Libri

SHQIPTIMI POETIK I DHEMBJES SI KATARSË SHPIRTËRORE

 Anton Nikë Berisha –

 

( Për poezinë e zgjedhur të Timo Mërkurit,, përmbledhur në librin ËNDËRRIME TË MBYTURA NË DET, edituar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2018 )

“E vetmja kënaqësi që është njëherësh më e kulluara, më e ethshmja, më shpirtlartonjësja, besoj se rrjedh nga kun-drimi i së bukurës. Vetëm nëpërmjet kundrimit të së buku-rës, arrin të na jepet mundësia e arritjes së atij lartësimi të kënaqësisë apo ngacmimi emocional të shpirtit, që ne njohim si ndjenjë poetike e që është kaq lehtësisht e dallueshme nga e vërteta, që mund të quhet kënaqja e arsyes apo pasionit, të emëruar si dalldisja e zemrës. E gjitha kjo, më shtyn ta përcaktoj bukurinë – duke përdorur veç këtë fjalë e duke nënkuptuar sublimen – ta përcaktoj, pra, bukurinë, si lëmin e krijimit të poezisë, thjesht ngaqë ekziston një rregull i gjithë pranuar i artit, sipas të cilit efektet duhen të ngjizen në mënyrë të tillë që të shpërthejnë sa më drejtpërdrejt që të jetë e mundur prej shkaqeve të tyre – e askush gjer më sot nuk ka qenë aq i ulët sa të mohojë që ky ngacmim i veçantë emocional për të cilin po flasim, është të paktën më drejtpërdrejt i arritshëm nëpërmjet poezisë […] Pra, një artist i vërtetë, duhet të dijë gjithmonë si t’i qeverisë, duke i harmonizuar në masën e duhur e në përshtatje me atë bukuri që është atmosfera dhe esenca reale e tërë poezisë ”.
Edgar Allan Poe

Poezi me tekst të kursyer poetik

Poezia e Timo Mërkurit dallohet, pos të tje-rash, për dy veçanti të rëndësishme: nga një anë për ngjeshësinë – dendësinë e tekstit poetik të përftuar, dhe, nga ana tjetër, për dhembjen – vuajtjen e thellë që shprehet përmes tij. Të dy këta përbërës, të ngjizur me njëri me tjetrin, bëjnë konceptin krijues poetik të autorit, që lidhet pandërmjetësisht me qasjen e objektit poetik dhe me shtjellimin e tekstit, gjë që kushtëzon dhe komunikimin dhe ndikimin me marrësin.
Timo Mërkuri nuk krijon tekste të gjata, nuk i jep shfrim imagjinatës së vet krijuese, nuk gjakon mënyra të reja të shqiptimit poetik, po i shpreh du-kuritë përmes një teksti të kursyer e të menduar, herë – herë skajshmërisht të ngjeshur. Këtë e bën me qëllimin që sa më ma pak fjalë (tekst) të thotë sa më shumë. Fakti se ngjeshësia e tekstit është çështje e parimit krijues, atëherë brenda tekstit autori gjakon një të shprehur sa më të veçantë e të kursyer, qoftë kur jep pamje (tablo) tronditëse të dramës dhe të tragjikes së jetës së tij, qoftë të njerëzve të botës që i përket, që në poezinë e tij paraqitet si botë thellësisht e njësuar. Pra, poeti zbaton parimin krijues për të cilin Poradeci ynë thoshte: “[…] poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve ”.
Mendimi (mendimet) që dalin nga teksti i poezisë së Timo Mërkurit i japin jetë, e bëjnë atë sa të mëvetësishëm aq dhe komunikuese, pikërisht ashtu si thoshte filozofi i madh gjerman, Hegeli se men-dimi, si e vërtetë supreme , është gjithçka: ai që lëviz dhe ai që vë në lëvizje . Pra, përmes mënyrës së për-ftimit të tekstit, nga dalin mendimet, poeti Timo e përfton dhe të bukurën, për arsye se mendimi është ajo që është e bukur ”.
Kjo lëvizshmëri e mendimit, që asnjëherë nuk ngjet në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën masë e gjallëri në tekstin poetik, nxit përsiatje, një tundim të vijueshëm, jo vetëm për t’u thelluar në atë që thuhet, por për të krijuar mendime të tjera. Rëndësinë e kuptimit të poezisë e theksonte edhe Th. Eliot: “Nëse na ngacmon një vjershë, ajo duhet të ketë një kuptim, diçka të rëndësishme, për ne, e nëse nuk ngacmo-hemi, atëherë ajo si poezi, është e pakuptimtë ”. Këtë e thoshteedhe Imanuel Kanti: “Tragjedia ngacmon ndjenjëne së madhërishmes ”.
Natyrisht se mendimet që dalin nga struktura tekstore poetike që përfton Mërkuri, nuk janë të rastit; teksti duhet të ketë atë formë, që në qenësi shpreh shpirtin, jetën dhe rëndësinë e tij. Pikërisht përmes formës përkatëse që zbatohet në përftimin e tekstit poetik të kursyer si material leksikor, përli-gjet ideja e së bukurës ose e bukura për arsye se siç do të thoshte Edgar Allan Poe, ajo (ideja e së bu-kurës) është i vetmi lëmë i përligjur krijues i poe-zisë . Këtë të bukur, këtë bukuri, Timoja e përmbush nëpërmjet të shprehurit poetik, që është rrjedhojë e formës përkatëse të tekstit. Kjo ngjet sidomos në poezi për arsye se, siç e thotë Niçe, një ide kryen (bën) shndërrimin (ndikimin), e jo fakti i thjeshtë .

Dhembja si objekt poetik

Pse poeti Timo Mërkuri vendos që përmes një strukture të tillë tekstore të ngjeshur të kursyer gju-hësore shprehëse ta vështrojë dhembjen dhe vuaj-tjen në një përmasë të këtillë. A është kjo dorëzim para vështirësive dhe vuajtjeve? Mbase përmes një leximi të rastit mund të thuhej se ky është një pesimizëm dhe se poezia e ngritur mbi mendime të tilla nuk mund ta pasurojë botën e lexuesit, siç pritet nga ndikimi që një krijesë poetike e rëndomtë do të mund të ndikojë në marrësin. Gongora thoshte se një vepër letrare poetike mund të vijë edhe nga një temë e parëndësishme , për arsye se qenësinë e një vepre të artit të fjalës e bën para së gjithash gjuha, forma e shtjellimit gjuhësor shprehës dhe e kuptimeve që dalin dhe vënë komunikim të veçantë me marrësin dhe ndikon artistikisht në të, që nuk mund të bëjë një tekst i natyrës tjetër.
Fakti se dhembja është pjesë e pandashme e jetës së njeriut dhe se ajo është bërë objekt i shpeshtë i vështrimit poetik nga shumë krijues letrar dhe jo letrar, atëherë punën duhet parë ndryshe. Po sjell këtu tri vargjet e njërës ndër veprat më të lashta të plota letrare që njohim deri më sot, “Epit të Gilga-meshit”, që e përligjin këtë:
A nuk përngjajnë vallë njëri n’tjetrin
fëmija i porsalindur dhe vdekja?
Me njolla t’vdekjes njëjtë a s’janë t’shënuar?
(Epi i Gilgameshit, Kënga X, v. 364 – 366)
Edhe mendimi i Nënës Tereze, tashmë Shën Terezja e Kalkutës, se vuajtja asnjëherë nuk do të zhduket krejtësisht nga jeta jonë dhe se ajo është një dhuratë e madhe e Zotit , dëshmon se poeti Timo Mërkuri jo rastësisht i është qasur dhe e ka bërë objekt të trajtimit poetik dhembjen në një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë. Pra, dhimbja e shqiptuar në poezinë e tij nuk është shenjë e shfrimit të ndjenjave, të pakënaqësisë së rastit, nuk është tundim i për-kohshëm ose pesimizëm përballë jetës, po dukuri e qenësishme e mendimit, e veprimit dhe e gjallimit, siç është, fjala vjen, dashuria, vdekja. Dhembja është zëri i brendshëm i poetit që ngërthen (nënkupton) dhe zërin e njeriut të tij.
Shqiptimi i dhembjes përmes poezisë, përmes artit të fjalës si formë e ngushëllimit shpirtëror (ka-tarsës) i jep asaj gjithëkohësinë, siç është dhe natyra e saj (e dhembjes), e gjithkohëshme.
Në poezinë e Timos dhembja shqiptohet në shumë mënyra dhe është e ndërlidhur me botën e tij të brendshme dhe me botën e njeriut të tij në rre-thana konkrete jetësore; ajo është e ngjizur me vuajtjen dhe me vetminë, që kushtëzohen midis tyre në mënyra të ndryshme.
Në të vërtetë, dhembja e shqiptuar në poezinë e Mërkurit nënkupton dramën dhe tragjiken e tij shpirtërore, rrjedhojë e dramës dhe e tragjikes së rrethit e të botës që i përket. Janë ta rralla rastet në poezinë tonë bashkëkohore ku këto dy botë njëso-hen dhe e përligjin njëra – tjetrën në mënyrë kaq të thellë. Ky njësim ndodh nga vetëdijesimi i poetit dhe nga ndjeshmëria e tij shpirtërore përballë vetes dhe përballë tjetrit: fati ose fatkeqësia e një individi janë vetvetiu fati dhe fatkeqësia edhe të afërmit, të tjetrit.
Në qoftë se Bajroni dhe Bodleri e bënë dramë fatkeqësinë e tyre, ndërsa Witmani e bëri dramë lumturinë e vet , Timo Mërkuri ndjek një rrugë tjetër: ai e njëson dramën e vet me dramën e tjetrit dhe amëzohet dhe frymon brenda kësaj drame, që bëhet drama e njësuar. Me fjalë të tjera, poezia, si art, shpreh dramën shpirtërore të poetit, e cila përmes tekstit dhe mesazhit poetik bartet tek tjetri për t’u bërë e tillë edhe tek ai, të veprojë edhe si katarsë shpirtërore. Dhembja nuk shqiptohet vetëm për dhembjen vetë, për dhembjen e individit, siç ndodh zakonisht, po si dukuri e qenësishme e secilës qenie të njeriut.
Nëse gjithë këtë e vështrojmë përmes tre zërave që i veçonte Elioti kur bënte fjalë për poezinë: zëri i poetit për vetveten, zëri që poeti i drejtohet tjetrit dhe zëri kur ai përpiqet të krijojë një personazh dramatik, një personazhi të përfytyruar që i drejtohet një personazhi të imagjinuar , mund të thuhet se te Timo Mërkuri zërat janë të njësuar; ata ndihen e përjetohen si një zë i vetëm.
Njeriu është tashmë i vetëdijshëm se dhembja dhe vuajtja janë të pandashme nga jeta e njeriut, po ai duhet të bëjë përpjekje dhe të gjejë mënyra që t’i zvogëlojë dhe t’i përballojë ato. Shopenhaueri tho-shte se jeta për njeriun është një dhunë dhe se ai duhet të bëjë çdo gjë që ta lehtësojë atë. Në një më-nyrë ose në një tjetër, kjo thuhet edhe në librin e Siracidit (2, 4 – 5): “Prano gjithçka që të ndodhë, pranoje e duroje në dhimbje, ki duresë në përvuj-tërimin tënd, sepse në zjarr provohet ari e argjendi, po ashtu edhe të zgjedhurit në furrën e përvujtë-rimit”.
Ndoshta arsyen kryesore pse Timo Mërkuri i qaset dhe e shpreh dhembjen në një përmasë të tillë mund ta gjejmë te këto dy mendime.Xh. Patrik përmendte se “Dhimbja e nxit njeriun të mendojë. Të menduarit e bën njeriun të mençur. Mençuria e bën jetën të durueshme”, ndërsa Edgar Allan Poe-së thoshte: “[…] falë poezisë apo muzikës, mënyrat më magjepse të poetikës — e gjejmë veten të njomur në lot — më pas krejt të ngashëryer, e jo siç mund të mendonte Abbate Gravina, prej një kënaqësie të tejmasës, por prej një dhimbje të veçantë, gërnjare, të padurueshme, që buron nga pamundësia për t’i rrokur tërësisht, në këtë botë, njëherë e përgjith-monë, ato gëzime ngazëllenjëse e hyjnore, që nëpër-mjet poezisë apo nëpërmjet muzikës, ne arrijmë t’u kapim veç ca feksje të shkurtra e të papërcaktuara. Ka qenë para së gjithash lufta për të arritur hijeshinë hyjnore, kjo luftë e ndërmarrë nga ata shpirtra të mbrujtur në mënyrën e duhur — ajo që i ka dhënë botës gjithçka që ajo (bota) pati qenë ndonjëherë e aftë ta kuptojë e ta ndjejë menjëherë si poetike. Ndjesia poetike, sigurisht, që mund ta zhvillojë veten në mënyra të ndryshme — në pikturë, në skulpturë, në arkitekturë, në balet — e veçanërisht në muzikë […] Sidoqoftë, qëllimi ynë i këtushëm është të tregojmë mënyrën se si ajo arrin të shfaqet nëpërmjet fjalëve ”.

Dhembja pasojë e dramës dhe e tragjikes

U theksua më lart se poezia e Timo Mërkurit lidhet pandërmjetësisht me realitetin konkret, me dramën dhe me tragjiken që e cilëson jetën dhe ve-primet e përditshme. Pra, dhembja dhe vuajtja i kanë rrënjët në atë realitet, që shprehet. Ky realitet, thënë metaforikisht, bën akullnajën e përlotur, lotuese.
Ballafaqimi i poetit me dhembjen dhe vuajtjen, që ngjasin dhe tek tjetri, të kujtojnë atë që thoshte Shën Pali në Letrën drejtuar kolosianëve: “Jam i gë-zuar nga vuajtjet që i bart për ju” (Kol 1, 24). Sëkën-dejmi, edhe përballë dhembjes dhe vuajtjes që për-ligjet nga realiteti i përditshëm, një njeri është të gjithë njerëzit dhe të gjithë njerëzit janë një njeri. Vuajtjet e shumta kanë bërë që njerëzit të harrojnë edhe të qeshen:
Bisedat
si lumenj derdhen në digën e dhimbjes
e në sytë tanë vezullon trishtimi.
Kemi harruar të qeshim.
(Në digën e dhimbjes)
Jeta e stërmbushur me pësime dhe tragjikë dëshmohet edhe nga përkujtimoret e shumta të ndër-tuara gjithandej, të cilat ua tundin njerëzve ndër-gjegjen dhe qetësinë shpirtërore: “Para tyre ditët tona kalojnë si kortezh”. Në rrethana të këtilla buzëqeshjet bëhen të murosura dhe atyre u duket se në veprimet e përditshme kalojnë (shkelin) nëpër plagë ta pambyllura.
Pranë tyre njerëzit ecin ngadalë
e të heshtur. Sikur shkelin mbi plagë
të pambyllura. Sikur zgjojnë dhimbjet
te buzëqeshja e murosur
(Buzëqeshje e murosur)
Jeta që përjeton poeti dhe njerëzit e tij më shumë i përngjet një jete të shuar, vdekjes; arkivolet shenjëzojnë gjallimin, të cilën gjë poeti e ndien thellësisht në shpirt:
M’u kërrusën supet
nga pesha e arkivoleve.
M’u thinjën flokët brenda një dite
nga lemeria që më panë sytë.
(Kështu eci drejt Golgotës së jetës)
Vuajtjet dhe pësimet janë bërë të pafund; jeta është përmbysur dhe shndërruar në një katrahurë; fatkeqësitë dhe tragjikat ndodhin njëra pas tjetrës sa nënat i kanë këmbyer ninullat me vaj dhe lot, të cilët shndërrohen në stalagmite (e dihet se sa kohë duhet të krijohet një stalagmit):
Atë vit
nënat tona i harruan ninullat
dhe u bënë të gjitha vajtore.
Nuk e di sa vite kaluan, por lotët e derdhur
ngrinë në jetën tonë si stalagmite
(Atë vit)
Ëndërrime të mbytura në det

Brenda dhembjes në përgjithësi, Timo Mërku-rit i rëndon sidomos dhembja për refugjatët, për njerëzit që për t’i zvogëluar vuajtjet, për t’iu shman-gur tragjikes së jetës, vendosin ta braktisin atdheun dhe të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër (si-domos në Itali), po në këtë kërkim dhe përpjekje përjetojnë tragjikë të shumëfishtë: pësojnë vuajtje të pazakonshme dhe së fundi të gjitha synimet dhe ëndrrat e tyre mbytën në det bashkë me ta. Kështu, deti bëhet një varr i hapur, që gëlltit vijimisht jeta njerëzish. Kështu, deti që merret si shpëtim, bëhet humnerë dhe plagë e gjallë e shpirtit të poetit, që përmbys gjithçka të qenies njerëzore. Kjo shprehet përmes një pamje poetike tronditëse: vajton dhe deti.
Valët janë rrudhat e ballit tim.
E kreshtat e tyre të bardha
thinjat e mia të parakohshme janë […]
Dhimbjen time e vajton dhe deti.
(Dhimbjen time e vajton dhe deti)
Gjendje shpirtërore e poetit është aq e tendo-sur sa ka mbërritur në zgrip të rrënimit: edhe në gjumë i ëndërron skafet dhe stërkalat e valëve të detit, ky mbyten ofshamat, britmat, klithjet dhe dhe-mbjet e njerëzve (bashkë me trupit e tyre):
Ëndrrat më ikën me skaf dhe stërkalat
janë lule të bardha
lidhur në një tufë mortore, hedhur në det.
(Ky det nis te zemra ime)

Këtu trishtimi si një qukapik troket në
trungjet e ëndrrave
të mia, që nuk lulëzuan kurrë.
(Shtëpia ime në breg të detit)
Në gjithë këtë zezonë jetësore poeti gjakon ta gjejë ndonjë përbërës që ta përballojë të keqen, ta qetësojë shpirtin, prandaj gjakon dhe e shqipton da-shurinë,kur i sheh vajzat e bukura e të njoma të qy-tetit të vet, po edhe në këtë gjakim i ndërpritet fry-mëmarrja: vajzat i sheh me shikim nga deti, qoftë për t’u nisur edhe ato kah ishin nisur të tjerët, qoftë për të dëshmuar tragjiken që është bërë pjesë e jetës, e veprimit dhe e kujtimit të tyre të trishtueshme për tragjiken që pësuan në det; të dashurit e tyre jo vetëm e kishin pësuar me jetë, po kishin mbetur edhe pa varr:
Mos më flisni për dashurinë, se më vjen të qaj
kur i shoh të treten me shikimin nga deti.
(Të bukura si Afërdita)
Në vizionin poetik Mërkuri e përfytyron edhe vendngulimin e refugjatëve matanë detit (matanë detit, për ata që kishin shpëtuar) pa këngë, të gjallë po, po shpirtërisht të vdekur.
Në fshatin e refugjatëve
këngët lindin si fëmijë të vdekur
(Këngët lindin si fëmijë të vdekur)

Dhembja e përshkuar nga heshtja dhe vetmia

Në poezinë e tij Timo Mërkuri e ndërlidh dhe-mbjen me heshtjen dhe me vetminë dhe në këtë njësim krijon pamje tronditëse. Për poetin heshtja është himn i vetmisë; nga ajo kjason dhembja që ia ngushton edhe frymëmarrjen.
Duhet patjetër të kaloj të dielën,
si një djerrinë të përcëlluar
plot thëngjij e afsh shkrumbi,
e të mbërrij tek e hëna,
ku më pret buzëqeshja e një trëndafili të porsaçelur,
që valëvitet si flamur në kiçin e tragetit.
(Heshtja është himn i vetmisë)
Në rrethana të tilla njerëzit kridhen në hum-nerat e heshtjeve të tyre, e projektojnë jetën përmes përfytyrimeve dhe ëndrrave për arsye se realiteti nuk u ofron dhe nuk u mundëson atë që gjakojnë.
Heshtja leson dhimbjen.
Dhe në muzg
ferrat nxijnë mbi të si dregëza mbi plagë.
(Edhe këtë vjeshtë)
Edhe vetmia i shtreson dhe i rrit dhembjet; ajo shqiptohet si ndryshk që i bren dhe i zhbën ditët.
Mëngjeseve dalin në prag të shtëpive
duke mbajtur në prehër heshtjen,
duke mërmëritur përralla që s’u treguan kurrë
për nipërit e mbesat lindur në mërgim.
(Ndryshku i vetmisë bren ditët)
U tha dhe më parë se Mërkuri përfton pamje tronditëse, që të pushtojnë me artin e tyre dhe bëjnë ndikim të dukshëm në marrësin: shtëpia është plakë e braktisur; edhe pse i mbledh gjithë yjet, nuk e zhbën vetminë.
Është një shtëpi aty në jug,
e heshtur. Si një plakë e braktisur.
E një vijë uji që kalon te pragu, si vija e fatit
në një pellg, në pëllëmbë të oborrit mbledh
gjithë yjet,
por nuk ia zbardh dot ditët vetmisë.
(Si një pikë loti nën qepallë)

Njësimi dhe dashuria përballë atdheut

Në disa poezi Timo Mërkuri e shqipton edhe atdheun, Shqipërinë. Edhe në këtë rast është fjalë pak, po teksti që krijon cilësohet me shumësi kupti-mesh. Ai i shmang fjalët e mëdha (retorike), po për-mes gjërave të “vogla” shpreh qëndrimin dhe da-shurinë e tij ndaj atdheut: njësimi i germave të emrit të Shqipërisë bëjnë qeniene tij, vetë atë.
Një nga një i mblodha germat e emrit tënd
dhe të hymnit
dhe të flamurit.
Dhe kur i lexova përsëri
Pashë se qe shkruar biografia ime.
(Edhe një herë për Shqipërinë)
Në poezinë E varfër sofra jonë, poeti krijon një tablo poetike të pazakonshme, që si parim e zbaton në shumë raste: copën e bukës e lyen me dritë hëne, ndërsa fëmijët çukasin përralla:
E varfër sofra jonë, një fetë bukë
lyer me dritë hëne
dhe rreth saj
një trumbë fëmijësh që çukisin përralla.
(E varfër sofra jonë)
Edhe në këtë tablo poetike, të përftuar me pak vargje, që po e sjell në vijim, kemi diçka të veçantë, të papërsëritshme:
Sot yjet janë çmendur. Vallëzojnë rrethmeje
Dhe hëna më pëshpërit fjalë të ëmbla
si motër e përmallur.
(Kthimi)

Shqiptim i mëvetësishëm edhe i dashurisë

Edhe dashurinë poeti Mërkuri e shqipton për-mes strukturës gjuhësore të kursyer. Ai synon që në dashuri të jetë i vetvetes, të dashurojë ashtu si do dhe i përgjigjet vetëm atij: të jetë i pavarur, i mëvetësi-shëm. I ngopur me dhembje, me pësime e zhgënjime, poeti synon ta shkruajë “ungjillin e dashurisë”. Emri i së dashurës është “[…] është kënga e këngëve që këndoj”. E dashuria kryesisht është përfytyruese, i përket botës së përrallës: “Diku po martohet një princeshë ëndrrash”.
Në rrethana të rënda të jetës, edhe dashurinë e përcjellin tundimet, dhembjet, vuajtjet, po poeti është plot besim dhe i lumtur të dashurojë.
Unë, jetim si ylli i mëngjesit. I heshtur si ai,
kam qiellin tim e dashurinë time.

A e ke vënë re, buzëqeshja ime
ka më shumë ylbere se gjithë pranvera
Dhe këngën time kori i yjeve e shoqëron…
(Portat e lumturisë)

Ky park ku ti shëtit shkujdesur është zemra ime
Dhe këto lule që ti ledhaton, ëndrrat e mia janë.
Tani që të njoha ty
dua të rroj e të vdes si trëndafili në maj.
(Portat e lumturisë)
Në shqiptimin e dashurisë Mërkuri ia ka dalë të përftojë po ashtu pamje poetike të rralla, që të pushtojnë me gjerësinë dhe me thellësinë e mendi-meve; dashuria është këngë (lexo: është kënaqësi), po më shumë ngrihet mbi bazën e përfytyrimit, më tepër është projeksion sesa akt konkret.
Tek emri yt e kanë bërë folenë
zogjtë e ëndrrave të mia,
që nisin e këndojnë në kor
kur të flas a kur për ty mendoj.
(Emri yt është kënga e këngëve)

Në fund po shtoj se poezitë e zgjedhura të Timo Mërkurit, të përfshirë në këtë vëllim me titull “Ëndë-rrime tëmbytura në det” jo vetëm përligjin artin e tyre të mirëfilltë, po shkaktojnë atë katarsë shpirtë-rore që mund ta bëjë vetëm arti i madh.

Prishtinë, qershor 2018

You Might Also Like