Teatër

Një jetë e tërë në teatër

Dikur nuk e kishim problemin financiar, por kishim probleme ideologjike. Tashti, probleme ideologjike nuk kemi, por kemi mosrespekt ndaj kulturës”, thonë Mejreme Berisha e Muharrem Sylejmani, aktorë që mbi katër dekada qëndrojnë në skenë.

 

 

Mejreme Berisha, aktore, kur ende nuk i kishte mbushur 16 vite, në vitet shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, kishte luajtur rolin e një nëne të luftëtarit. Ajo ish te e vetmja femër në Teatrin e Gjilanit dhe rolet e femrave ishin të rezervuara për të. Tashti, kur ka kaluar mbi katër dekada në skenë, ajo pas më shumë se 80 roleve të ndryshëm, ka luajtur edhe rolin e një femre “cool”.

Muharrem Sylejmani, aktor e regjisor, në jetën e tij kurrë nuk ka bërë ndonjë punë tjetër, pos asaj që është e lidhur me skenën. Kjo punë, asnjëherë nuk i dha ndonjë pasuri, por ai është i kënaqur me të, ngase që prej vitit 1973, kur kishte luajtur rolin e parë, nuk la vend pa shëtitur.

Ai edhe sot e kujton paraqitjen e parë të tij në skenë, kur kishte marrë një rol në shfaqjen “Fosilet” të Azem Shkrelit, me regji të Muharrem Shahiqit. Që prej atëherë, kaluan 43 vite e Muharremi  nuk iu nda skenës dhe nuk kreu ndonjë punë tjetër, as atëherë kur në prillin e vitit 1993 e larguan me dhunë nga teatri. Muharrem Sylejmani është paraqitur në mbi 80 role dhe ka bërë regjinë e 13 shfaqjeve. Ai edhe aktrimin edhe regjisurën i ka pasion dhe për këtë punë është shpërblyer shumë herë.

“Dikur ishim teatër i vogël, sepse pushteti nuk na linte të zhvilloheshim. Angazhoheshim gati se në çdo projekt dhe kur ndonjë shfaqje ishte më e madhe, angazhonim edhe amatorë”, kujton Muharrem Sylejmani, që thotë se në teatër kishte kaluar tri pushtete, atë të Titos, të Millosheviqit dhe këtë tonin dhe thotë se është i zhgënjyer që pikërisht tashti në kohën e demokracisë teatri është më së keqi. “Dikur nuk e kishim problemin financiar, por kishim probleme ideologjike. Tashti, probleme ideologjike nuk kemi, por kemi mosrespekt ndaj kulturës”, thotë Muharrem Sylejmani, i cili në liri kishte ëndërruar një teatër më ndryshe se sa ky i sotmi.

Mejreme Berisha ende ishte nxënëse filloriste në vitin 1972, kur brenda dhe jashtë Kosovës kishte bërë emër si recitatore e shkëlqyer. Më 1976, ajo pati ofertën që të për herë të parë të paraqitet në skenë, në rolin e Melihasë në shfaqjen “Dasmë në luftë” të autorit Mirash Jero me regji të Muharrem Shahiqit. Në këtë kohë ajo i kishte vetëm 16 vjet dhe ishte femër e rrallë që paraqitej në teatër. Që nga ajo kohë e deri më tashti, ajo ka pasur mbi 80 role.

“Kishte numër të kufizuar të femrave në teatër, andaj më duhej të luaja edhe vajzat e reja edhe gruan, por edhe plakën. Në këtë moshë unë luajta rolin e nënës së luftëtarit”, thotë Mejreme Berisha, e cila pranon se shumë role ka luajtur me kolegun e saj Muharrem Sylejmani.

Mejreme Berisha, ka luajtur edhe në monodramën “Vdekja e një mbretëreshe”, rol për të cilin mori çmimin special në Festivalin Ballkanik të mbajtur në Korçë.

“Teatri sot nuk e meriton të jetë në këtë gjendje, aq më pak tashti kur ekzistojnë të gjitha parakushtet që ai të zhvillohet në një teatër, të atillë çfarë e ka tërë bota”, thekson Mejreme Berisha, që nuk lë pa e përmendur se Gjilani ka një publik të mrekullueshëm, ka njerëz që e njohin dhe e duan artin dramatik, andaj edhe kërkon një përkushtim më të madh dhe përkrahje më të madhe financiare për teatrin.

 

You Might Also Like