, –
“E gjithkohshmja ANDËRR”,
që do të jetë pjesë e edicionit të 15-të të manifestimit tradicional,
“Vjeshta letrare e Gjilanit”,
më 2 Nëntor 2024, ora 12:00,
në Bibliotekën e qytetit, “Fan S. Noli”, në Gjilan. )
E NEMUNA NANË!
Nana gjithnji gzim e lumni mbjell n’fmi,
shtron lulnaja andrrash t’shndritshme,
hanë e yje tund n’lisharëza përrallash,
mëkon shpresa t’qëndisuna
ujitun prrojesh t’argjendta,
tan’ gaz e hare.
Përditë t’lume.
Nana qindron si mal,
i madhnishëm,
para e pas krahve –
t’fmijve!
Nana – kshtjellë,
kshtjellë e nemun asht nana!
Pa ‘da e sulmueme,
drobitun dhimtash,
lëpin plagë e mëkon varra,
n’mbrojtje t’kërthive.
…
Kur nana,
kufomë e sakatosun
dergjet përskej,
çka ban fmija?
NINULLË LUFTE
– Flej bir, se shalue n’t’bardhin njibri,
shpejt ka me fluturue edhe kjo natë.
Me qilim magjik ka me ikë.
Qilim bojnabojnash lulue si ylber.
Nesër… nesër ka me u ba ditë prapë,
synin ka me e çelë ai i bukri diell,
kemi me u gzue lojnash,
hareshëm kemi me qeshë,
me e knaqë shpirtin,
si kurrnjiherë …
Kemi me u shkrie qejfi, bir!
– Këtu n’mal, nanë, a?
– Me zogj mali, me pllumba krahshkruem
kemi me u hedhë n’valle, n’tinguj harfash
luajtun prej pemsh.
Me flutra kraharta e dallndyshe bishtpreme
kemi me u përpjekë,
me u ndjekë.
E kur t’lodhun kemi me u shtri n’ledinë
bleroshja ka me gufue,
vrap shtigjesh prej mjedis malit
sorkadhja t’vogjlit ka me i tubue,
bashkë kanë me ardhë nëpër luleshqerre
syrrushin tem me e marrë,
me shkue te nji e akulltë ujëvarë,
kangës me ia thanë.
𝑆ℎ𝑢𝑠ℎ𝑢𝑟𝑖𝑛𝑡𝑒 𝑛𝑎𝑛𝑎 𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎,
𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎 𝑎𝑛𝑑ë𝑟𝑟𝑛𝑑𝑗𝑒𝑙𝑙ë𝑠𝑒,
𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎 𝑡’𝑝ë𝑟𝑛𝑑𝑗𝑒𝑘𝑢𝑛𝑣𝑒,
𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎 𝑡’𝑧ℎ𝑣𝑒𝑛𝑑𝑜𝑠𝑢𝑛𝑖𝑠ℎ,
𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎 𝑟𝑒𝑓𝑢𝑔𝑗𝑎𝑡ë𝑠ℎ,
𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎 𝑡𝑜𝑘ë𝑠𝑜𝑟ë𝑠ℎ,
𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎 𝑣𝑑𝑒𝑘𝑎𝑡𝑎𝑟ë𝑠ℎ 𝑡ë 𝑧𝑎𝑘𝑜𝑛𝑠ℎë𝑚,
𝑛𝑖𝑛𝑢𝑙𝑙𝑎 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑒…
– E baba, nanë?
– Masnej nji shtojzovalle flokartë
e nji zanë e bukur, zanë sykaltroshe…
– Baba s’livritke, nanë,
krejt n’gjak e kam pa babën… nanë!
– Andërr ka qenë bir, andërr…
– A ka dekë baba, nanë?
– Flej djali i nanës… flej,
andërr asht krejt kjo,
andërr… asht… bir,
andërr… andërr…
andërr…
asht!
…Flej, bir…flej…
se shpejt ka me fluturue edhe kjo natë.
Me qilim magjik ka me ikë.
Qilim bojnabojnash lulue si ylber…
Flej, i vogli i nanës,
Flej!
𝐄 𝐆𝐉𝐈𝐓𝐇𝐌𝐎𝐍𝐒𝐇𝐌𝐉𝐀 𝐃𝐀𝐒𝐇𝐍𝐈,
Nji hap para veç e kish,
kur u rrëzue si shkamb i bashëm shtatrandë
dhe e puthi tokën.
Nji lulebozhure iu qëndis mjedis shpatullash,
lulebozhure ujitun me vrushkuj t’nxehtë gjaku.
Dritë e hanës përthyhet n’t’kuqen e ndezun.
Llamburit fort!
S’don me ju zanë besë syve, ajo.
M’u qorrofshin të dytë, thotë,
teksa ndihet edhe krisma tjetër.
Dhimta tmerrësisht therrëse s’e ndali.
Kambadoras e marramendun
rropatet mjedis plumbash
drejt trupit t’dashtunit
tuj zvarritë.
Lotët i rrëshqasin si gur n’rrënoja
t’nji kështjelle të shkatrrueme…
Tre hapa sa tre shekuj!
U plandos mbi trup t’tij
ngrimun si mermer,
e përqafoi çehrebardhin
shikim mbetun drejt qiellit,
iu lëbyrën sytë,
iu terratis gjithçka
… dhe vdiq!
Trotuari u kuqlue.
U la n’gjak.
Ish e diel e tyre e fundit,
vrapim i fundit,
përqafim i fundit, ish!
Asht dashnia ajo
që s’e ndalin
as plumbat,
as ploja,
as kurthet,
as pritat
as çmendunia
as absurditeti i luftës.
E përjetshmja.
E përtejshmja.
E gjithmonshmja.
*𝘚𝘩𝘬ë𝘱𝘶𝘵𝘶𝘯 𝘯𝘨𝘢 𝘭𝘪𝘣𝘳𝘪 𝘪𝘮 “𝘌 𝘨𝘫𝘪𝘵𝘩𝘬𝘰𝘩𝘴𝘩𝘮𝘫𝘢 𝘈𝘯𝘥ë𝘳𝘳”, 𝘓𝘪𝘵𝘵𝘦𝘳𝘢, 𝘗𝘳𝘪𝘴𝘩𝘵𝘪𝘯ë, 2024